PRESHEVE– Në mungesë të këshilltarëve shqiptarë nga Medvegja, 68 Këshilltarët Shqiptarë të Luginës së Preshevës, nesër në orën 11 pritet ta mbajnë seancën e Kuvendit, ku edhe pritet të miratohet krijimi i Asociacionit të Komunave Shqiptare të Luginës së Preshevës.

Siç shkruan “Koha.net”, liderët shqiptarë të Luginës, janë të vendosur se duhet të ketë reciprocitet sa i përket krijimit të Asociacionit. Kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, ka deklaruar se kjo nismë ka ardhur pas nënshkrimit të marrëveshjes së dy qeverive në Bruksel për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe.

Mustafa ka shtuar se Asociacioni i Komunave Shqiptare do të jetë i njëjtë me atë të Komunave serbe të Republikës së Kosovës, duke u bazuar gjithnjë në parimin e reciprocitetit.

Mbështetje Mustafës i ka dhënë edhe kryetari i Bujanocit, Nagip Arifi. Për një vendim të tillë, liderët shqiptarë të Luginës së Preshevës, thonë se kanë mbështetje nga Kosova dhe Shqipëria.

Ndërkaq, nuk u bën përshtypje kërcënimi i Ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiç, i cili tha se liderët shqiptarë duhet të mos marrin veprime që janë në kundërshtim me shtetin serb.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb