TIRANË– Fitore të sportit mbi politikën dhe urrejtjen e cilësoi kreu i Kuvendit Ilir Meta vendimin e CAS për ti dhënë 3 pikë Shqipërisë në ndeshjen me Serbinë. Meta theksoi se ky vendim ‘na lehtëson nga dhimbja që shkakton padrejtësia, e vetmja gjë që shkakton edhe politika dhe urrejtja kur ndërhyn në sport’.

“Sigurisht që sot dukej sikur do të ishte një ditë rutinë, besoj se edhe shumë prej jush kanë patur atë ndjesinë që edhe unë pata, sikur papritur ishim në stadium dhe pamë të tundet rrjeta si përpara 30 vitesh kur Sokol Kushta ngriti gjithë shqiptarët kudo që ishin në këmbë nga kënaqësia. Dhe padyshim që ky vendim jo vetëm që na jep një gëzim të jashtëzakonshëm, por në radhë të parë na lehtëson nga dhimbja që shkakton padrejtësia, e vetmja gjë që shkakton edhe politika dhe urrejtja kur ndërhyn në sport, ndërhyn në futboll, ndërhyn në fushën e futbollit, ashtu sikurse ndodhi në ndeshjen në Beograd të Kombëtares sonë”, tha kryetari i Kuvendit.

Meta tha se e ka përjetuar me shqetësim dhunën ndaj futbollistëve të Kombëtares sonë dhe ka falënderuar trajnerin De Biazi dhe FSHF-në për betejën e fituar.

“Sigurisht me këtë rast unë do të doja të uroja gjithë ekipin tonë Kombëtar. Presidentit të FSHF-së, Duka ia kam bërë këtë urim më parë. Dua të uroj gjithë shqiptarët kudo ku janë, sepse të gjithë ndihen të lumtur, të lehtësuar, të gëzuar, jo thjesht për tre pikët, por në radhë të parë për vendosjen e drejtësisë për triumfin e sportit mbi politikën dhe urrejtjen që ajo shpesh përçon në vendet tona dhe në rajonin tonë. Dhe natyrisht që do të doja të uroja në mënyrë të veçantë familjarët e futbollistëve tanë, E kam përjetuar me shqetësim e dhimbje dhunën ndaj tyre. Jam i bindur që familjarët e tyre e kanë përjetuar edhe më shumë. Falënderoj trajnerin tonë shqiptar-italianin De Biazi, i cili besoj ndihet edhe më shqiptar pas 3 pikëve. Një falënderim për FSHF, të cilën një pjesë e jona edhe mund ta kenë paragjykuar që me shumë qetësi, me këmbëngulje, me profesionalizëm, nuk e humbi asnjëherë besimin tek drejtësia pavarësisht vendimit të mëparshëm dhe arriti të çonte provat e duhura për të dhënë një shembull të shkëlqyer që fiton drejtësia në futboll”, tha kreu i Kuvendit.

(a.n/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: