TIRANË

Shqiponja dykrenare, simbol i shqiptarëve anembanë globit, duket se është e destinuar për të qenë temë e debateve herë pas here. Kësaj radhe një debat është hapur në opinion publik ku kryeministri akuzohet se e ka ndryshuar shqiponjën e zezë në flamurin e kuq, duke e bërë të bardhë, madje ka nga ata që e krahasojnë me shqiponjën ruse.

Për të folur pikërisht për këtë çështje, ka qenë sot në “A show” në News24 historiani Pëllumb Xhufi, akademik, profesor.
I pyetur nëse ka sens që tek shqiptarët të ketë një lloj shqetësimi se çe gjen shqiponjën e flamurit, Xhufi tha se ka sens por nuk duhet ekzagjeruar.

“Ne kemi shqiponjën më të bukur, se nuk jemi të vetmit që kemi shqiponjën me dy krerë. Ne e kemi marrë në një formë që nuk puqet fare as me sllavët, as me gjermanët, as me austriakët, as me serbët e malazezët e as me rusët. Shqiponja është një simbol që mjedisin e natyrshëm e ka tek flamuri. E ka cilësuar Barleti, për shqiponjën në flamurin e Skënderbeut. Ky flamur i cikluar në epokën e Rilidnjes. Ata e rindërtuan, e riformuluan flamurin në bazë të thënies së Barletit dhe bënë një shqiponjë të shkëlqyer. Që nga ajo e shoqatës Vatra, Drita janë shqiponja të bukura, të zeza dhe me krahët e hapur, të shpalosur, dinamike po krejt e veçantë”, tha Xhufi.

A Show 1
A Show 1

Ai u shpreh më tej se shqiponjën në flamur nuk e ndryshon dot asnjë por se mund të vijnë në forma të tjera në varësi të vendit apo materialit ku përdoret, duke iu referuar debateve për shqiponjën e bardhë të përdorur në institucionet shqiptare në qeverinë “Rama”.

“Shqiponjën në flamur nuk e ndryshon dot askush. Ne kemi dhe simbole të tjera, himni kombëtar, ai luhet e vjen në forma të ndryshme”, ilustroi historiani i njohur.

A Show Shqiponja Sic Ishte
A Show Shqiponja Sic Ishte

Duke komentuar shqiponjën e zezë të përdorur në kohën e PD dhe atë të bardhë që përdoret tashmë, ai shtoi: “Kjo Shqiponjë që u shfaq para disa vitesh në laptopët e deputetëve tanë, një shqiponjë e bardhë brenda një rrethi ngjyrë portokalli është shqiponja e Stefan Dushanit. Shqiponja tani ndryshon nga ajo ruse”.
Shqiponja ekzekutohet dhe në metal të bardhë, edhe në bakër, edhe në dyll, edhe në të verdhë, në ar. Nuk duhet qëndruar aq këtu. Unë do thosha më shumë që duhet qëndruar që të jetë një shqiponjë dinamike me krahët e hapur dhe të jetë afër shqiponjës së flamurit. Nëse është thelbi i bisedës që Rama ka marrë shqiponjën e federatës ruse, nuk do ta besoja kurrë me aq sa e njoh. Që të jetë një shkarje…Prandaj ka dhe kritikë”, tha Xhufi.

Pëllumb Xhufi tha ndër të tjera se në stemën e republikës dhe në flamur nuk bëhet fjalë për ndryshim të shqiponjës.

“Estetikisht është shumë e bukur dhe aty ku paraqitet lejohet ajo shqiponjë. Ka shumë shqiptarë që e mbajnë shqiponjën, një të bardhë prej argjendi dhe një të verdhë prej ari. Në stemën e republikës dhe në flamur nuk bëhet fjalë për ndryshim të shqiponjës. Unë kam qenë kundër asaj që është vendosur tek hyrja e Kryeministrisë dhe kundër asaj që kati i parë i kryeministrisë të kthehej në muze pikturash se ne kemi galeri. Këto janë zgjedhje në kuadër të një qeverisë estetike sepse kryeministri është i ndjeshëm ndaj këtyre. Por ndonjëherë kalohet masa. Kryeministria është një institucion serioz dhe jo vatër kulture”- tha ai.


(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb