Analisti Fitim Zekthi, i ftuar në studion e News24 ka komentuar situatën politike në vend teksa Shqipëria u drejtohet zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.

Sipas Zekthit, liderët politikë të partive kryesore po intensifikojnë retorikën e tyre ndërsa afrohen zgjedhjet. Ai akuzoi si kryeministrin Edi Rama, ashtu edhe liderin e PD Sali Berisha, për qeverisje në boshllëk. “Opozita është kthyer në një entitet jo politik pa një projekt konkret,” deklaroi Zekthi, duke shtuar se bashkimi i saj nuk mund të realizohet duke përdorur figura që kanë qenë pjesë e skenës politike për 30 vite.

Zekthi vlerësoi punën e SPAK si një risi pozitive, duke theksuar se organi ka nisur hetime ndaj politikanëve të nivelit të lartë, një veprim i paprecedentë në historinë e vendit. Sipas tij, mbështetja publike për SPAK është një tregues i qartë i dëshirës së shqiptarëve për drejtësi dhe transparencë.

Ai kritikoi thirrjet për bashkimin e opozitës si të cekëta dhe pa strategji konkrete. “Thirrjet për bashkim me arsyen se do të mundin Ramën janë pa rezultat,” tha Zekthi, duke shtuar se “politika është një çështje serioziteti dhe përvoje e akumuluar me vite.”

Për të siguruar një ndryshim të vërtetë, Zekthi propozoi një riformatim të opozitës, duke sugjeruar që liderët aktualë duhet të tërhiqen dhe të krijohet një ekip i ri me ide dhe figura të reja.

“Duhet gjetur forca për të tejkaluar veten në opozitë dhe jo forca për të bërë akrobacira që populli të mos kuptojë gjë. Klasa politike shqiptare nuk e gëzon mbështetjen e popullit sepse vit pas viti ka ndodhur bashkimi pas akuzave ndaj njëri-tjetrit. Nuk funksionon kështu dhe nuk duhet të funksionojë. E vetmja mënyrë për të treguar se tejkalojnë veten është të ulen bashkë dhe të pranojnë se kanë qenë të ngarkuar për shkak të pafuqisë mendore e spiritualë për të pranuar gabimet dhe të nxjerrin një kandidat për kryeministër që nuk është askush nga ata që janë tani. Ai do të bëjë edhe listën për deputetë me 2 mijë vetë dhe nga këta do të zgjidhen 140. Vetëm kështu realizohet”, u shpreh ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb