“Është një ndeshje pa kompromis, një sfidë ku futemi në fushë për të bërë rezultat”, kështu u shpreh Sylvinho në konferencë për shtyp. Në raport me ndeshjen e parë, atë kundër Italisë, tekniku kuqezi pritet të ndryshojë ekipin, si në mënyrën e lojës, ashtu edhe në përbërje, pasi pritet të ketë të paktën dy ndryshime, Ismajli në vend të Ajetit, ndërsa në fazën sulmuese Arbër Hoxha pritet ta nis nga minuta e parë, por mbetet ende e paqartë, nëse do të marrë vendin e Seferit në të majtë të sulmit, apo vendin e Jasir Asanit në të djathtë.

Ndaj Kroacisë është një ndeshje ku edhe një pikë mund të mos mjaftojë, pasi në sfidën e fundit, atë kundër Spanjës jemi të detyruar të fitojmë, për këtë arsye kërkohet një ekip më sulmues, një skuadër që do të tentojë rezultatin e plotë. Sylvinho duket se ka reflektuar në raport me takimin e parë kundër Italisë, sigurisht i kushtëzuar edhe nga fakti që këtë herë nuk mjafton thjeshtë të mbrohesh.

Në letër kjo shihet një ndeshje pa shumë histori, edhe këtë herë zbresin në fushë jo si favorit, pasi një sukses i mundshëm i kuqezinjve vlerësohet me koeficientin 7,5, ndërsa një sukses i mundshëm i kroatëve vlerësohet me 1,44. Kjo është hera e parë që dy ekipet përballen ndërmjet tyre.

Pas xhiros së parë në Grupin B, Shqipëria ndodhet në vendin e tretë, kjo pasi golavarazhi është minus një, ndërsa në vendin e fundit renditet Kroacia me 0 pikë dhe minus 3 golavarazhin.

Atmosfera në Hamburg ka qenë fantastike, ashtu si në Dortmund, ku tifozëve e dy përfaqësueseve u bënë bashkë duke festuar deri në orët e para të mëngjesit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb