Nga: JETON SELIMI*

Përgjithësisht shqiptarët nuk kanë njohje të gjuhës serbe, por fjalën “provokacije” e kanë mësuar mjaft mirë, ndërsa në një muaj e gjysmë janë përballur tri herë me të. Në fillim kur droni me simbolet tona kombëtare u shfaq mbi stadiumin “Hum” të Partizanit të Beogradit dhe bëri serbët të shpërthejnë me akuza për “provokacije” të shqiptarëve dhe se vetëm pas këtyre provokimeve ndodhën ngjarjet e shëmtuara e të turpshme të një dhune të pashoq ndaj lojtarëve të përfaqësueses kuqezi. “Provokacija” e dytë doli nga goja e kryeministrit serb, Aleksandër Vuçiç, që i cilësoi si provokime deklaratat e kryeministrit Rama në Beograd, se “Kosova e pavarur është një realitet i pandryshueshëm”. Por shpejt do të vinte edhe “provokacija” e tretë, ashtu siç e cilësuan serbët gjestin e shqiponjës së bërë nga disa fëmijë në miqësoren Greqi-Serbi. Por kësaj radhe, veç serbëve, janë edhe grekët ata që shumë shpejt do ta quajnë gjithashtu një provokim.

“Blic” publikon në faqet e saj një foto të tre fëmijëve, të cilët, gjatë momentit të këndimit të himnit serb, shkëputen nga pjesa tjetër dhe bëjnë me duar simbolin e shqiponjës. Mjafton ky gjest i tre fëmijëve për të “tërbuar” sërish mediat serbe, që provokohen dhe nga tre vogëlushë që shoqërojnë skuadrën serbe në fushë në ndeshjen miqësore të Kretës, mes Greqisë dhe Serbisë, të luajtur më 18 nëntor. E përditshmja serbe “Blic” publikon në faqet e saj një foto të tre fëmijëve, të cilët, gjatë momentit të këndimit të himnit serb, shkëputen nga pjesa tjetër dhe bëjnë me duar simbolin e shqiponjës dykrenare, që është një përshëndetje shqiptare. Në fund fëmijët e duartrokasin himnin serb, por kjo pak rëndësi ka për mediat serbe, që veprimin e tyre e cilësojnë si provokim ndaj kombëtares së tyre. Ndërkohë që, edhe gjatë këndimit të himnit grek një tjetër fëmijë formon simbolin e shqiponjës. Këto veprime të fëmijëve shoqërues duket se nuk i kanë shqetësuar shumë futbollistët, por mediat janë tërbuar dhe kanë nxituar t’i etiketojnë fëmijët si provokues.

Sipas të gjitha gjasave, tre fëmijët që janë shkëputur nga grupi duke bërë gjestin e shqiponjës, mund të jenë me origjinë shqiptare dhe kanë kryer ritin që është bërë mjaft i njohur nga futbollistët e Kombëtares kuqezi, por dhe nga të tjerë lojtarë mjaft të njohur që janë shqiptarë, por që mbrojnë fanellën e përfaqësueseve të tjera. Një rast i tillë bëri shumë bujë në Greqi, kur Pajtim Kasami, strugani që luan për Olimpiakosin e Pireut dhe për përfaqësuesen e Zvicrës, shënoi golin e vetëm në takimin që ekipi grek fitoi ndaj Juventusit në Ligën e Kampioneve dhe festoi me gjestin e shqiponjës. Ngjarja vinte pak ditë pas turpit të Beogradit dhe grekët, që gjithashtu u ndjenë të ofenduar nga harta e Shqipërisë Etnike në banerin që u ekspozua nëpërmjet dronit, nxituan të kryqëzonin lojtarin, që u shfajësua duke thënë se feston ashtu për të nderuar familjen e tij shqiptare.

Por në ndeshjen Greqi-Serbi, e cila u fitua nga serbët 2-0, pati edhe “provokacije” të tjera. Futbollisti me origjinë shqiptare, por që ka zgjedhur të luajë me Greqinë, Gjergj (Panajotis) Kone, është përfshirë në një incident me lojtarin e përfaqësueses serbe, Nemanja Matiç. Tensioni mes dy lojtarëve ishte shumë i madh dhe në një çast, Kone i drejtoi grushtin serbit, mirëpo gjithçka përfundoi pa të goditura, pasi zënka u shua shpejt. Mbase po ta kishin ditur mediat serbe se Kone është djalë “tirone”, do ta kishin shfrytëzuar edhe këtë fakt për të ushqyer edhe më shumë dëshirën e tyre për t’u ndjerë të provokuar, në një kohë që për shkak të dhunës së tyre dhe të justifikuar nga UEFA, Shqipëria ka humbur një ndeshje 3-0 në tavolinë dhe rreket që të gjejë drejtësi në Apel.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb