Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se pastrimi i institucioneve dhe lufta ndaj keqqeverisjes janë thelbësore për zhvillimin e Shqipërisë dhe ecjen e saj drejt madhështisë.

Gjatë një takimi me shqiptarët në zonën e Napolit në Itali, Berisha ka theksuar se një nga hapat e parë që do të ndërmerren nga qeverisja e ardhshme është shpallja e George Soros non grata.

Ai ka shtuar se shoqëria civile do të mbështetet, duke u siguruar që të mos ndjekin më “instruksione perverse sorosiane”, por të përqafojnë parimet më të mira të shqiptarëve.

Sipas Berishës, pa një audit të përgjithshëm dhe pa ndërtimin e institucioneve mbi virtyt, Shqipëria nuk mund të ecë përpara.

“Miqtë e mi, Shqipëria Madhështore nuk mund të jetë pa pastruar shtëpinë tonë.

Pastrimi i shtëpisë është një kusht që Shqipëria të rritet, të ecë drejt madhështisë. Ju garantoj se pas ligjeve për minimumin jetik dhe pagën 500 euro, pas vendimeve për kthimin e parave të shqiptarëve, ligji i dytë është shpallja e Xhorxh Sorosit non-grata, mbyllja e fondacionit Soros. Kjo farë e keqe duhet të shkulet nga Shqipëria se e shndërroi Shqipërinë në republikën e tij. Garantoj shoqërinë civile se shteti do mbështesë fuqishëm OJQ-të që nuk do marrin më instruksione perverse të Sorosit dhe sorosianëve por do mëkojnë parimet më të mira, virtytet më të mira të shqiptarëve. Të pastrosh shtëpinë do të thotë të bësh një audit të përgjithshëm, një lloj Elon Muski shqiptar do gjendet. Do jetë nga diaspora, do jetë nga Shqipëria, do jetë nga miqtë tanë, pa audit të përgjithshëm nuk shkohet përpara. Pa gjetur qindra e qindra milionë të vjedhura shqiptarëve, Shqipëria nuk ndërtohet dot mbi mëkatin. Shqipëria do ndërtohet jo mbi vesin, do ndërtohet mbi virtytin dhe unë u garantoj se do e realizojmë atë. Të dashur miq, Shqipëria Madhështore do të jetë Shqipëria që ka kapur trenin e revolucionit teknologjik. Shoqëria ka pasur revolucione industriale, teknologjike periodikisht. Vendet që kanë humbur trenin, kanë mbetur shumë mbrapa. Kësaj herë, Shqipëria nuk do e humbasë më trenin. Shqipëria do jetë epiqendër e teknologjive më të larta. Shqipëria do jetë një superfuqi energjetike në rajon. Nuk ka vend më të pasur në 28 mijë kilometra katrorë në ujë, në erë, në diell, në gaz. Ndaj dhe zotimi ynë është shumëfishimi i prodhimit të energjisë nga dielli, dhuratë e Zotit. Nga jugu në veri, shqiptarët do vendosin panelet fotovoltaike dhe ata do marrin energji falas nga ato panele”, tha ai.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb