Të mësuar këto vite me lajme kronike nga shqiptarët në Angli, me histori jo fort të këndshme dhe me dramën e kalimit të kanalit të rrezikshëm me anije, kemi harruar të kujtohemi për bashkëkombasit tanë që ia dalin madje dhe shkëlqejnë në fusha të ndryshme.
Dëshmia e fundit është një 21-vjeçare nga Tirana që mori rezultate maksimale në Bachelor, në prestigjiozin Universitetin of Low.
Xhesika Fufi pati sukses me 95 nga 100 pikët e mundshme.
Studentja shqiptare në Angli, Xhesika Fufi
Ajo ka marrë përgëzime nga stafi akademik dhe drejtuesit e ULOW, ndër 10 më të mirët në Mbretërinë e Bashkuar. Xhesika kërkon të avancojë në studimet e saj në drejtësi dhe së shpejti do të ndjekë masterin në këtë fushë. Gjithsesi ajo ka dëshirë të kthehet në Shqipëri pas përmbushjes akademike dhe kërkon të japë kontribut në qytetin dhe vendin e saj.
Janë jo pak të rinj shqiptarë që synojnë të marrin dije dhe të afirmohen në universitetet angleze, që rankohen nga më të mirët në botë.
Ka po ashtu jo pak raste, kur shqiptarët janë bërë dhe pjesë e akademisë atje si lektorë e mësimdhënës, deri në prestigjiozen London School of Economics (LSE) që konsiderohet si Harvardi i Europës. London School of Economics mori këtë vit vendin e parë në renditjen e përgjithshme vjetore si Universiteti më i mirë në Mbretërinë e Bashkuar. Renditja është publikuar në gazetën londineze Times. London School Economics “rrëzon” kështu nga froni Universitetin e Oxfordit i cili ka pësuar rënie me tre vende, ndërsa Cambridge i katërti, vlerësime këto më të ulëtat që janë regjistruar ndonjëherë. Në vendin e dytë renditet Universiteti St.Andrews. Renditja e universiteteve në Britaninë e Madhe bazohet në perspektivat e të diplomuarve, kënaqësinë e studentëve me mësimdhënien, cilësinë e kërkimit dhe standardet e për t’u bërë pjesë.
(BalkanWeb)