E meritoi nofkën ‘shqiptari më i urryer’ për shkak të një krimi më shumë moral por jo vetëm, duke ngritur mijëra fish çmimin e ilaçit për të sëmurët me HIV/AIDS dhe për këtë po përballet me drejtësinë amerikane. Por me sa duket Martin Shkreli nuk rri rehat as në burg ku po vuan dënimin për mashtrim të investitorëve.

Sipas mediave amerikane dyshohet se Shkreli po e drejton kompaninë e tij farmaceutike nga prapa hekurave, duke përdorur një celular të futur në mënyrë të paligjshme.

Zyra Amerikane e Burgjeve tha për “Associated Press” se ka nisur një hetim nëse personi me nofkën “Pharma Bro” ka shkelur rregullat e burgut që ndalojnë të burgosurit nga drejtimi i biznesit dhe posedimi i celularëve.

Shkreli Ap
Shkreli Ap

Edhe “The Wall Street Journal”, raportoi se Shkreli vazhdon të ketë ende ndikim në kompaninë e themeluar prej tij “Pheonixus AG” edhe pse është pas hekurave, përmes një telefoni celular.
Por jo vetëm kaq. Ai ka postuar vazhdimisht në mediat sociale dhe madje ka pushuar nga puna drejtorin ekzekutiv të kompanisë disa javë më parë.

Shkreli Wsj
Shkreli Wsj

Shkreli është në burg prej 17 muajsh, ndërsa vuan një dënim 7-vjeçar pasi është shpallur fajtor për tetë akuza mashtrimi. Në shtator të 2015-ës, Shkreli rriti me 5000% çmimin e ilaçit Daraprim, që përdorej nga të sëmurët me HIV/AIDS duke e çuar çmimin në 750 dollarë për kapsulë.

Në dhjetor të 2015-ës ai u procedua penalisht për akuzën e mashtrimit dhe u shpall fajtor në gusht të 2017-ës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb