HUNGARI- Pas Austrisë edhe Hungaria jep mbështetjen e saj pro integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Kur kanë kaluar 2 javë nga marrja e rekomandimit nga ana e KE, Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha ka vijuar me takimet e saj me homologë dhe zyrtarë të qeverive të vendeve të BE-së, për të siguruar mbështetjen për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë.

Së fundmi, Gjosha po zhvillon një vizitë zyrtare në Hungari e ftuar nga Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë në Hungari, Péter Szijjártó.

Në krye të takimit, Ministrja e Integrimit falënderoi z. Szijjártó në emër të qeverisë shqiptare, për pritjen dhe mbështetjen që Hungaria i jep Shqipërisë, veçanërisht me procesin e integrimit.

Pas takimit, Ministrja Gjosha dhe Ministri Szijjártó mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp, ku Ministrja Gjosha vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira dhe bashkëpunimin mes 2 vendeve.

Gjosha e vuri theksin te intensifikimi i bashkëpunimit në fusha si menaxhimi i ujërave, mjedisi dhe industria ushqimore, ku Hungaria ka eksperiencë të madhe.

Duke theksuar se numri i turistëve hungarezë në Shqipëri ka ardhur në rritje vitet e fundit, Ministrja u shpreh se turizmi është një tjetër fushë me potencial ku mund të thellohet bashkëpunimi mes vendeve.

Duke paraqitur momentin e rëndësishëm të Shqipërisë në rrugëtimin e saj europian dhe marrjen e një rekomandimi pozitiv për çeljen e negociatave nga Komisioni Europian, Ministrja Gjosha theksoi se mbështetja e vendeve mike si Hungaria, ka vlerë jashtëzakonisht të madhe.

“Shqipëria nuk mund të përmbushë e vetme, aspiratën e saj për të qenë anëtare e Bashkimit Europian me të drejta të plota, pa ndihmën e vendeve mike. Për ne dhe gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor, procesi i integrimit është një rrugë pa kthim pas. Ky proces i shërben vendeve tona, por i shërben gjithashtu vetë Europës, e cila e bashkuar mund të kapërcejë sfidat e vështira që ka përpara”, tha Ministrja Gjosha.

Ministrja e Integrimit Europian, theksoi se përmes zbatimit të reformës në drejtësi, duke nisur nga rivlerësimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve, do të rikthehet besimi i qytetarëve shqiptarë tek sistemi i drejtësisë.

“Vetëm kështu do kemi një besim edhe më të madh nga partnerët tanë europianë, duke thithur më shumë investime të huaja, që do të ndihmojnë zhvillimin e Shqipërisë”, tha Ministrja Gjosha.
Ministri Szijjártó, konfirmoi se Hungaria do të vijojë të mbështesë Shqipërinë me procesin e integrimit. Ministri i Jashtëm hungarez, gjithashtu vlerësoi progresin e bërë nga Shqipëria me reformat e ndërmarra vitet e fundit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb