Një ngjarje e rëndë u shënua në Athinë disa ditë më parë, ku shqiptari Kastriot Cenko vrau gruan e tij Alba Cenko dhe trupin ia fshehu për një javë në papafingo, derisa u vetëdorëzua në policinë greke. Në lidhje me këtë ngjarje tronditëse, në emisionin Open në News 24 kanë folur gazetarë, ekspertë të kriminalistiës dhe avokatë.
Gazetari Fatjon Gjinaj tha se autori Kastriot Cenko është vetëdorëzuar në polici pas presionit të familjarëve të viktimës. Ai tha se kur policët kanë hyrë në banesë, vinte një erë e rëndë, pasi kufoma kishte një javë që ndodhej në shtëpi. Ish-drejtuesi i policisë Arben Hajdarmataj deklaroi se krimi është gjakftohtë.
Avokati Bledar Bejko tha se krimi duket se ka qenë i paramenduar. Edhe avokati Andi Hasanaj u shpreh se mendon se ka qenë një vrasje e paramenduar, nga vetë rrethanat sesi ka ndodhur.
Gazetari Fatjon Gjinaj: Është dhe një tjetër ngjarje kriminale në familje, që ka ndodhur në Greqi. Në ngjarjen tjetër, nuk ishte pranuar divorci. Ndërsa, në ngjarjen që po flasim sot, e bën tronditës fakti që trupi është fshehur pranë ambientit familjar, mekanizmi që ka përdorur autori dhe skema që ka përdorur për ta manipuluar ngjarjen. Autori shkruante në mesazhe sikur ishte gruaja e vdekur. Kur pa se situata i doli jashtë kontrolli, shkoi dhe u dorëzua në polici. Autori u vetëdorëzua pas presionit nga familjarët e Alba Cenkos. Gjendja në banesë ishte e tmerrshme. Në banesë vinte një erë e rëndë, pasi trupi kishte një javë që rrinte në shtëpi. Familjarët ngrenë pikëpyetje edhe për vizitën e nënës së autorit. Ka qenë një çift normal, sipas fqinjëve, që kanë thënë se nuk dinin diçka që ishte e paralajmëruar.
Arben Hajdarmataj: Krimi beosj se ka qenë për motive xhelozie, pasi është krim i çastit. Çifti mund të ketë pasur një debat, që ka agravuar dhe autori i dyshuar ka kryer edhe krimin. Krimi ka qenë për motive të dobëta mendoj unë. Xhelozia në asnjë rrethanë nuk mund të shkojë në krim, por mund të kryhet divorci. Janë momente që autori nuk përballon situatën dhe çon në këtë vendim makabër. Autori është përpjekur të humbë gjurmët. Është një person gjakftohtë në veprimet e tij kriminale, sepse ka vrarë gruan, e ka dërguar tek papafingo dhe ka bërë manipulime me të gjithë të afërmit.
Bledar Bejko: Autori duket që është manipulator. Mendoj se ka qenë një vrasje e paramenduar. Ai e ka bluar ngjarjen dhe ka vepruar në momente psikopatie. Manipulimi ka qenë një rrugë e shkurtër, pasi ngjarja ishte e zbardhur, nuk kishe çfarë t’i bëje.
Andi Hasanaj: Autori është menduar ta shesë ngjarjen për xhelozi, por mendoj se e ka menduar më herët vrasjen. E marrin të mirëqenë se krimi ka qenë në momente të tronditjes psikike, por mënyra si ka vepruar nuk duket se tregon këtë gjë. Ka bërë një inskenim, që të lë të mendosh se ka qenë e menduar. Por janë hetimet që e përcaktojnë.
(Balkanweb)