Në një intervistë të ditëve të fundit, Kryeministrit të vendit, Edi Ramës, iu kërkua t’i bënte disa kërkesa ‘popullit’, të cilat ai ia drejtoi njeriut të zakonshëm të vendit në formë porosish. Porosinë e tretë, për të cilën mendoj se duhen sqaruar disa gjëra, po e paraqes verbatim më poshtë:

“E treta dhe këtë e kam problem të madh, kujdesu për gjuhën e nënës, sepse kush është     më i ri se unë, por prapë pak më i moshuar se ai miku jonë atje që s’po e kap dot veten akoma, ai po rri në emision më shumë me shpresë se do lirohen bastet pra, shumëkush   këtu ka parë filma dhe ka lexuar historira se si janë vrarë njerëz në këtë vend për  shkronjat shqipe, se çfarë lufte është bërë për gjuhën shqipe, gjuha shqipe është pasuria jonë më e madhe, është ajo që na bën ne ata që jemi, kur e shof se si gjuha shqipe po   rrezikon seriozisht të gjymtohet, për shkak të mungesës së respektit për të, mungesës së      vëmendjes për të, them që realisht çdokush duhet të kujdeset se është gjuha e nënës, dhe ne e kemi futur, e kemi rikthyer në shkollë sepse e kishin heq gjuhën shqipe nga shkolla, e kishin heq gjuhën, po, po, ishte bashkë me letërsinë, aty nëpër të, diku, dhe unë  mendoj që edhe në universitet duhet të fusim gjuhën shqipe.” (Edi Rama, minuta 1:15:25, Intervista në emisionin Xing me Ermalin)

Është, për mua, po besoj edhe për shumë të tjerë, tepër mbresëlënëse që kreu i qeverisë trajton çështjen e gjuhës në një formë që nuk është thjesht retorikë politike.  Ky mendim patriotik i  tij përmban disa të vërteta të pamohueshme, si për shembull, që “janë vrarë njerëz në këtë vend për shkronjat shqipe” dhe “gjuha shqipe është pasuria jonë më e madhe, është ajo që na bën ne ata që jemi”. Dhe mendimi “kujdesu për gjuhën e nënës” është padyshim një nga aksiomat pedagogjike të të gjitha kampeve politike dhe gjuhësore në vend e jashtë.

Përveç dakordësisë së plotë me këto pjesë, si studiuese e gjuhës e kam të natyrshëm reagimin ndaj dy pjesëve të tjera të fjalës së tij, të cilat dua t’i cek fare shkurtazi këtu, për hir të saktësisë shkencore dhe të vërtetës historike.

Së pari, Kryeministri shpreh shqetësim kur pohon që “gjuha shqipe po rrezikon seriozisht të gjymtohet, për shkak të mungesës së respektit për të, mungesës së vëmendjes për të”. Besoj këtu ai u referohet, siç shpjegohet edhe më pas me disa shembuj që merr me intervistuesin, “gabimeve” që brezi i ri bën në përdorimin e shqipes së shkruar (se po të qe për shqipen e folur edhe ai vetë është një përdorues i shkëlqyer i formës jo standarde, dialektore e bisedore, siç ndoshta nuk do të donin as gramatikanët e tij të preferuar preskriptivistë). Por shqipja e shkruar, gjendja e saj (e gjymtuar apo jo, s’po i futem këtij diskutimi, dhe pse besoj që nuk është sot, më shumë se dje, aq rëndë sa e mendon Kryeministri) nuk ka të bëjë fare me mungesën e respektit a vëmendjes që shkruesit kanë për të. Gjendja e shqipes së shkruar lidhet drejtpërdrejt me praktikat e shkrimit shqip në shkollat tona, praktika këto që janë aq të pakta, saqë shqipfolësit nuk arrijnë të shkruajnë në disa zhanre (në fakt nuk i njohin praktikisht zhanret e shkrimit). Po qe se shkolla do t’u jepte mundësinë reale (pra, jo thjesht teorike, vetëm në korniza kurrikulare e programe lëndore), folësit e shqipes do të dinin ta lëvronin shqipen edhe me shkrim (këtu nuk flitet për bukurshkrim, por për ndërtime narrativash e argumentesh me shkrim, duke përdorur dhe rregullat konvencionale ortografike të një gjuhe të caktuar). Shkrimi përsoset vetëm me praktikë, e cila duhet të ndodhë domosdoshmërisht në shkollë. Këtu po lë jashtë diskutimin e evolucionit të gjuhës, kur shpeshherë ai që është proces i natyrshëm i ndryshimit evolutiv gjuhësor, interpretohet si proces i “gabimeve” të një brezi të caktuar, i cili duhet ndaluar. Po të qe ashtu, të gjithë ne sot do flisnim ende shqipen e Bogdanit.

Momenti i dytë që kërkon një sqarim, është kur Kryeministri shprehet se “ne e kemi futur, e kemi rikthyer në shkollë, sepse e kishin heq gjuhën shqipe nga shkolla, e kishin heq gjuhën, po, po, ishte bashkë me letërsinë, aty nëpër të, diku, dhe unë mendoj që edhe në universitet duhet të fusim gjuhën shqipe”. Po t’i hedhim një sy historikut të lëndës së gjuhës shqipe në shkollën tonë, vërejmë se shqipja ka qenë pjesë e kurrikulës së arsimit kohë më parë. Në fakt, ajo ka qenë gjithmonë lëndë e veçantë në arsimin 8/9-vjeçar. Pra, nuk besoj se Kryeministri po flet për këtë fazë të arsimit në vend. Në arsimin e mesëm (gjimnaz), gjuha shqipe nuk ka ekzistuar gjithnjë e pranishme në arsimin shkollor para viteve 90, me përjashtim të shkollave pedagogjike dhe gjuhëve të huaja. Në vitin 2005-2006 u rikonceptua programi i letërsisë, program i cili ka qenë gjithmonë i pranishëm, duke u quajtur “Letërsi dhe gjuhë shqipe”; pati, pra, përpjekje për krijimin e një lënde edhe me karakter gjuhësor (jo vetëm me karakter letrar). Mirëpo kjo gjë nuk rezultoi e suksesshme, pasi kishte probleme e paqartësi dhe pjesa e gjuhës u duk si një shtojcë brenda lëndës së letërsisë. Për rrjedhojë, në vitin 2008 gjuha shqipe iu shtua programit kurrikular të arsimit të mesëm si lëndë më vete, pikërisht, sepse nevoja e përvojës me shkrimin shqip u bë e ndjeshme me fillimin e përdorimit të shqipes në kontekste e situata jetësore e arsimore të parrahura më parë (si pasojë e ndryshimeve shoqërore). Njohuritë gjuhësore iu bashkëngjitën atyre të letërsisë me idenë që këto njohuri të përvetësohen në mënyrë të integruar përmes tekstit letrar dhe atij joletrar dhe jo në mënyrë ‘të thatë’, përmendësh, pa kuptim (duke i hyrë disi në hak mënyrës tradicionale të trajtimit të letërsisë, orët/temat e së cilës u zvogëluan). Ndryshimi që Kryeministri i referohet gjatë periudhës së qeverisjes së tij (ndryshimi i vitit  2014) është ndarja e temave të letërsisë dhe atyre të gjuhës në dy lëndë të veçanta, gjë që ka sjellë në zgjerimin e temave të letërsisë, por jo domosdoshmërisht në zgjerimin e temave të gjuhës (dhe kjo është gjë e mirë; personalisht mendoj që programet lëndore të gjuhës duhen lehtësuar akoma edhe më shumë nga njohuritë teorike). Programi kurrikular i gjuhës sot në arsimin e mesëm përmban të njëjtat linja ndërtuese (madje më pak sepse është mënjanuar linja e të vështruarit, pra ajo e trajtimit të teksteve vizuale) me atë të vitit 2008, me ndryshime të vogla, krejt të papërfillshme. Ky program ruan filozofinë e programit të vitit 2008, në të cilin  njohuritë gramatikore merren të integruara përmes teksteve letrare dhe joletrare, duke shkruar, diskutuar, dëgjuar e i lexuar ato (tekstet) bashkërisht në klasë e jashtë saj.

Megjithatë, nisur nga përvoja shkencore dhe politike me çështje të ngjashme, mendoj që kyçi i suksesit të kujdesit për shqipen nuk mund të jetë në parim ndarja nga letërsia; duhet të jetë bashkimi dhe integrimi i shqipes me letërsinë, me gjeografinë, me historinë, me artin, me biologjinë, me fizikën, me kiminë, me fizkulturën, me shkollën, me jetën, me botën, me kohën kur jetojmë. Kyçi janë praktikat e shkrimit shqip në të gjitha lëndët e shkollës (të cilat mbështeten në praktikat e leximit, i cili dhe ky duhet të ofrojë modele të mira). Shkrimin shqip nuk e mësojmë vetëm në lëndën e gjuhës, por në të gjitha lëndët.

Dhe mbi të gjitha ia vlen të diskutohet nëse kujdesin për shqipen duhet ta ofrojmë duke dhënë në shkollë në mënyrë ciklike e papushim ç’është përcaktori kallëzuesor, ndajshtimi a periudhat me fjali të varura kushtore nga klasat e ulta e deri në fund të gjimnazit, sikurse ndodh rëndom në orët e shqipes sot, për forcë zakoni, por edhe për mungesë njohurish të procesit të integrimit. Në përpjekjet tona të përbashkëta për t’u kujdesur vazhdimisht për shqipen, ia vlen të mendojmë: Sa na hyjnë në punë njohuritë e përcaktorit kallëzuesor (për shembull) për të qenë përdorues të mirë të shqipes?

*Enkeleida Kapia – Shefe e departamentit të Leksikologjisë, Terminologjisë dhe Gjuhësisë së Zbatuar, Akademia e Studimeve Albanologjike

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb