Nga: MIMOZA KOÇIU*
Disa vezë të hedhura në drejtim të kryeministrit, të hënën e 2 nëntorit, e që fatmirësisht përfunduan në makinën e tij, ishte gjesti që bëri më shumë zhurmë, se çdo reformë e qeverisë, apo aksion i opozitës në Shqipërinë tonë të vogël. Protagonistët, një grup studentësh të lëvizjes studentore “Për Universitetin” dhe të “Organizatës Politike”, i zunë pritë kryeministrit në dalje të një takimi me biznesin e vogël, në Fakultetin e Shkencave Sociale. Akti u justifikua si shenjë reagimi për mospërfilljen e kryeministrit ndaj zërit të tyre kundërshtues ndaj ligjit për arsimin e lartë, i kaluar tre muaj më parë në parlament. Na kujtohen të gjithëve protestat e studentëve e tryezat kundërshtuese të pedagogëve ndaj këtij ligji, ashtu si dalja e kryeministrit Rama në shesh duke debatuar me studentët, që i protestonin poshtë zyrës.
Edhe pse kishin të paktën dy vjet si aktivistë, që protestën e kishin si formë normale reagimi, shumica prej nesh, përfshirë mua, nga ai gjest mësuam më shumë për ekzistencën dhe “aksionet” e tyre të organizuara në lëvizje civile.
Aksioni me vezë theu rutinën e përditshme të denoncimeve dhe e përgënjeshtrimeve dymujore të qeverisë dhe e pozicionimeve qytetare e militante pro a kundër. Kjo sepse disa të rinj, studentë, arritën të bënin një hap domethënës, kalimin nga fjalët, ankesat, në vepra, përmes një forme të njohur proteste kudo në botë.
Kaq mjaftoi që adrenalina e të gjithëve të kapte kuotat maksimale. Kush u befasua, kush u eksitua e kush u xhelozua e helmua nga gjesti i studentëve. Të gjithë u sulën në media e rrjete sociale për të admiruar, analizuar, gjykuar, paragjykuar, anatemuar, adhuruar e zilepsur ata studentë.
Gjesti i bë fenomen mediatik në një vend që shkëlqen me pasivitetin e mpirjen e shqisave të reagimit qytetar. E pra jo më pak se para tri vitesh, makina e kryeministrit të kohës Sali Berisha, u qëllua me qese mielli nga ish-të përndjekur politikë, teksa hynte në parlament. Po këta të rinj, mësuam se qenkërkan “përballur” me ish-kryeministrin Berisha në Lalëz, duke iu përgjigjur përshëndetjes së tij me dy gishta, me këngën e Internacionales.
Si ish-studente e dhjetorit ‘90, provova jo pak emocion, e dallova shpirtin qëndrestar të protestës së para 25 viteve, teksa i dëgjoja studentët protagonistë të flisnin në media pas atij gjesti. Është sinjal shprese se të rinjtë nuk do bien në apati, scic ndodh me pjesën dërrmuese të shoqërisë sonë.
Si gazetare, duke u informuar për protestat e tyre në të kaluarën më ndërmendën Lëvizjen Mjaft, që nisi si nxitje e reagimit qytetar për t’u kërkuar llogari, atyre që pushteti i popullit u ishte deleguar me votë. Të gjithë e dimë se ku ndodhen sot protagonistët e asaj lëvizjeje, por përtej përfitimeve politike, është i pamohueshëm emancipimi që sollën aksionet e tyre të asaj kohe.
Si qytetare, nuk e fsheh dot zhgënjimin për reagimet cinike ndaj atyre të rinjve. Ata studentë shkundën opinionin publik, duke thyer mitin e heshtjes e mpirjes qytetare deri në fushatën e ardhshme zgjedhore, apo deri në protestën e radhës të opozitës. Elementi bazik që demokracia të funksionojë janë qytetarët e informuar e aktivë, që e kuptojnë se si mund t’u japin zë interesave të tyre, që veprojnë kolektivisht e i mbajnë në gjendje llogaridhënie zyrtarët publikë.
Edhe pse admirimi për mënyrën e reagimit ishte dominues, zhgënjyes ishte cinizmi i pavend i një pjese të komunitetit të medias, e atyre që ende konsiderohen si intelektualë, njerëz të mendimit, pra persona që kanë ndikim me gjykimet e tyre në shoqëri.
Një foto me grushtin lart e njërës nga studentet, i “identifikoi” si radikalë të majtë, pa shpjeguar se si e cenonte kjo përkatësi, nëse është e tillë, kauzën e atyre studentëve. Pas protestave të para disa muajve, studentët e shprehën pakënaqësinë e tyre me veprime. A është kjo një formë anarkie apo element reagimi qytetar në demokraci? Si duhet të sillemi me ata që marrin votën, për të vendosur për të tashmen e të ardhmen tonë?
Studentët na e treguan një mënyrë, por modelet nuk mungojnë e “viktima” kanë qenë udhëheqës të njohur ndërkombëtarisht. Këshilltari aktual i kryeministrit Rama, Toni Bler, ish-kryeministër laburist në Britaninë e Madhe, u gjuajt në 2004 në parlament me një kondom të mbushur me miell ngjyrë vjollcë, nga llozha e të vizitorëve në parlament. Mentori politik i Angela Merkel, ish-kancelari gjerman Helmut Kol është gjuajtur me vezë e domate kur ishte në detyrë, Presidenti amerikan Ronald Regan u qëllua me një statujë xhami nga një aktivist antibërthamor në vitin ‘92. Shembujt janë të shumtë e madje me pasoja të papëlqyera, siç ishte gjakosja e kryeministrit Silvio Berluskonit para tri vitesh, pasi u godit në fytyrë me një statuetë prej mermeri, gjatë një aktiviteti në Milano.
Zëri i studentëve dhe i pedagogëve u injorua për ligjin për arsimin e lartë. Atë që nuk e bënë dot as pedagogët e as opozita, e bënë studentët, pikërisht ata që këto ditë po ndajnë në rrjetet sociale rastet personale të vështirësive financiare që hasin familjet e tyre për të përballuar arsimimin universitar, tashmë me kushte e tarifa të reja. E këto histori nuk janë të panjohura, sepse secili nga ne i has me familjarë, kushërinj a të njohur, në kushtet kur pagat janë të ngrira prej ndy vitesh, ndërsa kosto e jetesës është rritur.
E prandaj ishte krejt i pavend cinizmi, modeli dritëshkurtër për të qenë “në modë”, “kundër rrymës”, duke zhvlerësuar një akt që ata të rinj e bënë së pari për të tashmen e tyre. Intelektualë e mendimtarë, analistë, edhe nga ata që Blendi Fevziu e tha javën e kaluar, se figurojnë si rrogëtarë në listat e partive politike, tentuan t’i shtrembëronin kuptimin asaj formë proteste.
Ata që veç flasin e bëjnë kritizerin gjithë ditën e ditës, u bënë “biografinë” si në kohën e errët të diktaturës atyre studentëve, që nderokan me grusht apo këndokan Internacionalen. Vallë kjo e bën më pak të rëndësishme kauzën e tyre?
Pas një çerek shekulli pluralizëm politik e mendimi, vallë ai që nuk vepron, nuk bën gabim? Rroftë demokracia e llapjes, me ose pa pagesë! Poshtë demokracia e reagimit qytetar! A e meritojmë vërtetë demokracinë?


(d.d/GSH/BalkanWeb)



Etiketa: