Kryetari i Lëvizjes Shqipëria bëhet, Adriatik Lapaj, i ftuar në rubrikën Opinion në News 24 tha se Shqipëria sot është e shkatërruar.

Lapaj tha se qytetarët duhet të votojnë ndryshimin. Ai tha se vota e qytetarëve shqiptarë do të numërohet e do mbrohet deri në fund. Lapaj u shpreh se PS dhe PD kanë qenë dhe janë një parti, që kanë bërë politika bashkë dhe vazhdojnë të bëjnë të njëjtën gjë.

“PS nuk përfaqëson të majtët e Shqipërisë, përfaqëson interesat e një oligarkie, që ka marrë peng partinë dhe maxhorancën. Rilindja me të majtët nuk kanë pikë takimi me njëra-tjetrën. Në Greqi, PASOK që ishte e madhe ra në nivele të ulëta, kështu ndodhi edhe në Itali e Francë. Shqipëria sot është e shkatërruar. Qytetarët e pakënaqur të votojnë ndryshimin. Unë mendoj se njerëzit duhet të provojnë ndryshimin, të renë, duhet ta provojnë gjithmonë derisa të vijë ndryshimi. Votën tonë do ta mbrojmë deri në fund. Qytetarët nëse e japin votën për ndonjë favorizim, ne nuk i mbrojmë dot. Ata njerëz që shkojnë të votojnë, të jenë të bindur se vota e tyre do të numërohet kokërr më kokërr. PS dhe PD kanë qenë e janë bashkë”, deklaroi Lapaj.

Më tej, Lapaj tha se iu ka shtrirë dorën e bashkëpunimit lëvizjeve të reja politike, që nuk janë të përfshira në korrupsion.

“U kam shtrirë dorën e bashkëpunimit lëvizjeve të reja, që nuk janë të përfshira në korrupsion. Ne po bëjmë fushatë, ishim tani në Lezhë. Nëse lëvizjet e reja nuk janë me ne, janë me ata. Sepse kjo është përballje dhe nuk ka të mesme”, u shpreh Lapaj.

(balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: