*Elbasani vishet Kuq e Zi
Armeni- Danimarkë 0-0, rriten shanset e Shqipërisë
*Barazimi Armeni-Danimarkë “dhuratë” për Kombëtaren
*Cristiano Ronaldo shfaqet rrezikshëm, godet shtyllën, Berisha e ndal 2 herë
*Pjesa e parë e ndeshjes Shqipëri- Portugali 0-0
*Kuqezinjtë kërkojnë golin, Cikalleshi godet shtyllën!
(Në përditësim)

TIRANE- Djemtë e Kombëtares ndëshkohen në minutën e 2-të shtesë të ndeshjes me Portugalinë e vlefshme për “Euro 2016”, e cila u luajt mbrëmjen e sotme në “Elbasan Arena”. Portugalia gjeti portën me anë të golit me kokë të Miguel Velosos, duke shënuar kështu edhe humbjen e parë të kombëtares sonë në kualifikimet për kampionatin Europian “Franca 2016”.

Që në fillim të lojës portugezët u shfaqen rrezikshëm, po ashtu edhe ylli botëror Cristiano Ronaldo, i cili në një rast ka goditur shtyllën. Ndërkohë që Portugalia sulmon, tifozeria shqiptare brohoret emrin e “Messit”. Portieri Berisha ka pritur dy gjuajtje të rrezikshme të Ronaldos. Deri në përfundim të pjesës së parë Ronaldo nuk e ka ndalur sulmin, por pa arritur të shënojë. Kur po afrohej fundi i pjesës së parë edhe futbollistët tanë patën disa raste. Ndërsa pjesa e dytë e ndeshjes ka nisur me një rast të mirë për kombëtaren tone, ku Abrashi humbi një rast mjaft të mirë. Në minutën e ’52 vjen shkëndija e parë nga kuqezinjtë, Cikalleshi provon nga jashtë zone, por topi kalon shumë pranë traut të portës. Rasi më i mirë për kombëtaren erdhi në minutën e ’74 kur Cikalleshi godet nga jashtë zonës dhe topi devijohet duke u përplasur në shtyllë duke ngritur në këmbë “Elbasan Arenën” Pas atij momenti loja bëhet e barabartë, kuqezinjtë kanë disa raste, por edhe Cristiano Ronaldo nga ana tjetër kërkon të zërë në befasi Berishën. Djemtë e Debiazit u ndëshkuan në minutën e dytë shtesë, me një gol të Miguel Velsos.

Pas fitores me Shqipërinë, Portugalia mban vendin e parë të grupit I me 15 pikë, pasohet nga Danimarka me 12 pikë, ndërsa Shqipëria ndodhet e treta me 11 pikë, por avantazhi i saj qendron në faktin se ka edhe 2 ndeshje per te luajtur, me Serbinë dhe Armeninë. Serbia e Armenia tashmë janë jashtë garës për kualifikim.

NDESHJA MINUTE PAS MINUTE
Mbyllet sfida, SHQIPËRI – PORTUGALI 0-1
90+2′ Goditje dënimi për portugezët, Kuarezma kroson drejt zonës, Veloso kërcen mbi të gjithë dhe dhe e dërgon topin në rrjetë, në avantazh portugezët.
90′ Sinjalizohen 3 minuta shtesë.
87′ Goditje dënimi nga pozicion i favorshëm për kuqezinjtë, gjuan Xhaka, por mbi traun e portës.
85′ Zvëndësimi i tretë, largohet Cikalleshi, në fushë Balaj. 80′ Me fat porta e Berishës, Eliseu del i vetëm përballë portës dhe tenton një parabël, por topi kalon fare pak centimetra larg shtyllës pingule.
76′ Zvëndësim te Portugalia, largohet Dani, në fushë Eder.
74′ Rasti me i mirë për për Shqipërinë, Cikalleshi godet nga jashtë zonës dhe topi devijohet duke u përplasur në shtyllë, aty përpiqet dhe Roshi por pengohet dhe nuk arrin të godasë. Fati me portugezët kësaj radhe.
70′ De Biazi kryen edhe zvëndësimin e dytë, largon nga loja Shkëlzen Gashin dhe hedh në fushë Roshin. 65′ Zvëndësim edhe te Portugalia, largohet Bernardo dhe i lë vendin Kuarezmës.
62′ Ajeti ndërpret një aksion të rrezikshëm të portugezëve, por ka mbetur i dëmtuar dhe duhet ndërhyrja mjeksore për ta rikthyer sërish në lojë mbrojtësin kuqezi.
58′ Kuqezinjtë janë zgjuar, tashmë topi luhet nga të dyja krahët.
55′ Zvëndësim te Shqipëria, largohet Abrashi, në fushë Migjen Basha.
53′ Xhimshti ka sërish shansin të shënojë pas goditjes nga kendi, por mbrojtësi nuk kordinohet si duhet.
52′ Vjen shkëndija e parë nga kuqezinjtë, Cikalleshi provon nga jashtë zone, por topi kalon shumë pranë traut të portës.
49′ Rast i mirë për Abrashin që i krijohet shansi për të goditur nga kufijtë e zonës, por preferon të pasojë dhe humbet një mundësi mjaft të mirë.
48′ Shqipëria qëndron sërish mbrapa dhe pret Portugalinë.
46′ Ka startuar pjesa e dytë, kësaj here topin e luajnë portugezët.
Mbyllet pjesa e parë në barazim 0-0
43′ Ndërhyrje e ashpër e Abrashit dhe arbitri e ndëshkon me karton të verdhë.
40′ Kërcënojnë sërish portugezët, Bernardo gjen hapësirën dhe godet me të majtën nga kufijtë e zonës, por për fat të mirë topi kalon fare pranë shtyllës pingule dhe del jashtë.
36′ Krosim i Ajetit drejt zonës, gashi ul me kokë për Cikalleshin, ky i fundit humbet ekuilibrin dhe godet keq duke mos sjellë asnjë kërcënim te portugezët.
32′ Pranë golit sërish Portugalia, Ronaldo godet me kokë pas krosimit të Nanit nga krahu i djathtë, por topi kalon fare pranë shtyllës, për fat të mirë kishte edhe pozicion jashtë loje të portugezit.
30′ Sërish Ronaldo që provon nga jashtë zone, por topi kalon ngjitur me shtyllën pingule të Berishës.
26′ Pasim perfekt për Ronaldon nga mesi i fushës dhe portugezi gjendet i vetëm përballë Berishës duke vrapuar të arrijë topin. Është gardiani kuqezi më i shpejtë dhe bën një superdalje duke e larguar topin me kokë. 22′ Karton i verdhë për Bernardo Silvën pas protestave ndaj gjyqtarit.
20′ Goditje dënimi për portugezët, por që nuk sjell asgjë pasi Ronaldo ngatërohet me lojtarin e tij.
16′ Portugezët mbeten në sulm, minuta të vështira për kuqezinjtë.
13′ Sërish Ronaldo që i afrohet golit pas goditjes nga kendi. Portugezi gjendet i lirë në zonë dhe godet, por topi përplaset në shtyllë dhe përfundon jashtë.
12′ Vjen kërcënimi i parë i portugezëve. Ronaldo shmang bukur dy lojtarë dhe godet fuqishëm nga jashtë zone, por grushton Berisha në goditje kendi.
09′ Shqipëria duket e vendosur mjaft mirë në mbrojtje dhe nuk i lejon asnjë hapësirë portugezëve. 06′ Krosim i rrezikshëm i Agollit drejt zonës nga krahu i majtë, por largon topin Eliseu.
04′ Goditje keni për portugezët, largon Ajeti, topi shkon te Dani i cili provon nga jashtë zonës me të djathtën, por goditja e tij është e gabuar.
03′ Goditja e parë nga kendi i përket portugezëve. 01′ Ka nisur sfida me topin e parë të luajtur nga kuqezinjtë.

FORMACIONET ZYRTARE
Shqipëria: Berisha, Gjimshiti, Cana, Ajeti, Agolli, Xhaka, Kukeli, Abrashi, Gashi, Lenjani, Cikalleshi.
Portugalia: Rui Patricio, Verinja, Pepe, Karvalho, Eliseu, Veloso, Danilo, Bernardo Silva, Nani, Dani, Ronaldo.
Gjyqtar: Jonas Erikson
Shqipëria do të zhvillojë sonte në “Elbasan Arena” në orën 20:45 përballjen ndaj kombëtares Portugeze e vlefshme për eleminatoret e Europianit “Francë 2016″. Tranjeri i kuqezinjve, Xhani De Biazi është shprehur ditën e djeshme në konferencën për shtyp se kërkojnë t’i marrin dhe 3 pikë të tjera djemve të Santosit.

ELBASANI VISHET KUQ E ZI
Ndërsa Kombëtarja jonë rriti shanset për kualifikimin pas barazimit në Danimarkë, atmosfera në qytetin e Elbasanit është ndezur nga tifozët e veshur kuq e zi, pasi kjo konsiderohet si më e rendesishmja. Gjithçka flet për festë në Elbasan, i cili është tejmbushur nga tifozët. Ata duken entuziastë dhe plot shpresë, ndërsa i japin kurajë kuqezinjve dhe urojnë vetëm fitore. Policia ka ndërmarrë masa të rrepta për mbarëvajtjen e ndeshjes, në terren mësohet se do të jenë 1000 efektivë policie. Mësohet se mbi 12 mijë plisa do të shpërndahen sot falas për të gjithë tifozët e kombëtares, për ta bërë edhe më madhështore atmosferën.

ARMENI-DANIMARKË 0-0, RRITEN SHANSET E SHQIPËRISË PËR NË EURO 2016
Shqipëria ka marrë një lajm të mirë pak minuta para përballjes së Kombëtares me Portugalinë. Ndeshja Armeni – Danimarkë, ka përfunduar me rezultat 0:0. Ky është barazimi i dytë që danezët marrin pas atij me Shqipërinë me rezultatin 0­-0 në Kopenhagen të premten që shkoi.

Danezët cilësohen si rivalët direkt të Kombëtares shqiptare të futbollit në grupin I, referuar edhe rezultateve të fundit. Me barazimin e marrë në Armeni, danezët shkojnë në kuotën e 12 pikëve, ndërsa kuqezinjtë e De Biazit kanë 11 pikë. Por avantazhi për Kombëtaren shqiptarë të futbollit qëndron në faktin se kanë edhe tre ndeshje për të zhvilluar, me Portugalinë mbrëmjen e së dielës në orën 20:45, me Serbinë në “Elbasan Arena” dhe Armeninë në fushë të huaj. Ndërsa danezëve u mbetet edhe një ndeshje për të luajtur kundër luzitanëve në fushën kundërshtare, përjashtuar një miqësore me Francën.

MASAT
Sa u përket sportdashësve, hyrja e tyre në stadium do të nisë që 3 orë përpara ndeshjes në mënyrë që të shmangen radhët e gjata, por edhe për shkak se këtë herë do të jetë një risi në pajisjen e tifozëve me bileta elektronike, të cilat i kanë prenotuar përmes sistemit online dhe jo nga shitja nëpër sportele. Për herë të parë në Shqipëri, në një ndeshje ndërkombëtare tifozët e futur në stadium do të jetë të identifikuar falë kësaj risie. Ndërkaq në stadium nuk do të lejohet marrja e fëmijëve të mitur pa u pajisur me biletë, ndërkohë që sportdashësve u kërkohet që të mos mbajnë me vete sende të forta, si shishe plastike apo fishekzjarrë, pasi në të kundërt nuk do të lejohen të futen. Gjithashtu, nga ora 12 e mesditës së kësaj të hëne e deri në përfundim të ndeshjes, të gjitha lokalet në afërsi të stadiumit do të jenë të mbyllura.

JA SI DO LUAJNE SOT KUQEZINJTE
Pak orë para ndeshjes, trajneri Xhani De Biazi ka ende dyshime për titullarët që do të hedhë sot në fushë përballë Portugalisë në “Elbasan Arena”. Ndeshja e lodhshme përballë Danimarkës të premten, por edhe luksi që tekniku i Kombëtares shqiptare ka në pankinë, ka bërë që të ketë dilema për sa u përket lojtarëve që do ta nisin nga minuta e parë përballë yjeve portugezë. Në seancën e djeshme stërvitore të paradites, italiani ka provuar dy formacione të ndryshme, teksa fillimisht në ekipin e titullarëve ka luajtur Xhaka me Kukelin në qendër të mesfush- ës, ndërsa në vend të tyre më pas janë aktivizuar Kaçe me Bashën. Dilemat me sa duket janë vetëm në mesin e fushës, pasi mbrojtja, së bashku me Cikalleshin në majën e sulmit do të mbesin po të njëjtët si në sfidën me danezët. Për portën, Berisha duket pa rivalë në katërkëndëshin e Kombëtares kuqezi. Në mbrojtje, përpos dyshimeve që në krahun e djathtë në vend të Gjimshitit mund të luajë Hysaj, De Biazi me sa duket e ka ndarë mendjen për te futbollisti që bëri një paraqitje të mirë në debutimin e tij me Danimarkën. Mbrojtësi i Zyrihut pritet të jetë edhe markuesi personal i Ronaldos, teksa do të ketë një detyrë shumë të vështirë për të ndalur yllin portugez. Në qendër, dyshja Cana-Ajeti duket e paprekshme, ashtu si edhe në krahun e majtë që do të jetë Agolli.
Dilemat më të mëdha dhe që ndoshta vetëm përpara sfidës me Portugalinë do të mësohet se cili do të luajë në këtë pozicion, me sa duket i përkasin mesit të fushës. Thuhet kështu, pasi në seancën stërvitore të paradites, tekniku italian ka provuar Kaçen dhe Bashën në vend të Xhakës dhe Kukelit. Fillimisht, ishin këta të fundit që e nisën me formacionin e titullarëve, por më pas De Biazi u ka ndërruar vendet me dy të tjerët, çka do të thotë se ka jo pak dilema në mendjen e tij. Ndërkohë, Abrashi për momentin duket i sigurt për pozicionin e tij, ashtu si edhe Gashi në të djathtë dhe Lenjani në të majtë, që nuk ndihen të rrezikuar për të qenë në stol. Sulmi – Paraqitjet e Sokol Cikalleshit kanë bërë që De Biazi t’i besojë sërish edhe ndaj luzitanëve rolin e titullarit dhe që i vetëm do i duhet të mbajë skuadrën përpara. Kavajasi në raste të caktuara do të ketë edhe detyra mbrojtëse në momentin që kundërshtari do të ketë topin në zotërim. Cikalleshi nuk e ka bërë ende “sefte” golin me Kombëtaren, por ndoshta një gjë e tillë do të ndodhë ndaj Portugalisë së Kristiano Ronaldos, shkruan Panorama Sport.

SHIFRA DHE FAKTE PËR BALLAFAQIMET SHQIPËRI-PORTUGALI
Shqipëria është e pamposhtur në Grupin I kualifikues, një “kockë e fortë” për këdo, edhe për Portugalinë, por historia e përballjeve mes këtyre dy kombëtareve favorizon luzitanët. Portugezët mund të vulosin biletën e finaleve të “Euro 2016” Sot në mbrëmje, nëse fitojnë në Shqipëri dhe Danimarka humbet në Armeni. Ronaldo s’i ka shënuar asnjë gol Shqipërisë, ndërsa Cana eshte njeriu me më shumë ndeshje (katër) në duelin e këtyre kombëtareve.

Të besuarit e Fernando Santosit kanë një seri prej pesë fitoresh radhazi në kualifikuese, pas një fillimi të keq, pikërisht përballë shqiptarëve, me të cilët Portugalia humbi 1-0 në Aveiro. Ja disa fakte dhe shifra mbi ndeshjet Shqipëri-Portugali: Ky është takimi i gjashtë midis këtyre dy ekipeve. Luzitanët kanë tri fitore kundër një të tillë të shqiptarëve. Barazim ka pasur në një rast, në Braga, transmeton telesport.

Portugalia fitoi në të dyja ndeshjet e luajtura në Shqipëri, 3-0, në vitin 1996, dhe 2-1, në vitin 2009. Katër lojtarë nga ekipi kombëtar aktual portugez, të rreshtuar në triumfin e vitit 2009; Ricardo Carvalho, Pepe dhe Cristiano Ronaldo, ishin titullarë asokohe, ndërsa Nani luajti si zëvendësues. Në tri ndeshjet e luajtura në vitin 2015, Shqipëria nuk ka humbur: ka marrë dy fitore dhe një barazim.

Shqiptarët kanë humbur vetëm një nga nëntë ndeshjet e fundit të luajtura, zyrtare dhe miqësore. Humbja e fundit ishte kundër Italisë, në një ndeshje miqësore, të zhvilluar në nëntor të vitit të kaluar. Asnjë nga 23 lojtarët që kanë udhëtuar me skuadrën e Portugalisë drejt Tiranës nuk kanë shënuar gol ndaj Shqipërisë. Lorik Cana, kapiteni i ekipit kombëtar shqiptar, është lojtari me më shumë ndeshje të luajtura mes dy skuadrave (katër).

(ma.ar/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: