Shqipëria humbet me Islandën në Rejkjavik me Edi Rejën që e nis me humbje aventurën e tij në krye të stolit kuqezi. Ishullorët kanë shënuar në momentin e vetëm kur mbrojtja e Shqipërisë është shfaqur e përgjumur, për ta mbrojtur më pas me fanatizëm epërsinë e çmuar deri në fund të përballjes.

Sfida nis më mirë për Shqipërinë, që i shkon pranë golit në minutën e katërt, kur Halldorson bën një pritje të shkëlqyer ndaj goditjes së rreptë të Elseis Hysajt. Më pas disa tentativa të kuqezinjve për të çarë mbrojtjen shtatlartë të ishullorëve, për të mbërritur në minutën e 22-të, kur Gudmundson driblon njëkohësisht tre mbrojtës për të dalë i vetëm përballë Berishës, duke e thyer gardianin e Atalantës në shtyllën e tij.

Islandaaa
Islandaaa

Më pas si Shqipëria ashtu dhe Islanda kanë mundësinë e shënimit, por Dermaku në të 28-ën dhe Arnason në të 30-ën i nxjerrin mbi tra tentativat e tyre. Pjesa e dytë do të nisë me Shqipërinë të hedhur përpara, por kuqezinjvë nuk janë aspak kreativë në sulmet që bëjnë dhe mungon dukshëm organizimi.

Në minutën e 47-të është Balaj ai që ka në këmbët e tij golin e barazimit, por shkodrani vonohet më shumë seç duhet në zonën e rreptësisë. Reja kërkon të freskojë mesfushën dhe nxjerr Bashën dhe Xhakën për Kaçen e Ndojn, por pavarësisht kësaj, korridore nuk po gjenden dhe as hedhja e Sadikut në të 79-ën nuk ndryshon gjë sa i takon mënyrës së lojës së Shqipërisë, e cila përpiqet më kot dhe rrëmujshëm për të shmangur një humbje, që erdhi pas vetëm një mundësie reale shënimi për vendësit.

Pas këtij rezultati, Shqipëria mbetet në kuotën e 3 pikëve pas tre ndeshjeve dhe minimozon edhe më shumë shanset për të shkuar në Europian, ndërsa Islanda shkon në 6 pikë dhe kthehet në një pretendente serioze.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb