Kreu i lëvizjes ‘Shqipëria Bëhet’, Adriatik Lapaj, ka akuzuar klasën e vjetër politike se ka lënë Shqipërinë në vendin e fundit në rajon në sektorët kryesorë. Gjatë një bashkëbisedimi në Shkodër, ai theksoi se kjo klasë refuzon të angazhohet në debat politik, duke e marrë vendin peng.

“Këta që e kanë mbajtur peng vendin për 34 vjet thonë se nuk ka alternativë tjetër përveç tyre, por refuzojnë të dalin në debat dhe të shpjegojnë se çfarë kanë bërë gjatë këtyre viteve dhe çfarë propozimesh kemi ne për të ardhmen,” tha Lapaj. Ai theksoi se kjo klasë politike ka kontribuar në realitetin e vështirë që përjeton Shqipëria, duke përmendur probleme të njohura si ato me ekonominë, arsimimin dhe shëndetësinë.

Gjatë fjalës së tij, Lapaj nënvizoi se arsimi do të jetë një nga prioritetet e qeverisjes së tij. Ai propozoi për një orar shkollor nga ora 8:00 deri në 17:00, duke shprehur nevojën për të ofruar mundësi për nxënësit e ndryshëm.

“Dua të flas për aspiratën tonë për ta bërë Shqipërinë një vend të denjë në Ballkan. Çfarë propozosh ne në disa sektorë? Sot, Shqipëria ka buxhetin më të ulët për arsimin në Europë, vetëm 2.8% të prodhimit kombëtar bruto, ndërsa Kosova e ka 4.6% dhe mesatarja europiane është 5%. Ne angazhohemi, nëse vinë në pushtet, ta rrisim këtë në 5% dhe brenda 24 muajve ta çojmë në 7%, duke na kthyer në lider në Ballkan,” deklaroi ai.

Lapaj theksoi rëndësinë e investimeve në arsim, duke shtuar se vendet e varfëra dhe të vogla kanë arritur përpara vetëm përmes investimeve në këtë sektor. “Për fëmijët dhe nipërit tuaj, le të sigurojmë që shkolla të jetë dinjitoze, të ofrojë ushqim dhe të ketë orare të përshtatshme, për të siguruar që të gjithë nxënësit, pavarësisht mundësive të tyre, të kenë qasje të barabartë në arsim,” përfundoi Lapaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb