Beshiktashi shihte grumbullimin nga Shqipëria të Ernest Muçit si një rrugë shumë të mirë për të bindur klubet e interesuara më parë për lojtarin që të blinin kartonin e tij. Por ashtu si në Euro 2024, dhe në këtë grumbullim ku Muçi rikthehej pas mungesës në shtator, minutazhi i futbollistit 23-vjeçar ka qenë me pikatore.
Më saktësisht, Muçi u aktivizua vetëm në 5 minutat e fundit të ndeshjes me Çekinë, si një tentativë e dëshpëruar e Silvinjos për të tentuar një kthim të pamundur rezultati, ndërsa qëndroi në pankinë gjatë gjithë duelit ndaj Gjeorgjisë që u mbyll me suksesin e kuqezinjve. Kësisoj, ky grumbullim nuk ndihmoi kauzën e Beshiktashit, që kërkon të shesë lojtarin për të siguruar të ardhura të cilat do t’i investojë për blerjen e kartonit të brazilianit Taliska nga Al Nasr.
Mediat turke raportojnë se për këtë arsye, te Beshiktashi tashmë janë praktikisht të detyruar që të aktivizojnë rregullisht Muçin në pjesën e mbetur të sezonit, të paktën deri në janar kur do të kërkojnë t’i gjejnë një sistemim të ri. Mosaktivizimi do të ulte ndjeshëm vlerën në treg të Muçit, për të cilin klubi turk shpenzoi 10 milionë euro për ta blerë në janarin e këtij viti. Shpresa e Beshiktashit është që ai të fillojë të shënojë dhe të japë asiste, në mënyrë që vlera e tij të rritet, ose të paktën të rikuperojë në janar paratë që shpenzoi për ta transferuar nga Legia Varshava.