TIRANË

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj njoftoi sot se Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë ka marrë vendim për hapjen e misionit të Posaçëm të Republikës së Shqipërisë në Kiev të Ukrainës.

Krahas kësaj, kryeministria ka publikuar detaje shtesë në lidhje me mënyrën se si do të funksionojë ky këshill si dhe  për aftësitë e personave që do jenë pjesë e tij.

Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, ky mision do të ndjekë zhvillimet politike në vend dhe do të “pasqyrojë aktivitetin e grupit tripalësh të Kontaktit të OSBE-së për Ukrainën, në kuadër të marrjes së kryesisë së radhës së OSBE-së nga Shqipëria për vitin 2020, deri në mbarimin e kryesisë së radhës së OSBE-s nga Shqipëria”.

VKM-ja e plotë:

V E N D I M PËR HAPJEN E MISIONIT TË POSAÇËM TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË KIEV, UKRAINË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 22, të ligjit nr.23/2015, “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit dhe ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Hapjen e Misionit të Posaçëm të Republikës së Shqipërisë në Kiev, Ukrainë.

2. Misioni i Posaçëm në Kiev, Ukrainë, do të ndjekë zhvillimet politike në vend dhe do të pasqyrojë aktivitetin e grupit tripalësh të Kontaktit të OSBE-së për Ukrainën, në kuadër të marrjes së kryesisë së radhës së OSBE-së nga Shqipëria për vitin 2020, deri në mbarimin e kryesisë së radhës së OSBE-s nga Shqipëria.

3. Misioni i Posaçëm do të drejtohet nga një diplomat karriere, me gradën diplomatike “Ministër Këshilltar”, i cili do të qëndrojë në këtë detyrë deri në mbarimin e misionit të posaçëm.

4. Shpenzimet për hapjen e këtij misioni të përballohen nga buxheti i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, miratuar për vitin 2019.

5. Ngarkohet Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb