Nga: ANA LALAJ *
Libri i studiuesit Andrew Wachtel “Ballkani në historinë botërore” nuk hyn ndër botimet voluminoze, me të cilët jemi takuar shpesh dhe që në tërësi përbëjnë kontribut për historiografinë ballkanike. Libri që kemi në dorë është një vështrim i koncentruar kulturor, që e sheh Ballkanin si një “hapësirë të ndërmjetme, ku katër qytetërime të mëdha… mbivendosen mbi njëri-tjetrin duke dhënë… një qytetërim shumështresor vendor”. Ndër këto katër qytetërime autori veçon kulturën e Greqisë e të Romës së lashtë, të Bizantit e të Turqisë osmane dhe të Evropës katolike, por nënvizon se në Ballkan asnjë nga këto kultura nuk arriti të bëhej mbizotëruese”. Është ndoshta ky vështrim ndërkulturor, që e sheh Ballkanin si pasuri diversitetesh, si mbijetesë të kulturave autoktone nën trysninë e kulturave perandorake, është ky vështrim pra, që të sjell në një gjendje qetësie, gati-gati relaksi, për një rajon gjithherë të trazuar nga luftërat.
Në të gjitha kohërat Ballkani ka qenë joshës dhe deri në shekullin XX nuk kishte një çati të vetën. Por pikërisht nën çatitë perandorake ndodhi alkimia sa e mospranimit, aq edhe e integrimit, derisa këta popuj krijuan identitetin e vet, afirmuan kulturat e veta dhe bashkërisht krijuan një oaz kulture ballkanase. Ne kemi ende nevojë për studime si ka ndodhur ky proces, si kanë marrë e dhënë këta popuj, si kanë ngritur kala përballë e pastaj ura drejt njëri-tjetrit, si ata kanë ndarë fate të përbashkëta.
Thashë se libri i Wachtel është një histori e koncentruar e këtyre proceseve. Në fakt, për Shqipërinë flitet pak. Nuk dua ta shoh këtë si mangësi. Ajo që më bëri përshtypje dhe dua ta veçoj është se në këtë studim për vendin që zë Ballkani në historinë botërore, lexuesi shqiptar gjen atje paralelen e vendit të tij, edhe kur nuk flitet për të. Prandaj e shoh të udhës të shtoj dy a tri momente të historisë së shqiptarëve e si janë ato të integruara në historinë ballkanase. Vijmë, për shembull, në shekullin XIX dhe XX, kur lëvizjet kulturore dhe çlirimtare në Ballkan ndoqën njëra-tjetrën dhe u ngritën shtete të pavarura mbi gërmadhat e Perandorisë Osmane. Ashtu si popujt e tjerë ballkanas, edhe Shqipëria elitat e veta kulturore e politike i krijoi fillimisht në qendër të perandorisë dhe më tej në Evropën Perëndimore, nga ku u morën dhe modelet e shtetit-komb. Në rrjedhat e këtij procesi të gjatë u krijua dhe shteti kombëtar shqiptar. Sigurisht, ai pati sfidat e veta të njohura, ambicie fqinjësh dhe interesa të mëdhenjsh dhe megjithëse i gjymtuar, arriti të zërë vend midis popujve të tjerë dhe historia e tij të ketë dhe ajo vendin e vet në historinë e popujve ballkanas.
Edhe për periudhat e mëvonshme, Shqipëria i nënshtrohet të njëjtës ndarje që bën studiuesi Wachtel, kur shkruan se vendet e Ballkanit në vitet ‘20 – ‘30 kaluan ‘nën hijen e fashizmit’ dhe nga vitet ‘40 deri më 1991 ‘u karakterizuan nga komunizmi’. Në fillimet e tij gjatë shekullit XX, shteti shqiptar pati mungesë stabiliteti, qeveri të shumta që binin dhe ngriheshin, derisa në vitin 1925 u krijua Republika Presidenciale Parlamentare dhe u vendos rendi i brendshëm nëpërmjet institucioneve. Pas tri vitesh jetë, Republika Shqiptare u kthye në monarki, ashtu si dhe gjetkë. Nëse mbreti shqiptar u afrua gjithnjë e më shumë me Italinë fashiste, kjo ishte zgjedhje e detyruar. Ishin Fuqitë e Mëdha ato që në Konferencën e Ambasadorëve në Paris, në nëntor 1921, i dhanë Italisë statusin e ‘kujdestarisë’ për zhvillimet në Shqipëri dhe për kufijtë e saj. Por afrimi me Italinë ndodhi kur vendet e Ballkanit po ‘përpunonin strategji politike e ushtarake kundër rrezikut fashist italian e gjerman’. Shqipëria merrej si e përjashtuar, pasi ajo shihej si apendix i Italisë. E pra, në mbretërinë shqiptare, ndryshe nga disa vende të tjera në Ballkan dhe me gjithë përpjekjet e italianëve, nuk u arrit të krijohej një parti fashiste.
Ka dhe një veçori tjetër të mbretërisë shqiptare të viteve ‘30, që e dallon nga mbretëritë e tjera të Ballkanit. Me të drejtë studiuesi Andrew Wachtel analizon e shpjegon dëshirat, nevojat, gatishmërinë, përpjekjet e mosmarrëveshjet e mbretërve ballkanikë për të realizuar shtetet e tyre të pastra kombëtare dhe për të nxitur irredentizmin te bashkëkombësit e mbetur jashtë kufijve shtetërorë. Kjo nuk ndodhi në Shqipëri. Mbreti Zog e bëri të qartë se Mbretëria Shqiptare nuk kishte shpatulla të inkurajonte një lëvizje irredentiste kosovare, pasi kjo do të kishte kosto të lartë me fqinjët veriorë. Ndërkohë ai nënshkroi dhe iu përmbajt akteve ndërkombëtare të Lidhjes së Kombeve për mbrojtjen e të drejtave të pakicave dhe në këtë kuadër dhe të shqiptarëve të Kosovës.
Në Luftën e Dytë Botërore, shtetet ballkanike u përfshinë të gjitha në luftë, por orientimi i tyre ishte i ndryshëm, ca me Boshtin e ca me Aleatët. Në prill të vitit 1939, Shqipëria ishte një nga vendet e para që ra nën pushtim dhe ku Bashkimi Personal propagandistik u realizua, në fakt, si një pushtim real. Fillimisht populli shqiptar i mbetur pa udhëheqje politike u vetorientua kundër pushtimit, me demonstrata, veprimtari guerilje, çeta nacionaliste të armatosura; e më pas u krijuan partitë politike, Partia Komuniste Shqiptare [PKSH], Balli Kombëtar [BK] e Legaliteti, që ngritën strukturat e veta të luftës kundër pushtuesit, e ku Fronti Antifashist Nacionalçlirimtar, i drejtuar ilegalisht nga PKSH, rezultoi më aktivi dhe më i organizuari. Shqiptarët u rreshtuan me Koalicionin e Aleatëve kundër Boshtit, dhe ky ishte rreshtimi i duhur, pasi u riktheu atyre pavarësinë dhe ruajti integritetin e vendit. Ende pa mbaruar lufta, problemi i pushtetit u zgjidh në favor të FNÇ, pra PKSH. Hijet apo plagët e luftës të shkaktuara nga lufta civile mes shqiptarëve patën vijimësinë e tyre edhe pas Çlirimit nga pushtuesit nazifashistë. Megjithatë, përfundimisht mund të themi se fatin e luftës në Shqipëri nuk e vendosi as lufta civile, as kolaboracionizmi, por rezistenca e popullit shqiptar kundër pushtuesit. Kjo rezistencë për shumë arsye ishte shpëtimi i Shqipërisë.
Pas lufte, si kudo në Ballkan, përjashtuar Greqisë dhe Turqisë, edhe në Shqipëri u vendos sistemi komunist. Në këtë proces, krahas përpjekjeve për modernizim në disa fusha, si në arsim, shëndetësi, barazi gjinore, pati dhe një përqendrim pushteti në politikë, ekonomi, jetën sociale, izolim ndërkombëtar. Shteti shqiptar u kthye në një imitues besnik të regjimit të shteteve me të cilat PKSH lidhi aleancat kryesore: Jugosllavinë, Bashkimin Sovjetik dhe Kinën. Kur këto shtete ndryshuan ose kundërshtuan kursin stalinist, Shqipëria u distancua prej tyre. Kështu, Shqipëria nuk kaloi në fazën e revizionizmit, dhe deri në fund mbeti një shtet diktatorial stalinist. Ky është deri diku një dallim me fqinjët komunistë dhe, për shkak të dhunës së fortë, disidenca ishte pothuajse inekzistente në Shqipëri. Pati vazhdimësi të kulturës rurale, popullsia rurale mbeti mbizotëruese, ndërsa kultura e shoqërisë urbane ishte e frenuar në shumë aspekte.
Në dallim nga Jugosllavia fqinje, të cilën autori duket se e njeh shumë mirë dhe e konsideron si ‘zonë të ndërmjetme’, ‘zonë e ekuilibrimit’ ndërmjet dy kulturave, lindore dhe perëndimore, Shqipëria nuk ishte e tillë. Madje Shqipëria ishte një zonë e rrëshqitshme, ku Lindja dhe Perëndimi provonin forcat dhe ‘prestigjin’. Pikërisht në këtë shteg të ngushtë, klasa politike shqiptare ngulmonte në idenë kombëtare, krijonte binome e trinome të sforcuara si: “Popull–Parti”, “Parti-Popull-Atdhe”, derisa rrënimi social i brendshëm e gërreu plotësisht legjitimitetin e saj dhe në rrafsh ndërkombëtar tanimë ishte shënuar përmbysja.
Libri i Andrew Wachtel vjen në një kohë kur Ballkani dhe bashkë me të Shqipëria është përfshirë në përpjekjet integruese në Evropë. Libri u kontribuon këtyre përpjekjeve, pasi vetë e përbashkëta historike dhe kulturore i ndihmon kësaj ambicieje. Shqipëria është pjesë e kësaj të përbashkëte, me veçoritë e saj, si gjithë të tjerët dhe jo e veçuar nga të tjerët.
(d.d/GSH/BalkanWeb)