TIRANE – Shqipëria dhe Gjermania nisin negociatat për nënshkrimin e marrëveshjes për njohjen e pensioneve, që pritet të mbyllet brenda këtij viti. Në një konferencë të përbashkët për shtyp në Tiranë, Ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj dhe Sekretari gjerman i Shtetit, Jorg Asmussen‏ theksuan se bashkëpunimi në këtë fushë është një hap konkret se si mund të punohet sipas një fryme të vërtetë europiane.

Ministri Veliaj e cilësoi këtë si një lajm të mirë për të gjithë emigrantët shqiptarë në Gjermani, si dhe konkretizim i bashkëpunimit të shkëlqyer mes dy vendeve. “Ky është një lajm i mirë për të gjithë ata shqiptarë, të cilët kanë menduar se puna e tyre në Gjermani nuk do të shpërblehej edhe me vitet e punës në Shqipëri. Do doja të inkurajoja të gjithë emigrantët shqiptarë, kudo ku jetojnë, të sigurohen dhe të mos punojnë në të zezë, në mënyrë që të përfitojnë nga marrëveshjet që ne po nënshkruajmë me vende të BE”, – tha Veliaj.

Asmussen e vlerësoi si një bashkëpunim të frytshëm mes dy vendeve fillimin e negociatave për nënshkrimin e marrëveshjes dypalëshe për mbrojtjen sociale. “Shpresoj të bëjmë progres që kjo marrëveshje të nënshkruhet në vjeshtë. Bashkëpunimi në këtë fushë është një hap konkret se si mund të punojmë me një fryme të vërtetë europiane”, – tha ai.

Nga ana tjetër, Asmussen preku edhe çështjen e hapjes së dosjeve në Shqipëri, duke ndarë eksperiencën gjermane në këtë fushë. “Procesi që ne ndërmorëm ishte një ushtrim i dhimbshëm, por kombi gjerman përfitoi nga bërja e transparencës për çfarë kishte ndodhur nën diktaturë dhe e kapëm këtë mundësi historike që iu ofrua gjeneratës sonë. Tani ne jemi një komb më i bashkuar, se sa do të kishim qenë pa e kryer këtë process, dhe kjo ka ndihmuar dhe kontribuar për të ribashkuar qytetarët gjermanë pas një ndarje të detyruar. Dua t’ju inkurajoj të ecni përpara me këtë proces sepse vendi dhe njerëzit tuaj do të përfitojnë nga rezultatet e tij”,- u shpreh ai.

Sipas ministrit Veliaj, në Shqipëri ka nisur një debat i shëndetshëm për hapjen e dosjeve sipas modelit gjerman dhe se mazhoranca ka vullnetin e plotë për të miratuar një ligj për hapjen e dosjeve. “Ky është një ligj i cili nuk ngjall vëllavrasjen, nuk ushqen tension social, por e maturon kombin, sjell transparencë dhe i bën mirë shoqërisë”, -deklaroi ai.

Duke iu referuar kërkesave të shqiptarëve për azil politik në Gjermani, zoti Asmussen theksoi se shanset e qytetarëve shqiptarë për të përfituar azil janë zero.“Rruga e duhur për ekonominë tonë dhe tuajën është punësimi. Një tjetër fushë bashkëpunimi mes dy vendeve është ajo e punësimit dhe mënyra se si mund ta thellojmë dhe shtojmë bashkëpunimin për një treg të përbashkët pune, jo vetëm në shërbime më të mira, por edhe në njerëz. Ky bashkëpunim në fushën e punësimit është shumë i mirëpritur.”- deklaroi Asmussen.

Edhe ministri Veliaj theksoi se Shqipëria është një vend normal, që nuk i persekuton qytetarët e saj, çka bën që të mos justifikohet asnjë kërkesë për azil.

“Jemi duke eksploruar mundësi se si të certifikojmë qytetarët në fusha të caktuara ku mund të kenë nevojë në Gjermani. Vetëm nën këto procese të rregullta të certifikimit të gjuhës dhe bashkëpunimit, do të mundësojmë kontrata punësimi, por kurrsesi azil.”- tha ministri Veliaj.

Negociatat midis Shqipërisë dhe Gjermanisë për nënshkrimin e marrëveshjes për mbrojtjen sociale do të nisin në datën 19 janar, me takimin e parë të grupit teknik që do të negociojë kushtet e saj.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb