Seria A sonte do të luajnë ndeshjet që do të plotësojnë javën e 10-të të kampionatit. Në mes të 8-të sfidave dy prej tyre janë derbe shqiptarësh.

Në stadiumin “San Paolo”, Napoli i Elseid Hysajt do të presë Empolin e Frederik Veselit. Mbrojtësi i krahut të djathtë të Napolit Hysaj ashtu si gjithmonë do ti luajë të gjithë minutat e sfidës, ndërsa për Veselin gjithçka është në diskutim. Në sfidat e fundit ai ka marrë minutazh, por kjo e sotmja pritet të jetë e veçantë pasi duket se ka fituar besimin e trajnerit dhe mund ta nisë nga fillimi.

Një tjetër sfidë që do të vërë përballë, jo më dy, por tre shqiptarë, do të jetë ajo e cila do të luhet në stadiumin “Adriatiko”, mes Peskarës dhe Atalantës. Në ekipin e “delfinëve” të Peskarës janë dy “kuqezi”, Ledian Memushaj që është edhe kapiten por dhe një nga lojtarët më deçiziv të bardhekaltërve, por dhe Rei Manaj i cili do të jetë deri në fund në garë me Benalin dhe Pepen për një vend titullari. Nga ana tjetër tek “bergamaskët” e Atalantës Etrit Berisha do të mbrojë katërkëndorin e portës.
E sigurt është se shumë nga tifozët “kuqezinj” sonte në 20:45 do të jenë me sy e veshë për të ndjekur yjet e tyre në Seria A.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: