Ministrat britanikë raportohet se po hartojnë plane për të kthyer mbrapsht mijëra azilkërkues shqiptarë menjëherë pasi ata mbërrijnë në Angli në një përpjekje për të lehtësuar krizën e krijuar nga emigracioni i shtuar në kanalin e La Manshit.

Qeveria britanike planifikon të dërgojë personat e ardhur drejt Evropës Lindore brenda disa ditësh duke mos u dhënë kohë për të apeluar vendimin. Aktualisht, procesi ligjor nënkupton që personat që mbërrijnë duhet të vendosen në hotele me një kosto të madhe për taksapaguesit, sepse emigrantët  mund të mbahen vetëm për një kohë të shkurtër në qendrat e pritjes.

Një tjetër propozim që po shqyrtohet është një ashpërsim i Aktit të Skllavërisë Moderne, për të cilin ministrat thonë se është bërë ‘zbrazëtia më e madhe’ në sistemin e emigracionit. Shifrat e Home Office tregojnë se numri i emigrantëve shqiptarë që pretendojnë se janë viktima të skllavërisë moderne do të dyfishohet këtë vit në rreth 5000 të tillë.

Ministri britanik i Emigracionit Robert Jenrick tha për The Telegraph se shqiptarët po ‘abuzonin’ me aktin dhe po vononin përpjekjet për kthimin e tyre në Shqipëri. Raportohet se duke paguar bandat e kontrabandistëve për t’i çuar në Mbretërinë e Bashkuar, deri në 2% e të gjithë meshkujve shqiptarë ose kanë tentuar të kalojnë Kanalin ose po mendojnë ta bëjnë këtë në të ardhmen e afërt.

Sipas DailyMail taksapaguesit aktualisht britanikë po paguajnë afro 7 milionë paundë në ditë për të strehuar dhjetëra mijëra azilkërkues në hotele pasi Home Office arriti të përpunojë vetëm 4% të kërkesave për azil nga njerëzit që kaluan Kanalin vitin e kaluar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb