Nga Klodiana Lala


Për të dytën herë brenda një muaji Gjykata e Lartë kroate merr në dorëzim dosjen e Ismail Morinës, tifozit të Kombëtares shqiptare që ngriti dronin me flamur etnik mbi stadiumin e Beogradit, e që tashmë me akuzën e nxitjes së urrejtjes rrezikon ekstradimin drejt Serbisë.


Lajmi konfirmohet për News24 e “BalkanWeb” nga burime diplomatike, për shkak se ambasada shqiptare në Kroaci po ndjek hap pas hapi çështjen në fjalë.


Brenda të premtes thanë burimet – gjykata supreme pritet të administrojë dhe opinionin e prokurorisë për rastin dhe më pas të caktojë një datë për shqyrtimin e apelimit të bërë nga vetë tifozi kuq e zi, raporton “BalkanWeb”.

Pak ditë më parë, Gjykata e shkallës së parë në Dubrovnik, pasi e shqyrtoi dosjen që ia ktheu Gjykata e Lartë, vendosi të miratojë ekstradimin e shqiptarit drejt Beogradit.

Shqiptari që njihet me emrin Ballisti refuzon të shkojë në burgjet serbe, duke pretenduar se do të diskriminohet për shkak të përkatësisë etnike dhe statusit social.

Morina kërkohet për aktin e kryer me 14 tetor 2014, gjate ndeshjes Serbi-Shqipëri, ku ngritja e dronit, është cilësuar nga autoritetet e drejtësisë serbe, si vepër penale, qe nxit urrejtje mes kombeve e feve.

Ndërsa pritet që gjykata supreme të japë një vendim për kërkesën e Beogradit zyrtar, ende nuk dihet se çfarë është bërë me kërkesën e Morinës, për azil politik.

Por pavarësisht verdikteve të gjyqësorit, ekstradimi ose jo i shqiptarit varet nga firma e ministrit kroat të drejtësisë.

(m.k/BalkanWeb)