Rritja historike e çmimeve të ushqimeve pas luftës në Ukrainë ka kthyer vëmendjen nga sektori i bujqësisë në të gjithë botën.

Institucionet financiare ndërkombëtare po vënë në dukje faktin se sektori i bujqësisë dhe prodhimi i ushqimit do të jetë amortizator i fortë i zbutjes së inflacionit sidomos në Ballkanin Perëndimor.

Banka Botërore në raportin e rregullt ekonomik të këtyre ditëve për Ballkanin Perëndimor vuri në dukje se kriza e krijuar i përkeqësoi stimujt për fermerët, të cilët janë baza e sigurisë afatgjatë për prodhimin e ushqimit.

Në një analizë krahasuese, e cila ilustrohet ne grafikun e mëposhtëm, BB referoi se, Shqipëria kishte mbështetjen më të ulët për fermerët, me vetëm 0.3 për qind të PBB-së më e ulëta në Rajon.

Të gjitha qeveritë në Ballkan gjatë krizës së çmimeve vitin e fundit u përqendruan në uljen e inflacionit për të gjithë konsumatorët përmes kontrollit të çmimeve të ushqimeve. Mali i Zi aplikoi ulje të taksave, Maqedonia e Veriut, ulje të taksave dhe kufizim të eksportit, Serbia reduktim të tarifave të eksportit, ndërsa Shqipëria synon kontroll të çmimeve me borde qeveritare.

Bujqesia 1
Bujqesia 1

Shumica e masave në Rajon synuan mbështetjen ndaj të varfërve, ndërkohë që qeveritë përkeqësuan stimujt afatgjatë për fermerët, duke ulur kështu potencialin e rritjes së bujqësisë dhe duke ndikuar në rritjen afatgjatë të çmimeve të ushqimeve.

Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova ofruan fonde shtesë të konsiderueshme për fermerët, mesatarisht 0.33 për qind të PBB-së.

Mbështetja për fermerët në Shqipëri dhe Mal të Zi ishte më e vogël. Në Maqedoninë e Veriut dhe Serbi, fermerët nuk morën mbështetje shtesë, kryesisht për shkak se ata tashmë ishin mbështetur mirë përmes programeve të rregullta buxhetore.

Mbështetja e sektorit bujqësor si pjesë e PBB-së në Ballkanin Perëndimor (0.3 deri në 1.3 për qind) është përgjithësisht më e lartë se ajo në BE (0.4 për qind), ndërsa fermerët në shumicën e vendeve, përveç Shqipërisë, marrin mbështetje të krahasueshme si BE edhe në vite te zakonshme.

Çmimet globale dhe lokale të ushqimeve parashikohen të qëndrojnë të larta edhe gjatë 2023 dhe 2024. Edhe pse indeksi i Çmimeve të Ushqimit të Bankës Botërore ra me 12 për qind në tremujorin e tretë të 2022 pasi arriti një nivel të lartë historik në prill 2022, ai mbetet pothuajse 20 për qind më i lartë se një vit më parë, e cila është e lartë për standardet historike.

Lufta, ndryshimet klimatike dhe kostoja e inputeve mund t’i mbajnë çmimet e ushqimeve të larta në vijimësi. Vazhdimi i luftës në Ukrainë mund të krijojë një hendek eksporti prej 35 milionë tonësh drithëra dhe fara vajore në vitin e marketingut, teksa fenomeni i motit “El Nino” mund të shkaktojë thatësira në Azinë Jugore dhe Juglindore dhe Afrikë.

Ndaj mbështetja e prodhimit bujqësor shihet si siguria më e lartë për t’i ballë sfidave në furnizimin e rregullt dhe me kosto të përballueshme të ushqimit. /Monitor/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb