PRESHEVE- Lugina e Preshevës po zbrazet dita ditës nga shqiptarët. Banorët thonë se janë të diskriminuar nga politika serbe e të anashkaluar nga Tirana e Prishtina. Politikanët lokalë sipas tyre po i shikojnë vetëm përfitimet e veta, pasi mirëqenien e popullit nuk e kanë prioritet. Përkrahje nuk kanë e as nuk presin nga Serbia, të cilën e konsiderojnë armike, ndersa nga Shqipëria e Kosova kanë dëgjuar vetën deklarata, pa vepra konkrete.

Praninë e shtetit në të cilën jetojnë e shohin vetëm me mbipopullimin me policë e xhandarë përskaj kufirit me Kosovën. Me një papunësi që sillet prej 70 deri në 80 për qind, ata nuk shohin perspektivë për të ardhmen, shkruan sot “Koha”.

Ndërkaq qeveria e Kosovës që vazhdon të merret me pasojat e prezencës së Serbisë në Kosova, edhe për një kohë nuk do ta ketë në axhendë çështjen e shqiptarëve të Luginës. Të drejtat që i gëzojnë serbët në Kosovë, nuk i kanë as për së afërmi shqiptarët e Luginës.

Banorët që has në qytetin e Preshevës hezitojnë të flasin për problemet që i kanë.

“Politikanët pyesni si jetojmë”, thotë një i ri duke rritur dozën e nervozizmit. “Sidomos pushteti i sotëm e ka likuiduar Preshevën, një bankë e kemi, nuk kemi gjyq, nuk kemi asgjë, pushteti i sotëm është më i keqi që e ka qeverisur Preshevën”, shfryn ai mllefin. Ai nuk pret të bëhet mirë. “Po çfarë të bëri mirë, edhe ne me ik si refugjatët sirianë”. “Presheva po zbrazet”, përfundon ai.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb