Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.4 të shkallës Rihter ka goditur vendin mëngjesin e sotëm, ku pasojat deri më tani janë katastrofale. 24 persona janë nxjerrë të pajetë nga rrënojat në Durrës, Thumanë e Kurbin, ndërsa ekipet e shpëtimit nga Shqipëria dhe shumë vende të rajonit, por edhe Evropës, vijojnë kërkimet për nxjerrjen e të tjerë personave.

Ndërkohë, nga bilanci i Ministrisë së Mbrojtjes deri në orën 18:30 thuhej se janë shpëtuar 45 persona, ndërsa janë plagosur mbi 650 të tjerë, të cilët kanë marrë ose vazhdojnë të marrin trajnim nëpër spitalet e vendit.

Në orët e mbrëmjes janë nxjerrë disa trupa të pajetë nga rrënojat, ku rasti më i fundit është i një të riu në Thumanë. Pak orë më parë ndërroi jetë në spital edhe 30-vjeçarja Diana Meçe, pasi u nxor e gjallë nga rrënojat në Durrës, ku gjatë ditës kishte humbur edhe të bijën 8-vjeçe.

Po gjatë mbrëmjes, ekipet e kërkim-shpëtimit kanë nxjerrë një tjetër trup të pajetë nga rrënojat në Durrës, ku pasojat janë katastrofale dhe pamjet e rrënimit dramatike. Ndërkohë që pak më parë nga rrënojat në Thumanë janë nxjerrë trupat e pajetë të dy familjarëve, nënë e bir.

Në orët e pasdites nga rrënojat e hotel Tropikal në Durrës është nxjerrë i pajetë një 29-vjeçar nga Kosova, ndërsa pak më parë u gjet i pajetë edhe trupi i vëllait të tij.

Në raportin e MM, thuhej se nën rrënoja ka ende njerëz dhe se vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit. Epiqendra e tërmetit ishte në afërsi të qytetit të Durrësit dhe 32 kilometra nga Tirana, ndërkohë që dëmet më të mëdha janë shkaktuar në qytetin bregdetar, Thumanë dhe Kurbin.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

MINUTË PAS MINUTE

Tragjike nga Thumana, vdes i riu pas 17 orësh nën beton

Gazetari Erjon Skëndaj tha në një lidhje live në emisionin “Real Story”, në News24, se kishte shumë shpresë që i riu të nxirrej i gjallë nga rrënojat, pasi ishte mbajtur prej orësh me pompën e oksigjenit. Por, i riu me mbiemrin Çuka ka ndërruar jetë, pasi një copë betoni i kishte zënë pjesën e gjymtyrëve prej 17 orësh.

I riu ka luftuar deri në momentet e fundit, pasi ka komunikuar me ekipet shpëtuese, duke iu thënë se nuk i ndjente pjesët e poshtme të gjymtyrëve, por pak më parë ai ka mbyllur sytë përgjithmonë.

U shpëtua pas 14 orësh nën rrënoja, vdes 30-vjeçarja në spital

Pak orë pasi u shpëtua nga forcat speciale RENEA 30-vjeçarja Diana Meçe ka ndërruar jetë në spital, duke shkuar pranë të bijës 8-vjeçare, e cila u nxor e pajetë sot gjatë ditës.

Nxirren të pajetë nga rrënojat në Thumanë nënë e bir

Ky është momenti kur nga rrënojat në Thumanë nxirret dy trupa të tjerë të pajetë, që i përkasin të njëjtës familje, përkatësisht nënë e bir.

Momenti kur shfaqet nën rrënojat e hotel Tropikal vetëm dora e kosovarit, trupi i të cilit është nxjerrë i pajetë.

Momentet kur shembet plotësisht banesa e familjes Lala në zonën e Kënetës

Këto janë momentet kur banesa 4 katëshe e familjes Lala në zonën e Kënetës shembet plotësisht duke zënë nën të disa prej anëtarëve. Fillimisht banesa u shemb pjesërisht dhe ngeli e anuar dhe më pas u shemb plotësisht. Tre persona janë nxjerrë të vdekur nga rrënojat deri tani, ndërsa një i ri u nxor i gjallë.

NXIRRET E GJALLË NGA RRËNOJAT NJË GRUA NË DURRËS
Ora13:12-
Një grua është nxjerrë e gjallë nga rrënojat e një pallati në Durrës. Bëhet fjalë për pallatin, dy katet e të cilit, janë ‘zhytur’ në tokë. Fatmirësisht dy persona të tjerë kanë dhënë shenja jete në këtë pallat, ku aktualisht operacionet për kërkim shpëtimin e tyre vijojnë.

NXIRRET DHE NJË PERSON I GJALLË NGA RRËNOJAT NË THUMANË
Ora: 12:56-Një tjetër person i gjallë është nxjerrë nga rrënojat në Thumanë. Janë disa objekte të shembura në Thumanë dhe disa persona janë gjetur të pajetë por ka edhe lajme të mira që mbushin me shpresë forcat e shpëtimit dhe banorët për të vijuar kërkimet.
Së fundi një burrë rreth të 40-ave është nxjerrë i gjallë nga rrënojat. Ky moment erdhi ‘live’ në News24, ndërsa gazetari Erjon Skëndaj raportoi se personi i mbijetuar ishte me veshje gjumi

HUMB JETËN EFEKTIVI I POLICISË
ORA 12:10-
Efektivi i policisë Bajram Hajdarmataj, pedagog në Akademinë e Rendit që ndodhej në ndërtesën brenda kavalishencës është gjetur i pajetë. Deri më tani nuk dihen rrethanat e ngjarjes në fjalë, ndërsa polici ka qenë i shoqëruar nga familja apo jo.

I RIU NXIRRET I GJALLA NGA RRËNOJAT E NJË HOTELI NË DURRËS

Ora:12:09-
Një i ri është nxjerrë gjallë nga rrënojat e hotelit Vila Palma në Durrës. Orët e ankthit dhe kërkimet në terren kanë pasur një fund të lumtur për të riut, i cili është pritur me duartrokitje dhe përqafime nga familjarët dhe miqtë e tij.

TRE PERSONA NXIRREN TË PAJETË NGA RRENOJAT NE THUMANE, MES TYRE 1 FËMIJË
Ora12:00-Tre trupa të pajetë janë nxjerrë nga rrënojat e një prej pallateve të shembura në Thumanë. Nga raportimet e gazetarit Erjon Skëndaj për ‘News24’ shihej se si u nxorën dy persona të rritur nga gërmadha por edhe një fëmijë.

KRYEFAMILJARI NXIRRET I GJALLË NGA RRËNOJAT E PALLATIT NË THUMANË, NUK MBIJETON GRUAJA
Ora: 11:15-
Një lajm i mirë vjen nga Thumana, fshati që u godit rëndë nga tërmeti 6.3 ballë. Gazetari Erjon Skëndaj raporton live për ‘News24’ nga vendi i ngjarjes se një 50-vjeçar është nxjerrë i gjallë nga rrënojat. Mësohet se fatin e tij të mirë se ka pasur gruaja, e cila thuhet se ka ndërruar jetë dhe aktualisht ndodhet nën rrënoja.

GAZETARJA RRËFEN MES LOTËSH NË TRANSMETIM DIREKT: VININ ZËRA PËR NDIHMË NGA SHTËPIA E SHEMBUR
Ora: 10:58-
Detaje tragjike dalin në dritë nga vila 4 katëshe ku ishin ‘të ngujuar’ 7 anëtarë të një familje. Ndonëse nga vila e shkatërruar vinin thirrje për ndihmë nga një djalë, ajo u rrëzua totalisht. Gazetarja Klodiana Lala në një lidhje direkte nga banesa në zonën e Kënetës, bëri publike një dëshmi rrëqethëse që vinte nga vila e tmerrit.

Gjatë një bashkëbisedimi me një të afërm të familjes me origjinë nga Dibra, djali 17-vjeçar kishte kërkuar ujë. Pasi i kishin dhënë ujë, forcat e ndërhyrjes në terren kishin tentuar t’i ofroheshin për ndihmë djalit, por fatkeqësisht banesa u shemb totalisht.

MINISTRIA E MBROJTJES JEP BILANCIN: JA SA PERSONA KANË HUMBUR JETËN
Ora: 10:30-
Kur kanë kaluar disa orë nga tërmeti i fuqishëm 6.3 ballë, Ministria e Mbrojtjes ka bërë një bilanc paraprak për ngjarjen në fjalë. Në një deklaratë për mediat Ministrja Olta Xhaçka tha se zyrtarisht janë konfirmuar 8 persona që kanë humbur jetën, ndërkohë burime nga terreni flasin për 10 të vdekur.

Po ashtu mësohet se 135 persona rezultojnë të lënduar dhe 12 shtrime të konfirmuara në spitalin e Durrësit, ndërkohë 60 të shtruar në QSUT, por rastet janë duke u shtuar.

SHEMBET VILA 3-KATËSHE NË DURRËS, MISTER FATI I 7 ANËTARËVE TË NJË FAMILJE
Ora:09:34-Ankth e tensione për një familje në lagjen nr.18 në Durrës. 7 anëtarë të një familje në këtë lagje, që banonin në një vilë 3 katëshe deri më tani rezultojnë të zhdukur, ndërkohë që vetëm anëtari i 8 ka mundur të dalë nga rrënojat.

Nga informacionet që përcjellë gazetarja Klodiana Lala bëhet e ditur se banesa është shkatërruar thuajse totalisht dhe kjo e bën të pamundur ndërhyrjen e forcave të emergjencave.

Ora: 09:18-SHPËTOHET NJË PERSON NË THUMANË, MOMENTI KUR NXIRRET NGA RRËNOJAT
Nxirret një person i gjallë nga rrënojat e një pallati të shembur në Thumanë. Momente gëzimi pas panikut dhe lëkundjeve të vazhdueshme të tërmetit. Bëhet fjalë për një burrë rreth të 40-ve. Pasi është nxjerrë nga forcat e shpëtimit dhe banorët të pranishmit kanë shpërthyer në duartrokitje.

22 PERSONA NXIRREN NGA RRËNOJAT NË DURRËS
Ora: 08:57-Tërmeti 6.3 ballë që shkundi sot Shqipërinë, ku epiqendra ishte 16 km nga Shijaku, ka shkaktuar dëme të mëdha në Thumanë dhe në Durrës, ku deri tani 7 persona konfirmohen se kanë ndërruar jetë. Demë të mëdha janë shënuar edhe në Tiranë, ndërkohë që dhjetra persona kanë mbetur të plagosur.

Burime nga policia bënë me dije nga ndërhyrja e forcave të emergjencave në terren, janë shpëtuar rreth 22 shtetas, të cilët kishin ngelur nën rrënoja. Ata u dërguan në spital për ndihmë mjekësore. Sakaq, rreth 1,900 forca policie janë të angazhuara në terren, për t’ju ardhur në ndihmë banorëve të prekur nga tërmeti.

Deri në këto momente u është dhënë ndihmë mbi 260 qytetarëve. Ministria e Mbrojtjes iu bën thirrje qytetarëve që për çdo ndihmë të telefonojnë në numrin falas 112!

NË PAK ORË 21 TËRMETE GODASIN SHQIPËRINË
08:35-
Vijon paniku në të gjithë Shqipërinë. Tërmeti i orës 3:55 ka nxjerrë në rrugë njerëzit, që i druhen lëkundjeve të tjera.

Ashtu si bëhet me dije që pas tërmetit me magnitudë 6.3 ballë vendi ynë është goditur edhe nga 21 tërmete të tjera.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Intensiteti i goditjeve ka qenë në zbritje, ku më i forti ishte ai i një ore më parë me magnitudë 5.4 ballë.
THELLOHET BILANCI I VIKTIMAVE, ZYRTARISHT 7 TË VDEKUR
Ora: 08:23- Thellohet bilanci i viktimave nga tërmeti që goditi vendin. Ministrja e Mbrojtjes konfirmon se7 persona kanë humbur jetën, ndërkohë që dyshohet se ka ende persona ende nën rrënoja.

Tragjik rezulton edhe fakti për një vogëlushe 10-vjeçare, e cila ka humbur jetën në banesën e saj në Thumanë, ndërkohë që nëna e saj ndodhet nën rrënoja e plagosur.

Ministria konfirmon se 1 viktimë është në Kurbin, 2 ne Thumanë e 3 në Durres.

KONFIRMOHEN ZYRTARISHT 4 VIKTIMA
Ora: 07:52 -Është konfirmuar zyrtarisht edhe viktima e 4. Ministria e Brendshme bën me dije se personi i 4 që humbi jetën nën rrënoja është në Durrës.

“FATKEQËSISHT KEMI JETË TË HUMBURA”, RAMA REAGON PAS TËRMETIT: MOMENT DRAMATIK
Ora: 07:27
– Një moment dramatik e ka konsideruar kryeministri Edi Rama, situatën pas tërmetit të fuqishëm që goditi vendin orët e para të mëngjesit të sotëm. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama shkruan se fatkeqësisht kemi jetë të humbura si pasojë e goditjeve.
“Eshtë një moment dramatik ku sidoqoftë duhet të ruajmë me çdo kusht qetësinë, të qëndrojmë pranë njëri-tjetrit e ta përballojmë këtë goditje SE BASHKU?Ne do të bëjmë gjithçka kemi në dorë dhe me miqtë e mëdhenj në krah do ta kalojmë edhe këtë situatë?#Kurajo #Durim #Solidaritet

MINISTRIA E MBROJTJES KONFIRMON: VIKTIMA E TRETË NË THUMANË, NJË GRUA
Ora: 07:11-
Një viktimë e tretë në Thumanë. Këtë e konfirmon Ministria e Mbrojtjes. Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka niset drejt Thumanës. Nderkohe shtabet e emergjencave ne Durres e Kruje po punojne per demet e deritanishme.

META VIZITON TË LËNDUARIT TE TRAUMA: E GJITHË SHQIPËRIA ËSHTË TRONDITUR SHUMË
Ora: 07:00-
Presidenti Ilir Meta vizitoi pak caste me parë personat e lënduar nga tërmeti në Spitalin e Traumës.
“Shpresojme te mos kete viktima te tjera per shkak te ketyre lekundjeve. E rendesishme eshte te evidentohen te gjitha banesat e demtuara dhe nese ka qytetare te cilet kane nevoje per ndihme te menjehershme.

NXIRRET NGA RRËNOJAT TRUPI I PAJETË I NJË PERSONI NË DURRËS
Ora: 06:54-
Një nga katër pjesëtarët është nxjerr i pajetë nga rrënojat e pallatit në Durrës.
Gazetarja Klodiana Lala raporton se personi është nxjerr i pajetë nga grupet e shpëtimit, ndërsa ka ende persona të bllokuar nën rrënoja.

I MBIJETUARI NGA TËRMETI: NËN GËRMADHË VAJZA, GRUAJA E MBESA
Ora 06:44-
Një prej të mbijetuarave të tërmetit, në Thumanë thotë nën rrënojë ka mbetur, gruaja vajza e mbesa e tij. I fashuar, si pasojë e dëmtimeve që ka marr në fytyrë pas lëkundjeve të forta të tërmetit, i moshuari thotë në ankth për fatin e familjarëve se ka mundur të komunikojë me mbesën e cila nën rrënoja bërtet e trembur e kërkon të atin, por nuk ka mundur të dëgjojë zërin e gruas së tij.

BANORI HIDHET NGA BANESA NË KURBIN, NDËRRON JETË
Ora-06:38
– Një banor në qytetin e Kurbinit ka humbur jetën. Dyshohet qytetari ka ndërruar jetë pasi është hedhur nga pallati si pasojë e panikut nga lëkundjet e forta të tërmetit.
“Sipas informacioneve te deritanishme, nje person ka humbur jetën ne Kurbin pasi eshte hedhur nga banesa per shkak te panikut”, bën të ditur ministria e Mbrojtjes në një deklaratë shpërndarë mediave.

PEZULLOHET MËSIMI NË SHKOLLA NË TIRANË E DURRËS
Ora 06:33
– Pas tërmetit të fortë që goditi vendin, Ministria e Arsimit ka pezulluar mësimin ditën e sotme në qarqet Tiranë dhe Durrësit. “Njoftim: Sot (26 nëntor 2019) nuk do mbahet mësim në qarqet Tiranë dhe Durrës. Për qarqet e tjera ju njoftojmë ne vijim.”, Shkruan ministrja Shahini në facebook.

MOMENTI KUR BANORËT NXIRREN NGA RRËNOJAT NË THUMANË, SHPËTOHEN DY FËMIJË
Ora 06:05-
Dëme të mëdha ka shkaktuar tërmeti i sotëm, I cili goditi vendin. Banorët kanë dalë jashtë banesave në panik si pasojë e lëkundjeve të forta. Në Thumane, një godinë është shembur ndërsa disa persona kanë mbetur të bllokuar nën rrënoja. Ky është moment kur nxirren disa prej tyre nga rrënojat, mes tyre edhe fëmijë.

DY GRA NË THUMANË HUMBIN JETËN
ORA 05:57-
Dy pallate raportohet të jenë dëmtuar në Thumanë si pasojë e lëkundjeve të forta të tërmetit të mëngjesit të sotëm. Nga videot e shpërndarë në rrjetet sociale, dyshohet se disa persona kanë mbetur të bllokuar, ndërsa punohet për nxjerrjen e tyre. Aktualisht ministria e Mbrojtjes konfirmon se në Thumanë dy persona kanë humbur jetën, pasi ishin zënë nga rrënojat (dy gra).
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb