Një javë pas shkarkimit nga Ministria e Jashtme të konsulles shqiptare në Milano, Luljeta Çobanaj, komuniteti shqiptar në qytetin verior italian i ka dërguar një peticion të dërguar presidentit Nishani, kreut të Kuvendit Ilir Meta, kryeministrit Rama, Ministrit të Punëve të Jashtme Bushati, ambasadorit amerikan në Tiranë Lu dhe trupit diplomatik në Shqipëri, ku proteston kundër pushimit nga puna të saj.

Kjo e fundit është pushuar nga detyra nga ana e ministrit Bushati për shkak të një denoncimi publik në media, ku qytetarët që i drejtoheshin konsullatës shqiptare në Milano, duhej të paguanin një shumë parash prej 1 mijë euro për të marrë një ceritifikatë martese, shkruan Shqip.

Pas këtij vendimi, komuniteti shqiptar në qytetin italian ndihet i tronditur dhe e konsideron të turpshëm filmimin që ka pasur si qëllim denigrimin e figurës së Luljeta Çobanajt.

“Pushimi arbitrar i Konsulles tonë të nderuar në Milano është një shuplakë për gjithë komunitetin shqiptar dhe një minus i madh për imazhin e Shqipërisë në sytë e politikes milaneze, ku zonja Çobanaj është shumë e konsideruar dhe e respektuar, – lexohet në peticion. – Si është e mundur që mjafton që dikush të hedhë hijen e dyshimit të të qenit të korruptuar, pa asnjë fakt konkret, mbi një titullar apo ministër dhe ky i fundit të shkarkohet nga detyra pa ju dhënë mundësia të japë as shpjegimin më të vogël? Apo mos vallë është legjitim dyshimi ynë që pas kësaj lëvizje të ndërtuar në tavolinë “kundër korrupsionit” qëndron një lëvizje e nëndheshme që godet ndershmërinë dhe pakorruptueshmërinë, në këtë rast konkret të zonjës Çobanaj?”.

Komuniteti shqiptar në Milano, beson mes të tjerash se ky incident, siç e cilësojnë ata, do të riparohet në kohë rekord, duke pasur besim te organet qeverisëse shqiptare.

“Kërkojmë me këmbëngulje, të gjithë së bashku, të bindur në pastërtinë e Luljeta Çobanaj të rehabilitoni figurën e saj të nderuar dhe të nxirrni përpara ligjit ata që thurën rrjetën helmuese te merimangës së zezë”, – thuhet mes të tjerash në peticion, vijon Shqip.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb