Operacionet e përbashkëta në territorin shqiptar, të kryera nga Interpol, Europol, Eurojust, si dhe nga policia e prokuroria e vendeve partnere në bashkëpunim me SPAK-un dhe autoritetet e tjera ligjzbatuese shqiptare, sjellin ndërmend një analogji historike interesante: ekspeditat romake kundër piraterisë ilire që një pjesë të mirë të plaçkës së kapur në Ariatik e çonin në oborrin mbretëror të Teutës, Agronit, Demetrit apo Gentit. Ashtu si piratët ilirë partnerë me mbretërit e Ilirisë, dikur sfiduan rendin dhe sigurinë në detin Adriatik, sot rrjetet kriminale shqiptare përbëjnë një kërcënim për sigurinë evropiane dhe prandaj nevojitet kjo ndërhyrje e fortë e koordinuar me partnerët perëndimore.

Kjo ngjashmëri historike theksohet edhe më tej nga fakti se tradita e lashtë e piraterisë ilire gjeti vazhdimësi tek pasardhësit e tyre, arbërit, të cilët u bënë një forcë e frikshme në Adriatik e mbarë mesdheun, gjatë Mesjetës dhe më vonë, duke sfiduar fuqitë e kohës e duke lënë gjurmë në historinë e detarisë. Vetëm presioni i madh nga fuqitë detare perëndimore si Venediku, Spanja e Franca detyroi Perandorinë Osmane hera herës të ndërhynte dhe të godiste anijet pirate shqiptare të cilat e siguronin imunitetin në territorin otoman duke ndarë plaçkën bashkë me sulltanin. Mirëpo pika e kthesës qe traktati i Bogradit në 1739 mes Rusisë, Austro-Hungarisë dhe Portës së Lartë që e detyroi këtë të fundit të merrte masa të rrepta ndaj kusarëve ulqinakë duke i dhënë fund një epoke të artë të piraterisë në brigjet shqiptare. Një pjesë e mirë e piraterisë shqiptare vazhdoi veprimtarinë e vetë në partneritet me berberët e Afrikës së Veriut ku edhe më herët kishin ndërtuar partneritete të ngushta bashkëpunimi.

Madje disa prej piratëve më të njohur që dominuan brigjet e Algjerit e Tripolit ishin pikërisht vëllezërit Hajredin Barbarosa dhe kapedan Oruçi, (që e kishin babain spahi shqiptar nga Velesi), Murat Reis Plaku si dhe Arnaut Memi. Ky i fundit u bë veçanërisht i njohur për faktin se në mëngjesin e 26 shtatorit 1575, sulmoi anijen Sol në bregun katalanas dhe kapi rob Migel Servantesin. Gjeniu i gjorë i letërsisë u lirua kur familja e tij pagoi shpërblimin pasi ndenji pesë vjet si skllav. Në një pjesë të kohës secili prej këtyre piratëve ushtroi edhe funksionin formal të admiralit të flotës detare otomane si simbolikë e një lloj pakti të fshehtë mes kusarëve dhe shtetit në këmbim të plaçkës. Paralelizmi historik i aktualitetit me kusarinë e zhvilluar shqiptare, nuk lidhet vetëm me përpjekjet perëndimore për t’i shtypur dhe lidhjet me lidershipin politik të piratëve, por edhe me aftësinë e kusarëve shqiptarë për t’u integruar në nivel ndërkombëtar madje edhe për të marrë rol progatonist drejtues përkrah piratëve berberë, mamlukë e arabë. Një lloj déjà vu kur i sheh bandat shqiptare (që gjithashtu gëzojnë lidhje politike në vend-lindje) se si kanë ndërtuar partneritet sot me mafian italiane dhe kartelet hispanike të drogës dhe përfshine në trafiqe ndërkombëtare të narkotikëve të përmasave të mëdha.

Fatkeqësisht, kjo traditë e plaçkitjes ka vijuar më tej dhe rasti më flagrant është padyshim Ali Pashë Tepelenës që nga kusar u bë pasha, njëjtë si Hajredin Barbarosa dy shekuj më herët. Ali gjithashtu e ndërtoi karrierën e tij mbi kusarinë, duke filluar si bandit dhe duke grumbulluar pasuri dhe mbështetës përmes plaçkitjeve. Në Perandorinë Osmane të shekullit XVIII, kjo formë veprimtarie shihej si mekanizëm legjitim për të fituar pushtet dhe ndikim. Pra ishte një praktikë e zakonshme për të kaluar nga kusaria në pozita zyrtare, duke përdorur forcën dhe armet për të konsoliduar pushtetin dhe duke përdorur plaçkën e mbledhur për të korruptuar eprorët e blerë poste e privilegje.

Me këtë të kaluar “të lavdishme” kusarie që kemi nuk është rastësi aspak që sot në shoqërinë shqiptare, krimi nuk është thjesht i pranishëm masivisht, por shpesh është i admiruar dhe heroizuar. Figura të krimit shihen si “të fortë” dhe “të suksesshëm,” ndërsa ata që i denoncojnë ata përçmohen e konsiderohen spiunë të besëpremë. Ky fenomen tregon një bashkëjetesë në nivelin e bashkëfajësisë me krimin, ku përhapet justifikimi se është më mirë që krimin ta kryejnë “tanët” sesa të huajt. Këtë mungesë e mbajtjes së qëndrimit moral kundër e has në bisedat e përditshme të mbushura me admirim për bëmat e tyre, në justifikimet për veprimet kriminale, apo dhe në gatishmërinë për të blerë mallra të vjedhura. Madje edhe disa politikanë, artistë dhe figura publike shfaqin një afërsi të dyshimtë me botën e krimit dhe krekosen duke ndënjur pranë më famëkeqeve. Ky admirim për krimin është aq e thellë saqë disa shqiptarë krenohen me përfshirjen e bashkatdhetarëve të tyre në aktivitete kriminale jashtë vendit, duke e parë këtë si një shenjë force dhe zgjuarsie.

Problemi i mungesës së një qëndrimi moral dënuarës ndaj krimit dhe trafikut në Shqipëri vazhdon të jetë një pengesë e madhe për përmirësimin e situatës aktuale, duke lejuar kriminelët të glorifikohen në vend që të ndëshkohen moralisht nga shoqëria si dhe duke nxitur përfshirje tejet masive në krim të rinisë shqiptare brenda e jashtë vendit. Këtë fakt të rëndë e dëshmon më së miri deshifrimi i dhe sekuestrimi kriptofonëve SKY ECC dhe Encro Chat të përdorura nga rrjetet ndërkombëtare kriminale, ku del se shqipja është gjuha e dytë më e përdur pas anglishtes. Një studim i para pak viteve tregonte se shtetasit shqiptarë në numër janë të dytët si ekstra-komunitarë në burgjet e vendeve të BE-së, me shifrën 5722 të burgosur. Vendin e parë e zinin marokenët me 11 706 të burgosur e pas nesh ishin turqit me 4789 të burgosur. Kuptohet nëse përllogaritja bëhet për të burgosur për kokë banori, Shqipëria e kapërcen edhe Marokun. Po ashtu tek ky numër nuk përfshihen ata shqiptarë të burgosur që kanë shtetësi të dyfishtë të njërit vend të BE-së (sipas EUROSTAT-it, më shumë se 604,000 shqiptarë kanë marrë shtetësinë e një vendi të BE-së gjatë periudhës 2002-2022).

Fatkeqësisht në sistemin e EUROSTAT-it nuk tregohen rregullisht të zbërthyera të dhënat për prejardhjen kombëtare të të burgosurve të huaj, por për të dhëna më të freskëta të përmasave mjafton të shikojmë numrat e shteteve të veçanta. Avokati ynë i popullit raporton se aktualisht, në të gjithë sistemin e burgjeve të shtetit grek ka 1 643 shtetas shqiptarë që zënë vendin e parë për nga numri i të huajve në burg. Vendin e parë e zëmë edhe në Britani të Madhe ku gjatë vitit 2023 llogaritej të kishte 1475 të burgosur (të dytët ishin polakët me 856 dhe rumunët me 758). Gjatë vitit të kaluar, të burgosurit me shtetësi shqiptare në Itali ishin 1879, ose më shumë 10% e 18044 të burgosurve të huaj që ka ky vend (fatmirësisht këtu jemi pas Marokut me 3748 dhe Rumanisë me 2000). Përfshirja e lartë në krim ilustrohet edhe nga numri i madh i të burgosurve që janë brenda Shqipërisë që në 1 prill ka qenë 4615. Nëse marrim për bazë shifrën zyrtare prej 2.72 milionë banorëve të Shqipërisë sivjet, del që të kemi 170 të burgosur për 100 mijë banorë që është goxha më e lartë se mesatarja prej 116.2 që ka Bashkimi Evropian apo 99 që kanë bashkëkombasit e Kosovës. Pra për të mos ta zgjatur më tutje, shifrat janë dramatike dhe kjo kërkon një reflektim të sinqertë auto-kritik të shoqërisë sonë dhe duhet ta shohim dënimin e krimit si një akt patriotik.

Krimi i organizuar mund të përdoret për të manipuluar zgjedhjet dhe proceset politike, duke rritur polarizimin dhe duke penguar funksionimin normal të demokracisë shqiptare sikurse e kemi parë dekadën e fundit.Krimi i organizuar ushqen korrupsionin në të gjitha nivelet e shoqërisë, duke minuar integritetin e institucioneve publike dhe duke penguar ofrimin e shërbimeve të ndershme dhe efikase për qytetarët. Krimi masiv çon në stigmatizimit të shqiptarëve emigrantë të ndershëm jashtë vendit duke çuar në diskriminim dhe paragjykime. Po ashtu ky imazh i keq largon turistët, ngarkon me paragjykim për mallrat dhe shërbimet Made in Albania dhe pengon investimet e drejtpërdrejta në vendin tonë.

Në një shoqëri ku krimi është i përhapur, shpesh sundon ligji i më të fortit, duke krijuar një mjedis ku mbizotëron padrejtësia dhe mungesa e barazisë përpara ligjit. Kriminaliteti i lartë krijon një ndjenjë të përhapur frike dhe ankthi në mesin e popullatës, duke ndikuar negativisht në mirëqenien psikologjike dhe shëndetin mendor të qytetarëve. Kjo gjë ul ndjeshëm cilësinë e jetës së qytetarëve, duke i bërë ata të ndihen të pasigurt dhe të kufizuar në liritë e tyre e shpesh i shtyn të zgjedhin emigracionin si investim për të pasur garanci sigurie për të ardhmen e tyre. Ky vendim nxitet akoma më shume prej rritjes së kostos së jetës për qytetarët e thjeshtë të ndershëm si pasojë e vërshimit të parave të paligjshme prej krimit.

Masiviteti i kriminalizimit sjell konkurrencë të pandershme në ekonomi, ku bizneset e ndershme nuk mund të mbijetojnë kundrejt atyre që përdorin metoda të paligjshme dhe para të pista, duke dëmtuar zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit. Për më tepër rritja e krimit detyron bizneset e vogla të ndershme të investojnë në masa sigurie dhe të paguajnë haraç, duke rritur kostot e tyre operative dhe duke ulur shanset për të mbijetuar. Rinia shqiptare po zhytet në gjendje injorance (sikurse e dëshmojnë rezultatet e studimit PISA) sepse humbet respektin për arsimin dhe ndershmërinë, duke ndjekur modele të pasurimit nga krimi dhe duke mos e parë shkollimin si rrugën e duhur drejt prosperitetit. Duke u joshur nga makinat e shtrenjta, vilat luksoze buzë detit dhe stili ekstravagant i cubave e banditëve, një i ri shqiptar sot e ka të vështirë që të zgjedhi ta kërkojë nëpërmjet diturisë, durimit, këmbënguljes, punës së ndershme e talentit. Për mos të folur pastaj që përfshirja në kriminalitet ka bërë që rinia të ketë një qasje më të lehtë e lirë tek drogat e rënda prandaj sipas Zyrës së Kombeve të Bashkuara kundër Drogave sot renditemi numri një në Evropë dhe tre në botë për sa i përket konsumit masiv të kokainës.

Studime të panumërta vërtetojnë se krimi minon kapitalin social, pra besimin dhe bashkëpunimin midis njerëzve, duke shkatërruar rrjetet sociale dhe duke vështirësuar zhvillimin e një shoqërie të shëndetshme. Për më tepër ekspozimi ndaj krimit ka një ndikim negativ në shëndetin mendor të të rinjve, duke rritur rrezikun e depresionit, ankthit dhe çrregullimeve të tjera. Prania e krimit të organizuar dhe normalizimi i dhunës ndikojnë në kulturën e shoqërisë, duke e bërë dhunën një mjet të pranueshëm për zgjidhjen e konflikteve në të gjitha sferat e jetës përfshi edhe familjet.

Lista mund të vazhdojë shumë më gjatë, sepse dëmet që krimi i shkakton shoqërisë dhe ekonomisë janë të shumta dhe të thella, aq sa është e pamundur t’i përshkruajmë plotësisht në një artikull të vetëm. Mjafton të shkundemi e kuptojmë se krimi është kanceri që po e gërryen shoqërinë dhe ekonominë tonë nga brenda. Nuk mjafton të mbështesim SPAK-un e përforcojmë ligjet apo të bëjmë shqiponjën me duar për ndeshjet e futbollit, por duhet të sfidojmë e ndryshojmë mentalitetin tonë të shtrembëruar që i sheh kriminelët si heronj. Ata dhe partnerët e tyrenë politikë, janë helmuesit e shoqërisë, shkaktarët e mjerimit, papunësisë, prapambetjes, emigracionit, shkatërrimit të vendit, shërbimeve skandaloze dhe të gjitha problemeve që po na e njollosin dhe fundosin çdo ditë atdheun. Kur shoqëria hesht dhe shteti nuk vepron, krimi triumfon dhe të gjithë paguajmë çmimin e hidhur të indiferencës dhe bashkëjetesës sonë kapilare me krimin.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: