Kryeministri Edi Rama, me anë të një postimi në rrjetet sociale ka publikuar dëshminë e një familjeje nga Afrika e Jugut, e cila për pushimet e këtij viti ka zgjedhur Shqipërinë.
Rama shprehet se vendi ynë tashmë shihet si vend mahnitës nga mbarë globi, duke hyrë në hartën e botës turistike.
“MIRËMËNGJES 😊
dhe me dëshminë e një familjeje nga Afrika e Jugut, e cila për pushimet e këtij viti ka zgjedhur Shqipërinë kryqetërthor si një vend mahnitës që tanimë ka hyrë në hartën e botës turistike, ju uroj një javë të mbarë🫶”, shkruan Rama.
Dëshmia e familjes nga Afrika e Jugut
Kryefamiljari: Familjes sime i pëlqen më shumë deti dhe plazhi. Ndërsa unë preferoj më tepër malin. Kolonja për mua është në krye të listës, sepse më pëlqejnë malet. Njerëzit këtu janë tepër miqësorë, shumë të hapur dhe të gatshëm për të ndihmuar.
Bashkëshortja: Ne jemi një familje nga Afrika e Jugut. Kemi dëgjuar për vendin tuaj, por nuk e njihnim shumë mirë. Historia e Shqipërisë na duket mjaft interesante dhe vendosëm që ishte një ide e mirë që të eksplorojmë si turistë në të gjitha format. Do qëndrojmë këtu rreth 16 ditë. E nisëm nga Lëpusha, më pas shkuam në Vermosh, Theth, Berat, Krujë, Gjirokastër, pamë Rivierën, lumin e Vjosës, kaluam më pas në Përmet, Ersekë, Korçë e tani jemi në Pogradec. Pas Pogradecit do shkojmë në Gramsh e në Tiranë për 2 ditët e fundit.
Na pëlqejnë zonat e ndryshme dhe biodiversiteti i vendit. Bëmë një listë të vendeve që donim të shikonim, sepse menduam se duke qenë se është një vend i vogël, mund ta shikojmë të gjithin, ndaj nuk donim të linim asgjë pa parë. Na pëlqeu shumë ushqimi. Byreku është i preferuari im. Në veri na pëlqeu flija.
(Balkanweb)