TIRANE

Shqipëria ka bërë përparim të ndjeshëm në forcimin e integritetit dhe luftën kundër korrupsionit, duke adresuar mbi 75% të rekomandimeve të GRECO-s (Grupi i Shteteve Kundër Korrupsionit), një organ i Këshillit të Evropës (KiE).

Raporti i Raundit të Pestë të Vlerësimit të GRECO-s, i miratuar më 19 mars 2025 në seancën plenare në Strasburg, analizoi “Parandalimin e korrupsionit dhe promovimin e integritetit në qeverisjen qendrore dhe institucionet e zbatimit të ligjit”.

Shqipëria është vlerësuar pozitivisht nga Presidenti i GRECO-s, Z. David Meyer, për rezultatet e saj të arritura në këtë fushë.
Nga 24 rekomandimet e dhëna, 18 janë realizuar plotësisht, disa janë zbatuar pjesërisht, ndërsa vetëm një mbetet ende për t’u zbatuar.

“Kësaj lenteje shumë rigoroze i nënshtrohen të gjithë shtetet dhe nga një vështrim krahasimor konstatohet lehtësisht se edhe shtete me një trashëgimi institucionale shumë më solide se Shqipëria hasin vështirësi të konsiderueshme në zbatimin e rekomandimeve të GRECO.
I kemi dhënë këtij procesi vëmendjen e duhur, pasi më shumë sesa një moment i shkëputur në kohë për t’iu gëzuar përmbylljes së suksesshme të një raundi, kjo është një dëshmi e qartë dhe e pakundërshtueshme e përpjekjeve tona të vazhdueshme për të përmirësuar standardet e llogaridhënies në të gjitha nivelet e qeverisjes publike. Integriteti nuk është një pikëmbërritje fundore, por një standard për t’u riafirmuar çdo ditë. Po, kemi sfiduar skepticizmin dhe kemi dëshmuar se Shqipëria mund dhe do të bëjë hapa të pakthyeshëm drejt integritetit dhe shtetit të së drejtës. Ky progres është një angazhim i shtuar që na detyron të punojmë edhe më fort,” tha ministrja Pirdeni.

Për çfarë jemi vlerësuar pozitivisht, në terma konkretë?
Pas pilotimit në vitin 2020 vetëm në Ministrinë e Drejtësisë, mekanizmi i Planeve të dedikuara të Integritetit është shtrirë tashmë në 11 ministri dhe 6 Ministra shteti, të cilët raportojnë çdo 6 muaj për zbatimin e tij.
GRECO ka vlerësuar gjithashtu sistemin tërësisht funksional dhe transparent të deklarimit të pasurive të zyrtarëve, si dhe rritjen e efektivitetit në verifikimin e deklaratave të pasurisë dhe interesave private nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit. Sa i përket agjencive ligjzbatuese, miratimi i Ligjit të ri për Policinë e Shtetit ka shënuar një progres esencial për adresimin e disa prej rekomandimeve të GRECO-s.
Miratimi i Ligjit të ri “Për Policinë e Shtetit” në korrik 2024, shënon një hap të rëndësishëm në përmbushjen e rekomandimeve kyçe të GRECO-s, të cilat forcojnë angazhimin për një polici me standarde evropiane, e aftë t’u përgjigjet me profesionalizëm sfidave aktuale të sigurisë dhe rendit publik.
Raporti vlerëson arritjen e Shqipërisë në përmbushjen e rekomandimit për qëndrueshmërinë e drejtuesve të Policisë së Shtetit, të cilët kanë mbajtur detyrën për një periudhë të gjatë, pavarësisht ndryshimeve politike në vend.
Është mundësuar një proces rekrutimi i hapur dhe konkurrues për pozicionet drejtuese, përfshirë Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, i cili është emëruar në përputhje me procedurat e reja të përcaktuara në ligjin e ri”, thuhet në raport.
GRECO vlerëson se rekomandimi për procesin e vlerësimit kalimtar të punonjësve të Policisë së Shtetit është plotësuar, duke përfshirë kontrolle të rregullta të integritetit gjatë ngritjes në detyrë.
Një avancim pozitiv është zbatimi i ligjit për sinjalizuesit dhe krijimi i mekanizmave për funksionimin e tyre në Policinë e Shtetit. Rreth 8780 punonjës policie janë trajnuar për sinjalizimin.
Sakaq është përmbushur rekomandimi për kufizimet pas largimit nga detyra të punonjësve të Policisë së Shtetit, të cilët kanë detyrim të raportojnë si dhe vlerësohet rregullimi i shërbimeve shtesë me pagesë nga Policia e Shtetit.
Raporti vlerëson gjithashtu funksionimin e këshilluesve konfidencial për integritetin në Policinë e Shtetit, 91 të tillë janë në të gjithë Shqipërinë.
Raporti vlerëson forcimin e integritetit në strukturat policore përmes trajnimeve sistematike mbi etikën dhe sjelljen profesionale.
Në kuadër të transparencës është krijuar një regjistër i posaçëm në Policinë e Shtetit për donacionet, dhuratat dhe sponsorizimet, duke u bërë publik në internet për të garantuar llogaridhënie të plotë, një tjetër rekomandim në kuadër të transparencës që konsiderohet i zbatuar në raport.
Raporti citon se Shqipëria e përmbyll këtë raund vlerësimi dhe nuk ka nevojë të raportojë më në GRECO, por mund të dërgojë përditësime në GRECO për ecurinë e zbatimit të rekomandimeve.
Zbatimi i rekomandimeve të GRECO-s, është një hap i rëndësishëm për Shqipërinë dhe përmbyllja e këtij raundi vlerësimi shton një tjetër detyrë shtëpie të kryer në kuadër të procesit të negociatave.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: