Historia e 19-vjeçares shqiptare Antonela Zenelaj ka qenë në fokus të mediave italiane ditët e fundit, pasi familja e saj kërkoi ndihmën e emisionit “Le Iene”, për ta rikthyer vajzën në banesë. Antonela është e shurdhër dhe ka lindur me prapambetje mendore.

Nga ekzaminimet e kryera rezulton se vajza mund të manipulohet lehtësisht, pasi mendon si një 8-vjeçare. Në vitin 2017, në një takim me të rinj shurdhmemecë në Romë Antonela njohu Xhovanin, një djalë nga Napoli me të cilin u dashurua. Pak muaj më vonë, vajza u largua nga banesa, ndërroi numrin e telefonit dhe fshiu të gjithë të afërmit nga rrjetet sociale.

Motrat e saj dyshojnë se Antonela është manipuluar nga nëna e Xhovanit, e cila e mban vajzën në një banesë në Napoli, vetëm për të përfituar nga pensioni që ajo merr, që shkon në rreth 900 euro në muaj. Gazetarët e emisionit “Le Iene” në Italia1 arritën të gjenin shtëpinë ku qëndron vajza, por ajo nuk pranoi ta hapte derën.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Në pamundësi për të gjetur zgjidhje në Itali, ku Antonela konsiderohet maxhorene dhe ka të drejtë të jetojë me të dashurin, familja e saj kërkon ndërhyrjen e shtetit shqiptar. News24 takoi në Vlorë motrën e 19-vjeçares.

Motra e Antoneles Eliza Zenelaj shprehet e bindur se vajza është manipuluar nga nëna e të dashurit të saj, e cila e ka bërë të besojë se familja nuk e do. Gjatë këtyre muajve që vajza është larguar nga shtëpia pensioni i saj është tërhequr me shumë mundësi nga nëna e djalit italian. Emisioni “Le Iene” komunikoi me nënën e Xhovanit, e cila tha se pretendimet e familjes për prapambetjen mendore të vajzës nuk janë të vërteta. Sipas saj, të rinjtë janë maxhorenë dhe kanë të drejtë të jetojnë bashkë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb