20 vjet pas rënies së Murit të Berlinit, doktor Toma dhe e shoqja Silva kanë vendosur të lyejnë shtëpinë, pasi doktori nderohet me një medalje të lartë nga shteti hungarez për kontributin e tij në lëvizjen antikomuniste të vitit 1956. Historia nis këtu, për të treguar rrënjët e hershme, në një tjetër vend, e tjetër kohë.


“Vepra është e mbështetur mbi një histori të vërtetë familjare dhe ndërton një variacion dramatik mbi historinë e një studenti shqiptar të vitin 1956, në Budapest. Është një refleksion mbi këtë histori personale, parë pas gjysmë shekulli dhe njëkohësisht një refleksion mbi tranzicionin shqiptar dhe postkomunizmin, të cilën unë e kam si kryetemë të së gjithë veprës sime”, thotë Stefan Çapaliku, duke zbuluar para gazetarëve se bëhet fjalë për dajën e tij, i cili pasi u kthye nga studimet, pësoi një kalvar vuajtjesh. “20 vjet, 2 javë dhe 2 ditë” është shfaqja më e re në Qendrën Kulturore “Tirana” (Teatri Metropol).


Vepra e shkruar nga Stefan Çapaliku dhe e vënë në regjinë e tij do të ketë premierën në datën 6 nëntor 2015, salla “Çehov” ora 19:00. Me asistentë regjisorë Benada Mullaj e Erion Hinaj, në të interpretojnë Justina Aliaj, Gulielm Radoja, Marsias Lila, Pjerin Vlashi, Ergys Çekrezi, ndërsa skena dhe kostumet nga Ardian Isufi. Ngjarjet zhvillohen në shtëpinë e një çifti të moshuarish, ku konflikti dramatik është i mbështetur mbi raportet që krijohen mes tyre. Ata duan të ruajnë me fanatizëm traditën perëndimore me grupin e punëtorëve që hyjnë në shtëpinë e tyre dhe sjellin dhunën e rrugës dhe mentalitetin më të keq të saj.


“Në esencë ky është dhe konflikti i gjithë tranzicionit shqiptar, që përkthehet edhe si konflikt midis materializmit dhe idealizmit”, shton regjisori, i cili duke qenë edhe autor i veprës shton: “Parimi im ka qenë që regjia duhet të dalë mbi tekstin. Duhet ta përdor tekstin si pretekst për të bërë një vepër teatrore. Vepra ime në këtë rast nuk është me vepër letrare”. Çapaliku sqaron se shtëpia e doktor Tomës është Shqipëria e postkomunizmit me të gjitha problematikat e veta të trashëguara nga sistemi komunist. Në role janë: Toma (Gulielm Radoja) i zoti i shtëpisë, rreth të shtatëdhjetave; Silva (Justina Aliaj) e shoqja e Tomës, rreth të gjashtëdhjetave; Mikeli (Marsias Lila) bojaxhiu; Andrea (Pjerin Vlashi) muratori dhe Aleksi (Ergys Çekrezi), që është hidrauliku.

(m.k/GSH/BalkanWeb)