Numri i turistëve në Shqipëri sa vjen dhe rritet në mënyrë të përvitshme. Një fakt ky që gjen edhe konsensusin e më skeptikëve. Analisti Genc Burimi i merr të mirëqena deklaratat e kryeministrit Edi Rama se Shqipëria do ta kalojë numrin e 10 mln turistëve këtë vit.

Por, në trajtimin e shifrave dhe treguesve që i interesojnë ekonomisë, Burimi heziton të ta shohë me entuziazëm fluksin e turistëve. Ai ve në dukje se më e rëndësishme se sa numri i shifrave të atyre që hyjë, janë shpenzimet e turistëve, pra, sa para sjellin ata në Shqipëri dhe ekonominë shqiptare. Shqipëria fitoi vitin e kaluar 1.8 miliardë dollarë nga turizmi, sipas tij, dukshëm disa herë më pak se vendet konkurrente, në raport me numrin e pushuesve që kanë qëndruar në vendin tonë.

“As treguesi i trafikut ajror dhe as ai i numrit global të turistëve (Shqipëria po i kalon 10 milionët) nuk është kryesori në analizat e ekspertëve mbi performancën reale të turizmit. “Suksesi” i vërtetë në turizëm matet në disa të dhëna të tjera, tek shpenzimet e turistëve dhe tek bilanci i pagesave të turizmit (raporti midis valutës që hyn me turistët e huaj dhe asaj që del me vendasit që shkojnë për turizëm jashtë shtetit).

Nëse shihet statistika e shpenzimeve të turistëve, Spanja për shembull del mbi Francën ndonëse kjo e fundit pret më shumë turistë në vit se çdo vend tjetër në botë.

Klasifikimi i fundit botëror i vendeve që kanë më shumë të ardhura nga turizmi e nxjerr biles Francën dhe nga treshja e podiumit ku figurojnë këto shtete : ne vend të pare SHBA-te me 176 miliard de dollarë që shpenzojnë turistët e huaj (për gjithsej 66.5 milionë turistë të huaj në vit); Spanja në vend të dytë me 92 miliardë dollarë shpenzime nga turistët e huaj (gjithsej 85 milion turistë në vit); Britania e Madhe në vend të tretë me 74 miliard dollarë shpenzime qe kryejnë turistet (por “vetëm” 32 milionë turistë në vit); Franca ndonëse me numrin më të madh të turistëve, 100 milionë në vit, radhitet në vend të katërt për nga shuma që shpenzojnë, me 69 miliard dollarë ndjekur nga Italia me 56 miliard dollarë dhe 57 milionë turistë në vit.

Po Shqipëria e cila po kërkon të rivalizojë me vendet e rajonit të saj të fasadës detare adriatiko – joniane (Kroaci, Greqi) si shfaqet në dritën e statistikës kryesore, të ardhurat nga turizmi?

Në pritje të statistikave turistike financiare për vitin 2024, ato të vitit 2023 tregojnë këto shifra:

INSTAT: Shqipërinë e vizituan rreth 10.2 milionë shtetas të huaj në 2023.

Banka e Shqipërisë: Turistët e huaj shpenzuan 4.2 miliardë euro në Shqipëri në 2023.

Banka e Shqipërisë: Shpenzimet e turistëve shqiptarë jashtë, 2.3 miliardë euro në 2023.

Bilanci i Pagesave të turizmit (shpenzimet e të huajve në Shqipëri minus ato të shqiptarëve jashtë) sipas Bankës së Shqipërisë kapi vlerën e 1.84 miliardë eurove vitin e kaluar që është shuma e “fitimit” të Shqipërisë nga turizmi. Midis fjalëve të bukura të kryeministrit Rama sesa milionë turistë e vizitojnë Shqipërinë dhe veprave se sa fiton realisht ekonomia shqiptare, hendeku është i konsiderueshëm”, thekson Burimi.

Analiza e plotë në BalkanWeb

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb