Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari ka folur për raportet e kryeministrave të dy shteteve shqiptare, Edi Rama dhe Albin Kurti, ku shprehu keqardhjen e tij duke konstatuar se e gjithë kjo shkon në dëm të shqiptarëve.
“Kjo që po ndodh, mua personalisht si edhe çdo shqiptari, nuk më pëlqen aspak. Një situatë ku dy kryeministra shqiptarë të dy shteteve në Ballkan, pra Kosovës dhe Shqipërisë të mos ulen të takohen dhe t’i koordinojnë aktivitetet. Kjo definitivisht shkon në dëm të të gjithë shqiptarëve të cilët jetojnë këtu në Ballkan”, theksoi Taravari.
Në një intervistë në EuronewsAlbania, ai tha se nuk duhet të kërkohet etimologjia, por se situata që u krijua është shumë e vështirë dhe shumë e komplikuar në përgjithësi për shqiptarët.
“Mendoj se Rama dhe Kurti duhet urgjentisht të ulen të bisedojnë. Ne si Aleancë për Shqiptarët dhe si shqiptarë të Maqedonisë, do e kishim ngritur si iniciativë që shembull në Shkup të organizohet një takim ndërmjet dy kryeministrave, ku do kishin një agjendë afatshkurte, agjendë afatmesme dhe afatgjate, që kanë të bëjnë me çështjen e shqiptarëve që jetojnë këtu në Ballkan dhe jo vetëm në dy shtetet shqiptare”, nënvizoi Taravari.
Kryetari i ASH-së, tregoi se nuk ia ka thënë këtë kryeministrit shqiptar Edi Rama, pasi gjatë vizitës së tij në Shkup, nuk janë takuar personalisht, por Rama ka takuar disa ministra të partisë së tij.
“Por ja tani e them publikisht se do kisha ndërmarrë iniciativë që për z. Kurti dhe z. Rama të organizohet takim këtu në Shkup, ku do të bëhej strategji për dy shtetet, që pastaj ajo strategji të ketë impakt të fuqishëm për të gjithë shqiptarët që jetojnë në rajon. Absolutisht jemi faktori më i rëndësishëm në rajon si shqiptar. Kemi dy shtete dhe si popull përbëjmë një të tretën e popullsisë në RMV dhe përqindje të konsiderueshme në Mal të Zi”, u shpreh Taravari.
Në intervistën për EuronewsAlbania, kryetari i ASH-së Arben Taravari tha se shqiptarët duhet të koordinohen dhe të jenë ata që do ta drejtojnë vallen e ngjarjeve në Ballkan, duke menduar këtu kryesisht procesin e euro-integrimit, dhe se nuk duhet të merren me njëri-tjetrin duke përsëritur atë që fatkeqësisht na ka ndodhur gjithmonë në historinë tonë.