Shqipëria ka gati planin kombëtar për përshtatje ndaj ndryshimeve klimatike (NAP), duke përmbushur kështu një prej angazhimeve të saj ndaj Bashkimit Europian dhe Konventës Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike. Prezantimi i dokumentit strategjik “Plani Kombëtar i Përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike (NAP)” u prezantua gjatë Asamblesë së NAP-it, shënon edhe fundin e procesit së përgatitjes së këtij dokumenti.

Asambleja sjell së bashku aktorët kryesorë në vend që të diskutojnë mbi hapat e mëtejshëm që nevojiten për jetësimin e këtij plani, për të cilin u angazhuan eskpertët më të mirë vendas dhe të huaj me mbështetjen e vazhdueshme të Bashkëpunimit Gjerman në Shqipëri, GIZ. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Ministri i Mjedisit, z. Lefter Koka, përfaqësues të lartë të qeverisë shqiptare, përfaqësues të lartë GIZ dhe USAID në Shqipëri si dhe përfaqësues ndërkombëtarë nga Filipinet dhe Grenada– të cilët marrin pjesë edhe në Rrjetin Global të NAP– që i janë bashkuar Asamblesë për të ndarë përvojat e tyre me vendosjen në veprim të planit kombëtar për përshtatje.

Ministri i Mjedisit Lefter Koka vlerësoi maksimalisht angazhimin e gjithë aktorëve në këtë proces. Organizimi në Shqipëri i Asamblesë NAP për herë të parë, si dhe pjesëmarrja e aktorëve ndërkombëtare dhe donatorëve në këtë Asamble u konsiderua nga ai si tregues i angazhimit serioz që ka marrë qeveria shqiptare në procesin e ndryshimeve klimatike.

“Është e qartë, se kostot e mosveprimit janë shumë më të larta se ato të mbrojtjes prej ndikimeve të klimës. Përmes këtij dokumenti ne sjellim vëmendjen politike dhe institucionale në parapërgatitjen dhe përshtatjen ndaj ndryshimeve të klimës për të menaxhuar pasojat e pashmangshme tё saj. Plani Kombёtar i Përshtatjes, paraqet një rrugëtim të gjatë dhe punë intensive, e cila kёrkon angazhimin shumё aktorёve, për të arritur minimizimin e dëmeve tё shkaktuara nga kёto dukuri që kanë pasoja të konsiderueshme sociale dhe financiare në vendin tonë, siҫ është demonstruar qartazi këto vitet e fundit”:- tha Lefter Koka Ministër i Mjedisit. Në vijim të fjalës së tij Ministri Koka theksoi: – “Asambleja e NAP-it është një mundësi për aktorët kryesor në Shqipëri, duke konsideruar në këtë proces si kyç edhe donatorët dypalësh dhe shumëpalësh, për të biseduar mbi hapat e radhës që duhen marrë për ta vënë në veprim planin kombëtar.”

Plani Kombëtar i Përshtatjes (NAP) është rezultat i punës intensive dy-vjeçare dhe mundësi për të identifikuar nevojat prioritare kombëtare për përshtatje ndaj ndryshimeve klimatike. Ky dokument synon të minimizojë dëmet me pasoja sociale e ekonomike të ardhura si rezultat i ndryshimeve klimatike. Shqipëria pati mundësi të prezantojë procesin e NAP-it edhe në Takimin e Palëve (COP21) në Paris gjatë Dhjetor 2015 si dhe të firmoste.

Shqipëria është shteti i parë, që me mbështetjen e Rrjetit Global të NAP organizon një Asamble NAP, e cila synon të nxisë mbështetjen vendore për procesin e përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike; të garantojë që përdorimi I mbështetjes për zhvillim në jetësimin e planit do të diktohet nga prioritetet e identifikuara gjatë procesit; si dhe të nxisë koordinimin e ndihmës për zhvillim në nivel kombëtar. Qeveria Federale Gjermane ka mbështetur vazhdimisht Ministrinë e Mjedisit në këtë proçes që prej vitit 2010 nëpërmjet GIZ me projektin “Përshtatja ndaj Ndryshimeve Klimatike në Ballkanin Perëndimor”.

“GIZ ndihet i privilegjuar që është i lidhur ngushtë me një proces të tillë mbresëlënës dhe përfshirës”: – tha Hermann Plumm, GIZ. “Ne jemi të përkushtuar që të vijojmë me përkrahjen tonë për Shqipërinë në forcimin e kapaciteteve në nivel kombëtar dhe lokal . Objektiv i veçantë në bashkëpunimin tonë është formulimi i një strategjie të financimit për zbatimin NAP. Sfidat e mëdha përpara kërkojnë mbledhjen e fondeve të gjera dhe mbështetje nga të gjitha anët. Së bashku me partnerët tanë shqiptarë ne po shohim përpara për të koordinuar përpjekjet tona me agjencitë e tjera dypalëshe ose shumëpalëshe nëpërmjet kësaj Asambleje të NAP-it.”: – vijoi ai.

“Duke marrë pjesë në Rrjetin Global të NAP, SH.B.A-të janë të kënaqura të përfshihen më shumë në mbështetjen e Shqipërisë gjatë proçesit të NAP,”: – tha Alken Myftiu, USAID Shqipëri. “Ne jemi të sigurt që Asambleja e NAP do të mbështesë hapat e ardhshëm konkret për adaptimin ndaj ndryshimit klimatik dhe mezi presim që të ndajmë, përmes Rrjetit, mësimet që Shqipëria ka marrë gjatë procesit me miqtë ndërkombëtarë që po punojnë mbi proceset NAP të vendeve të tyre.”: – vijoi ai.

Përfaqësues të qeverisë shqiptare kanë shkëmbyer informacione, eksperienca dhe sfidat e procesit të NAP edhe në takime ndërkombëtare. Asambleja u organizua nga Ministria Shqiptare e Mjedisit, Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, dhe Rrjeti Global NAP 1, i financuar nga SH.B.A. dhe Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ).
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: