TIRANË– Në ambientet e Kryesisë së Kuvendit u zhvillua sot Konferenca e Kryetarëve të Komisioneve Parlamentare për Politikën e Jashtme të vendeve të Ballkanit Perëndimor (SEECP).

Konferenca u mbajt në kuadër të Presidencës shqiptare të SEECP dhe në vijim të takimit të frytshëm të mbajtur në Bukuresht gjatë presidencës rumune të SEECP.

Ky takim synon të jetë një mundësi për shkëmbimin e përvojave të vendeve të Ballkanit Perëndimor për procesin e integrimit dhe të kontribuojë në koordinimin e veprimtarive të përbashkëta që do të ndërmerren nga vendet e rajonit për çështjen e integrimit evropian në kuadër dhe të Konferencës së Berlinit, gusht 2014.

Meta: Forcimi i perspektivës europiane, rol kyç në thellimin e bashkëpunimit
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, tha sot se forcimi i perspektivës europiane për secilin vend të rajonit tonë është kyç për thellimin e bashkëpunimit mes tyre.
Në kuadër të presidencës shqiptare të kësaj organizate, sot në Tiranë janë mbledhur kryetarët e Komisioneve Parlamentare për Politikën e Jashtme të këtyre vendeve, të cilët po diskutojnë rreth shkëmbimit të përvojave të vendeve të rajonit tonë në procesin e integrimit.
Në fjalën e tij, kryetari Meta e vlerësoi takimin si një përpjekje për ta kthyer SEECP në një platformë bashkëpunimi të të gjitha vendeve të rajonit, në mbështetje të axhendës së përbashkët të integrimit në BE.
Kreu i Kuvendit theksoi se zhvillimet e fundit në hapësirën europiane, situata në Lindjen e Mesme, sfidat e përbashkëta në luftën kundër terrorizmit dhe kriza globale na detyrojnë ta shohim të ardhmen tonë me një shikim më të mprehtë.
“Pavarësisht, lodhjes së disa vendeve nga zgjerimi i BE, të cilin ne këtu vazhdojmë ta shohim si projektin politik dhe gjeostrategjik më të suksesshëm për garantimin e paqes e stabilitetit. Ne sot kemi më shumë arësye për të rritur ndjeshëm bashkëpunimin tonë rajonal”, u shpreh Meta, ndërsa shtoi se forcimi i perspektivës europiane për secilin vend të rajonit tonë është kyç për thellimin e bashkëpunimit.
“Koha e politikave të vjetëruara dhe nacionalizmave destruktive ka kaluar tashmë në Ballkan dhe sot është koha e qasjes pragmatike, duke shembut barrierat administrative dhe duke hapur rrugë t e zhvillimit ekonomik. Kjo, sipas tij, do të sjellë më shumë mundësi punësimi për qytetarët dhe më tepër stabilitet për gjithë rajonin, nënvizoi kryetari i Kuvendit.

Bushati: Rajonit ende i mungojnë disa elementë për t’u quajtur rajon i harmonizuar

Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, deklaroi sot se rajonit të Ballkanit Perëndimor ende i mungojnë disa elementë për t’u quajtur një rajon i mirëfilltë dhe i harmonizuar nga pikëpamja strategjike.
Në fjalën e tij në Konferencën e Kryetarëve të Komisioneve Parlamentare për Politikën e Jashtme të vendeve të Ballkanit Perëndimor (SEECP), ministri Bushati theksoi se, “Para pak javësh zhvilluam takimin e SEECP dhe për herë të parë në një ministerial të këtij niveli u miratua deklarata e përbashkët kundër ISIS. Ajo u cilësua si një mesazh i fortë dhe në kohën e duhur që vendet anëtare të SEECP dhanë kundër terrorizmit”.

“Rajonit tonë ende i mungojnë disa elementë për t’u quajtur një rajon i mirëfilltë dhe i harmonizuar nga pikëpamja strategjike. As në rrafshin ekonomik, as nga pikëpamja e sigurisë, rajoni nuk është i harmonizuar. Mjafton të shohim krizën në Ukrainë ku vetëm Shqipëria dhe Mali i Zi u bashkuan me nismën e BE. Nga ky këndvështrim rajoni i Ballkanit Perëndimor mbetet ende një çështje e pazgjidhur”, tha Bushati.

“Kemi bindje se tërheqja e vëmendjes dhe ineresit mbi rajonin tonë jo vetëm do të shmangë ngërçin e zgjerimit, por do të shërbejë dhe si nxitje për reformat e zgjerimit. Dinamizimi i procesit të zgjerimit do të sillte inkurajim për të forcuar fokusin e reformave”, u shpreh Ministri i Punëve të Jashtme.

“Vendet tona”, shtoi Bushati, “po bashkëpunojnë në kuadër të intensifikimit të projekteve të turizmit, energjisë dhe infrastrukturës. Me interes është dhe bashkëpunimi rinor që i jep dimension të ri perspektivës së vendeve tona”.

Gjosha: Shqipëria e vendosur për ë mos humbur kohë, Integrimi mbetet mundësia jonë e artë

Ndërsa ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha, u shpreh se, “BE ka pasur në themel bashkimin e vendeve dhe asnjëherë veçimin. Sot kemi të qartë se vendet e Ballkanit Perëndimor nuk e varfërojnë Europën, por e pasurojnë atë”.

“Duhet të kapërcejmë sfida të mëdha duke e pasur procesin e integrimit si urën më të rëndësishme të bashkëpunimt. Ky proces i rëndësishëm bazohet në meritën e secilit nga vendet tona. Bashkëpunimi në fusha të caktuara do të na mundësojë në zhvillime më të mëdha të vendeve tona, veçanërisht në fusha prioritare”, tha ministrja Gjosha.

Sot, theksoi Gjosha, “në emër të integrimit, Ballkani Perëdimor është në paqe të plotë. Shqipëria sot po bashkëpunon ngushtë me vendet fqinje, për të pasur projekte infrastrukturore. Duhe të bashkëpunojmë në hapjen e tregeve tona, për t’i bërë të konkurrueshme me BE. Duhet punuar për një plan strategjik koherent për forcat e punës, që të konkurojë në tregun europian”.

Ministrja Gjosha theksoi se, “Shqipëria ka pak muaj që ka marrë statusin dhe është e bindur për të mos humbur kohë. Integrimi mbetet mundësia jonë e artë. Shqiparët sot si mbështetës të anëtarësimit në BE, janë të vendosur të ndjekin rrugën e reformave”.

Konferenca e Kryetarëve të Komisioneve Parlamentare për Politikën e Jashtme të vendeve të Ballkanit Perëndimor (SEECP) mbahet në kuadër të Presidencës shqiptare të SEECP dhe në vijim të takimit të frytshëm të mbajtur në Bukuresht gjatë presidencës rumune të SEECP. Ky takim synon të jetë një mundësi për shkëmbimin e përvojave të vendeve të Ballkanit Perëndimor për procesin e integrimit dhe të kontribuojë në koordinimin e veprimtarive të përbashkëta që do të ndërmerren nga vendet e rajonit për çështjen e integrimit evropian në kuadër dhe të Konferencës së Berlinit, gusht 2014.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: