Rrjeti ndërkombëtar televiziv rus “Russia Today” i ka bërë një pasqyrë të gjerë situatës aktuale politike në Shqipëri. RT ndalet tek sulmi me bojë që deputeti i PD, Edi Paloka bëri ndaj kryeministrit Rama në Parlament. Sipas medias ruse vendi është përfshirë në protesta, të cilat çuan madje deri në njollat e bojës mbi fytyrën e kryeministrit.

Televizioni rus ka komentuar protestat e fundit në Tiranë, për të cilat spikeri tha: “Shqipëria në flakë”, ndërsa përmendi edhe djegien e mandateve të deputetëve të opozitës, duke shtruar pyetjen: çfarë po ndodh?

Gjatë ditës së protestave, gazetari i televizionit rus ka mundur të shkëpusë edhe një deklaratë nga kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, i cili thotë se qeveria është e kapur nga krimi.
“Parlamenti nuk është produkt i votave të popullit, por sikurse është bërë e ditur edhe nga përgjimet e dala nga dosja e prokurorisë të publikuara nga një media ndërkombëtare krimi i organizuar bashkëpunon hapur me qeverinë aktuale.” shprehet Basha.

Sipas televizionit rus akuzat me të cilat përballen autoritetet shqiptare nuk janë shaka. Gazetari shprehet se shumë njerëz në Shqipëri janë të sigurtë se qeveria punon krah për krah me bosat e drogës. Ai përmend faktin që disa deputetë të parlamentit shqiptar kanë përdorur influencën e bandave për të blerë vota.

Ndërkohë Partia Demokratike nëpërmjet një njoftimi deklaron se disa media kanë keqinformuar opinionin publik, sikur Kryetari i PD Lulzim Basha ka dhënë intervistë për Russia Today. Sipas PD, kjo është e pavërtetë. Në njoftim thuhet se  kryetari Basha është intervistuar nga Associated Press dhe jo nga Russia Today.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb