Kur Edi Rama pak pasi erdhi në pushtet bënte ato shakatë me Koço Kokëdhimën anëve të Bregut, ku thoshte se aty në Vuno do të pleqëronte, pakkujt i shkonte mendja se ai kishte një projekt në kokë, ku një nga etapat ishte dhe maskarada zgjedhore e 4 gushtit në Himarë.

Vunoja ka dalë sërish ne skenë këto ditë ku mijëra metra katrorë qenkan futur në tapi për pleqerimin. Ndërsa Himara lypset si zyrë, si pushtet për ta finalizuar gjithçka.

Votimi është një formalitet. Rezultatin e ka paravendosur sundimtari, pasi është pjesë e skemës së tij personale.

Tokat e bregut i konsideron të vetat. Edhe kur nuk i ka me tapi, i ka serish ai. Askush s’mund t’i bëhet pengesë, ndryshe e pret burgu. Siç ndodhi me Belerin.

Dhe për të ardhur tek kjo ditë, ai ka ndërtuar fermën e madhe të klientëve e puthadorëve vanitozë tek ato resortet e luksit aty afër, ka nënshtruar gjithë institucionet, dhe drejtësinë e re, jep e merr me ata. Vetëm Opozita dhe një grusht mediash e publicistësh qendrojnë, bëjnë rezistencë.

Me votues të shtuar enkas së fundmi, me mijëra qe nuk u lanë të shprehin vullnetin, me gjithë shtetin prezent, me tërë lakejtë, me median kryesore që i bie burive të rilindjes, me të fortë e njerëz me precedentë, me favore e para, me trysni e dhunë, Edi Rama e përmbysi rezultatin e një viti më parë, 100 fish.

Sunduesi e konfirmoi edhe një herë se nuk lejon votë, nuk lejon zgjedhje.

Problemi është se teksa me Himarën ka këtë lidhjen direkte sentimentale e të interesave me tokat e pronat e Bregut, për ta mbajtur e çuar deri në fund projektin e tij të zotërimit të gjithçkaje, i duhet patjetër pushteti në Tiranë.

Dhe ai e ka planin për ta shndërruar të gjithë Shqipërinë në një Himarë si ajo e 4 gushtit.

Çfarë do bëjnë qytetarët, çdo bëjnë shqiptarët që as nuk kanë prona në Vuno, as qeveria nuk i bën investitorë strategjikë, as kulla nuk ndërtojnë, as koncesione nuk marrin, as tendera nuk përfitojnë, as nuk u shtohen të ardhurat sa më shumë merr pushtet Edi Rama, përkundrazi, varfërohen më shumë, humbasin liri e të drejta e reduktohen në dinjitet.

Çdo bëjnë pra ata qytetarë, ata shqiptarë që nuk janë ky grushti i njerëzve që zhyten ne privilegje duke adhuruar sunduesin?

Do pranojnë të shndërrohen në subjekte pa gojë, pa aspirata, pa shpresa, të kësaj mbretërie, apo do të zgjohen e të rimarrin të drejtat që kanë. Një nga më të rendësishmet, është ajo për të vendosur vetë, për të zgjedhur të lirë.

Këtë mund ta bëjnë. Kanë në dorë ta bëjnë. E kanë shumë afër këtë moment. Zgjedhjet po vijnë. Asnjë iluzion nuk ka mbetur më rreth Edi Ramës.

Dhe një gjë është e padyshimtë. Zgjedhje me këtë kryeministër nuk mund tē ketë. Këtë e kemi në dorë ne, jo vetëm Opozita, po dhe kushdo që ende e do lirinë.

*Anëtar i Kryesisë së PD

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb