Sekretarja e Marrëdhënieve me Publikun, Silva Caka në një deklaratë për mediat bëri me dija se Shqipëria kryeson listën e vendeve Europiane, sa i përket varfërisë.

“Kjo ndodh sepse në Shqipëri në qeverisjen e Ramës, lulëzon kontrabanda dhe pastrimi i parave të pista. Shqiptarët konsumojnë vetëm produkte kontrabandë. Shqipëria në listën e zezë të DASH të indekseve negative”, tha ajo .

Deklarata e plotë:

Qeverisja e Rilindjes po zhyt thellë e më thellë shqiptarët në pasiguri dhe në ankthin e varfërisë.
Edi Rama dhe Qeveria e tij me grabitjen e pashembullt në gjithë pluralizmin, vetëm shton të varfërit në Shqipëri dhe grabit miliarda për veten dhe oligarkët e klientët e saj. Të dhënat janë tronditëse dhe ato vijnë nga Eurostat, Agjencia Europiane e Statistikave.
Shqipëria kryeson listën e vendeve europiane me nivelin më të lartë të rrezikimit nga varfëria ose përjashtimi social, i cili sipas studimit më të fundit nga Eurostat, i publikuar ditën e djeshme, ka kapur shifrën 43%. Pra rreth gjysma e shqiptarëve rrezikohet nga varfëria.
Roli kryesor i qeverive në çdo shtet të botës, misioni kryesor, është të minimizojë fashën e popullsisë që rrezikon të shkojë drejt varfërisë, ndërkohë që kjo shifër në Shqipëri, vetëm zgjerohet. Por pse ndodh kjo?
Sepse në Shqipëri, nën qeverisjen e Edi Ramës, kanë lulëzuar dhe mbizotërojnë vetëm kontrabanda, trafiqet dhe pastrimi i parave të pista.
Në periudhën prill-qershor 2022, importi i karburanteve ra me 16.7%, por INSTAT deklaroi se konsumi për këto produkte u rrit me 5.2%, çka tregon shumë qartë se shqiptarët konsumojnë vetëm produkte kontrabandë, të cilat çojnë të ardhura vetëm në xhepin e Rilindjes dhe oligarkëve dhe asnjë të ardhur në buxhetin e shtetit.
Të tre këto fenomene kriminale, e kanë futur Shqipërinë në listën e zezë të DASH, me indekse negative, të cilat vetëm përkeqësohen.
Megjithatë, le të japim një shpjegim të kritereve të varfërisë, që janë përdorur në këtë studim të Eurostat-it. Sipas kësaj Agjencie, që të konsiderohesh i varfër, duhet të jesh në:
1-Pamundësi për të paguar në kohë këstet e kredisë apo qirasë, blerjet me këste ose pagesa të tjera;
2- Pamundësi për të përballuar shpenzimet për pushimet vjetore, një javë larg nga shtëpia;
3- Pamundësi për të përballuar një vakt me mish, pule, peshk, një herë në dy ditë;
5-Pamundësi financiare për të përballuar një telefon (duke përfshirë telefonin celular);
6- Pamundësi financiare për të pasur një TV me ngjyra;
7- Pamundësi financiare për të pasur një makinë larëse;
8- Pamundësi financiare për të pasur një makinë;
9- Pamundësi financiare e familjes për mbajtjen e shtëpisë ngrohtë në dimër.
Ne të gjithë e dimë, që shumë shqiptarë edhe këto i konsiderojnë shpenzime luksi, pasi të mos harrojmë që po Eurostat, përpara pak javësh nxorri një tjetër të dhënë të frikshme, sipas të cilës rreth 74% e shqiptarëve jetojnë me 5 ose më pak dollarë në ditë.
Rritja galopante e çmimeve dhe mungesa e paketave sociale të ndihmës për çdo kategori, thellon edhe më shumë varfërinë. Edhe rritja e çmimeve, që si derivat duhet të sjellë më shumë të ardhura në buxhetin e shtetit, shkon për të paguar tenderat dhe koncensionet, tek të cilat Qeveria dhe Edi Rama kanë ngelur peng.
Mos harroni, që të gjithë ne paguajmë çdo ditë 80.000 Euro, në mënyrë që pronarët në arrati të inceneratorëve, të paguajnë nën dorë pronarët e padeklaruar.
Të ardhurat ditore të shqiptarëve vijnë vetëm nga puna, kryesisht në sektorin privat dhe rrogat janë aq të ulëta, sa nuk iu lejon atyre mundësinë e kursimeve. Por një tjetër e dhënë rrezikon shqiptarët, të cilët nuk punojnë në administratën publike dhe nuk kryejnë trafiqe narkotikësh apo kontrabandë:
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për 6-mujorin e parë të 2022, vlera e investimeve të kompanive shqiptare jashtë vendit arriti në 60 milionë euro, tre herë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ky është njëkohësisht edhe niveli më i lartë që prej vitit 2011.
Pra, informaliteti, mungesa e punonjësve, trajtimi fiskal i pandershëm dhe i pabarabartë, kontrolli i tregut nga oligarkia dhe korrupsioni, detyrojnë bizneset të largohen nga Shqipëria drejt vendeve të rajonit apo më gjerë.
E të gjithë ne e kemi të qartë që ky është një efekt domino, i cili nuk bën asgjë tjetër veçse detyron shqiptarët të largohen si pasojë e papunësisë së lartë dhe rrënon e shpopullon Shqipërinë. Axhenda e shpopullimit i shërben hajdutërisë, mosdhënies së llogarisë, korrupsionit, trafiqeve e shumë fenomeneve të tjera kriminale.
Vazhdimi me këto ritme, do të çojë në falimentimin e Shqipërisë, pasi largimi i forcës së punës, jo vetëm që çon në krizë bizneset, por ul ndjeshëm të ardhurat në buxhetin e shtetit, duke bërë që shteti të mos kryejë dot asnjë investim, të mos paguajë dot pagat e pensionet, të boshatiset e pashmangshmërisht të falimentojë apo fatkeqësisht të dalë në shitje.
Çdo ditë që Edi Rama dhe Qeveria e tij vazhdojnë të jenë në detyrat e tyre, Shqipëria dhe shqiptarët shkojnë drejt greminës, prandaj zgjidhja e vetme është përmbysja e tyre një orë e më parë.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb