Nga Aurora Golemi

Emisioni i kësaj të premteje “Shqiptarët për Shqiptarët” në News24 dhuroi sërish emocione të forta dhe surpriza duke mbajtur të mbërthyer para ekranit mijëra shikues.
Agronit, endacaku me zemrën e “bardhë” u bë pronar i një banese, çelësat e së cilës ia dorëzoi në dorë Elvis Naçi. Elvisi dhe Sidriti e shoqëruan atë duke e ndihmuar të transformohej në një zotëri të vërtetë. “Shqiptarët për shqiptarët” i riktheu dinjitetin e humbur rrugëve të Tiranës.

“Mos u çudit fare, se ëndrrat kthehen në realitet, ajo që duket e pamundur bëhet e mundur. Vëllai ynë i dashur hape derën dhe merri këto çelësa, se kjo shtëpi është shtëpia jote”, tha Elvis Naçi.
Për Agronin ishin rezervuat surpriza të tjera në studion e emisionit, ku mbërriti dhe mësoi të reja të tjera.

“Tashmë Agroni do të jetë drejtor në krye të departamentit për të pastrehët në fondacionin Firdeus”, tha Naçi në studion “Shqiptarët për shqiptarët”
Edhe Lindita e sëmurë me kancer dhe me një këmbë, do të ketë mundësi të ecë si gjithë të tjerët me vendosjen e protezës. Gjeti forcën që i mungonte e thotë se gjithçka është një mrekulli. Kërkesa për një banesë afër spitalit në Tiranë iu plotësua nga Elvis Naçi.

“Kjo është shtëpia që ti do të qëndrosh si princeshë. Do jesh e qetë pasi është pranë spitalit”, u shpreh Naçi.
Për ta bërë Linditën plotësisht të lumtur, “Shqiptarët për shqiptarët” i bënë surprizë me njeriun që ajo adhuron. Këngëtarja vlonjate Aurela Gace e vizitoi në spital e veshur si një mjeke.

“Shqiptarët për shqiptarët” u rikthye sërish tek Zinepi në Gostivar për t’i falur edhe asaj momente të gëzueshme. Zinepi mori ilaçet e nevojshme, ushqime dhe një shtëpi të re, qiraja e së cilës është paguar nga shqiptarët.

Qindra mesazhe e telefonata merr stafi i emisionit “Shqiptarët për shqiptarët” nga njerëz që duan ët ndihmojnë e të ndihmohen, nga njerëz që duan të dalin nga dhimbja, errësira dhe dëshpërimi dhe shqiptarët do të jenë gjithmonë aty, pranë tyre, kudo ku jetojnë, në Shqipëri dhe gjithë trojet shqiptare.

EMISIONI I PLOTË
https://youtu.be/OJVU8v5bN14

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb