The Telegraph ka zbuluar të dhënat sa i takon kriminalitetit të të huajve me bazë kombësie. Sipas shifrave të arrestimeve të policisë, emigrantët kanë më shumë se tre herë gjasa të vihen në pranga për vepra seksuale, në raport me qytetarët britanikë. Konkretisht, sipas një raportimi të gazetës britanike, Policia ka bërë më shumë se 9 mijë arrestime të të huajve për vepra seksuale 10 muajt e parë të vitit të kaluar, në 41 nga 43 shërbimet policore në Angli dhe Uells.
Kjo përfaqëson 1/4 (26.1%) të gjithsej 35 mijë arrestimeve të vlerësuara për dhunë seksuale, sipas analizës së parë nga Qendra e Kontrollit të Emigracionit të të dhënave nga forcat e policisë, Zyra e Brendshme dhe Zyra për Statistikat Kombëtare (ONS).
Rezulton se shtetasit e huaj u arrestuan pothuajse 2 herë më shumë se britanikët në 10 muajt e parë të 2024-ës, me 23.9 arrestime për 1000 emigrantë krahasuar me 12 për 1000 për britanikët.
Në përgjithësi, në krime, shqiptarët zënë vendin e parë për arrestime bazuar në popullsinë e tyre në vend.
Shtetasit e huaj kishin 3.5 herë më shumë gjasa të arrestoheshin për dhunë seksuale se sa britanikët, bazuar në një normë prej pothuajse 165 arrestimesh për 100 mijë banorë popullsi emigrante (9055 arrestime) krahasuar me 48 për 100 mijë për britanikët (25 680 arrestime).
Shtetasit e huaj përbëjnë 5.5 mln njerëz në Britani, ndërsa popullsia britanike është 53.5 milionë. Ndërsa të huajt përbëjnë 9% të popullsisë, ata zënë 16.1% të numrit të përgjithshëm të arrestimeve, sipas shifrave të publikuara nga FOI.
Renditja e krimeve i vendos shqiptarët si të parët më të mundshëm për t’u arrestuar, ndjekur nga afganët, irakianët, algjerianët dhe somalezët. Ka 48 kombësi për 1 mijë banorë që kanë më tepër gjasa të arrestohen se sa britanikët.
Arrestime për të gjitha veprat penale
Për të gjitha krimet, rumunët ishin më të arrestuarit me 11.678, ndjekur nga polakët me 9.583, shqiptarët 5.665, indianët 5.414, pakistanezët 4.171, nigerianët 3.317, lituanezët 3253 dhe iranianët me 3.000.
Megjithatë, në raport me popullsinë e tyre, bazuar në shifrat e fundit të ONS nga viti 2021, shqiptarët kishin shkallën më të lartë të arrestimeve me 209.8 arrestime për 1 mijë banorë të popullsisë së tyre, të ndjekur nga afganët (106.9), irakianët (92.9), algjerianët (72.7), marokenët (70) dhe somalezët (64.6). Shifra për të dyshuarit britanikë ishte 12.
Gjithashtu, Qeveria publikoi shifra mbi kombësinë e të arrestuarve dhe kombësinë e shkelësve të huaj të mbajtur në burgjet britanike, të cilat numërojnë më shumë se 10,000. Shqiptarët janë kombësia më e madhe në numrin e të arrestuarve, me 13% , të ndjekur nga polakët, rumunët, irlandezët dhe xhamajkanët.
Robert Bates, themelues dhe drejtor i kërkimit në Qendrën për Kontrollin e Imigracionit, tha: “Nuk duhet të ketë asnjë shtetas të huaj në Mbretërinë e Bashkuar që shkel ligjet tona. Asnjë. Megjithatë, në njëfarë mënyre ne kemi mbi 10,000 shtetas të huaj në burgjet e Britanisë, shumë të tjerë në provë ose të liruar në komunitet dhe një turmë të përsëritur autorësh që nuk mund t’i dëbojmë”.
(BalkanWeb)