NGA OLA MITRE

TIRANE- Shqiptarëve që punojnë dhe jetojnë në Rumani do iu njihen kontributet e sigurimeve për efekt pensioni. Kjo, falë marrëveshjes “Për mbrojtjen shoqërore”, e cila bazohet në parimin e trajtimit të barabartë të punëtorëve në punësim dhe trajtimin me përfitime e të ardhura, duke shmangur barrierat mes shteteve. Ajo është miratuar në parim me vendimin nr.626, datë 24.9.2014, të Këshillit të Ministrave dhe është nënshkruar në Bukuresht, më 27.2.2015, ndërkohë që aktualisht është duke u diskutuar në komisionet parlamentare në vendin tonë.

Në bazë të kësaj marrëveshjeje, përfituesit do të kenë të drejtën e bashkimit të periudhave të sigurimit të derdhura në Shqipëri dhe Rumani duke mundësuar: përfitime në të holla në rast sëmundjeje dhe barrë-lindjeje, aksidentesh në punë e sëmundjesh profesionale, për pensionet e pleqërisë, familjare dhe të invaliditetit, për llogaritjet e pensioneve e trajtimin në rastet e periudhave të sigurimit nën një vit apo pagesat për vdekje. Sipas relacionit që shoqëron projektligjin në Kuvend, kategoritë për të cilat do të zbatohet ajo për përfitime nga skema e detyrueshme e sigurimeve shëndetësore, janë: personat e punësuar, individët e vetëpunësuar, punonjësit e papaguar të familjes, personat e tjerë ekonomikisht aktivë, personat, që marrin përfitime nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe personat që marrin ndihmë sociale apo pagesë paaftësie, në përputhje me legjislacionin përkatës.

Po ashtu, ajo do të ketë efekte pozitive dhe për personat e regjistruar si punëkërkues të papunë në Shërbimin Kombëtar të Punësimit, azilkërkuesit e huaj në Republikën e Shqipërisë, fëmijët nën moshën 18 vjeç, nxënësit dhe studentët nën moshën 25 vjeç me kusht që të mos kenë të ardhura nga aktivitetet ekonomike, kategoritë e individëve të përcaktuar me ligje të veçanta dhe personat që janë siguruar vullnetarisht. Ndërkaq, sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, janë rreth 1 500 shtetas shqiptarë, të cilët jetojnë në Rumani dhe që pritet të përfitojnë nga kjo marrëveshje. Ndërkohë që duke pasur parasysh që emigrantët shqiptarë, që kanë periudha sigurimi janë relativisht të rinj dhe atyre u duhen të paktën 6-10 vite për të dalë në pension, efektet financiare do të fillojnë pas kësaj periudhe.

MARRËVESHJET
Instituti i Sigurimeve Shoqërore në bashkëpunim me ministrinë e linjës është duke punuar për nënshkrimin e një sërë marrëveshjesh me shtete të ndryshme ku jetojnë dhe punojnë shtetas shqiptarë, me qëllim mbrojtjen shoqërore e më konkretisht njohjen reciproke të kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore. Përmes tyre synohet që shtetasve shqiptarë që kontribuojnë në këto shtete të mos u digjet asnjë sigurim e po kështu edhe shtetasve të huaj që jetojnë e punojnë në vendin tonë. Nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve paraprihet nga disa raunde negociatash, ndërkohë që për shtete të ndryshme, faza në të cilat ndodhen secila prej tyre është e ndryshme. Negociatat janë të hapura me 14 shtete, ndërkohë që vetëm njëra prej marrëveshjeve është finalizuar plotësisht e është duke u aplikuar.

Bëhet fjalë për mbrojtjen shoqërore të shtetasve shqiptarë që punojnë e jetojnë në Turqi dhe anasjelltas, të cilët po përfitojnë nga marrëveshja e lidhur mes dy vendeve. Ajo hyri në fuqi në datën 15.04.2005, ndërkohë që sipas ISSH, në zbatim të saj janë kryer deri tani 500 procedura, duke realizuar kështu të drejtat e shtetasve shqiptarë dhe turq për sigurimet shoqërore. Megjithatë, sfida më e madhe janë Italia dhe Greqia, për shkak të numrit të madh të emigrantëve shqiptarë në këto vende. Në këtë kuadër, në janar të vitit të kaluar, kryeministri Edi Rama bëri me dije se pas vizitës së kryeministrit italian në vendin tonë, Matteo Renzi ka nisur bashkëbisedim për të ngritur grupet negociatore me Italinë. “Një vend ku numri i emigrantëve është i jashtëzakonshëm, ku negociatat janë më të vështira, por ku edhe mesazhi i bashkimit të shqiptarëve rreth vendit amë do të jetë shumë i fortë, pasi të gjithë ata shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Itali, me finalizimin e kësaj marrëveshjeje, për gjitha vitet që kanë punuar në Itali dhe janë rropatur në Itali do të marrin pension italian dhe për vitet që kanë punuar në Shqipëri, pjesën tjetër. Dhe mesatarja do të jetë sigurisht një pension i rëndësishëm”, tha Rama në atë kohë. Ndërkaq, është finalizuar marrëveshja me Belgjikën, Luksemburgun dhe Gjermaninë.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: