PRESHEVË- Politikanët shqiptarë në Serbi nuk e shohin të arsyeshme daljen në zgjedhjet presidenciale. Ata kërkuan gjatë fushatës që të negociojnë votën e tyre me kandidatët për president, por në këtë pjesë fushata duket sikur nuk ka ekzistuar.Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani thotë se të drejtat e shqiptarëve kanë ngelur kryesisht në letër.
“Nuk kemi ndonjë arsye për të përkrahur kandidatët që garojnë në zgjedhjet presidenciale, sepse nuk kemi ndonjë ofertë të paraqitur nga ata. Madje në trevat tona nuk është bërë aspak fushatë. Këtu nënkuptojmë se nuk jemi të barabartë dhe nuk trajtohemi si qytetarë të Republikës së Serbisë, pavarësisht problemeve të shumta me të cilat ballafaqohemi ne shqiptarët e Luginës së Preshevës”, tha Ardita Sinani, kryetare e Preshevës.
Belgzim Kamberi, drejtues i Këshillit për të Drejtat e Njeriut, thotë se shqiptarët në Serbi janë pjesë e proceseve rajonale dhe të drejtat e tyre mund të realizohen.
“Mendoj se dy çështje kryesore paraprake, që duhet t’i ketë çdo kandidat për president të Serbisë, janë pasja e një ideje dhe platforme konkrete për Luginën e Preshevës dhe njohja e pavarësisë së Kosovës”, tha Belgzim Kamberi, Këshilli për të Drejtat e Njeriut, Preshevë.

(i.ç/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: