ITALI- Një grua shqiptare ka humbur jetën në Maniago të Italisë, por familjarët e saj akuzojnë mjekët e urgjencës që nuk i kanë dhënë ndihmën e parë. Gjithçka që ndodhi me Liri Spirin, që nga momenti kur i filloi vështirësia në frymarrje dhe deri sa shkoi në dyert e spitalit, ku edhe vdiq, tregohet nga vajza e saj Ariana, e cila thotë se familja e tyre nuk do ta lërë me kaq këtë histori.

Gazeta lokale “MessageroVeneto” shkruan sot se 66-vjeçarja shqiptare ka pësuar infarkt në orën 17:30 minuta të së premtes së shkuar sapo ka mbërritur në derën e spitalit, ndërsa familja pritet të ngrejë një padi ndaj shërbimit të urgjencës në Maniago, pasi vajza i kishte lajmëruar për gjendjen e së ëmës që në orën 16:50 dhe askush nuk kishte mbërritur për ta marrë.
ambulanca
66-vjeçarja jetonte prej vitesh në Maniago të Italisë, ndërsa vajza e saj akuzon urgjencën se kanë ngatërruar shenjat e atakuat me ato të gripit, duke e çuar drejt vdekjes Spirin.

“Mami kishte temperaturë të lartë, por shqetësimi i saj kryesor ishte vështirësia në frymëmarrje”,- deklaroi Ariana mes lotëve.

17-vjeçarja shton se e ka njoftuar ambulancën, por se ia kanë prerë shkurt, duke i thënë se duhet të kontaktonte me një mjek të përgjithshëm, i cili sipas vajzës, ishte me pushime. “Atëherë unë telefonova ndihmësin e tij, i cili mbërriti për 15 minuta, por nëna ime u përkeqësua ndjeshëm. E hipa me urgjencë në makinë dhe nxituam për në spital që është pak kilometra nga shtëpia jonë”,- tregoi ajo më tej.

Po sipas saj, në momentin që kanë mbërritur në derën e spitalit 66-vjeçarja është shembur në tokë. “Mbërritëm dorë për dore deri tek dera, por aty mamin nuk e mbajtën më këmbët, u shemb në tokë. Mjekët e morën me shpejtësi, u munduan ta kthenin në jetë, por rreth orës 18:15 na thanë që s’mund të bënin më asgjë, ajo kishte vdekur”.

“Nuk e di nëse ndërhyrja e ambulancës do t’i kishte shpëtuar jetën, por di që njerëzit nuk duhet të vdesin në këtë mënyrë, pa ju dhënë ndihmë. Ne ndjehemi të braktisur”,- thotë ajo.

Varrimi i 66-vjeçares Liri Spiri pritet të bëhet sot, ndërsa la pas bashkëshortin Akilin, djemtë Pirro dhe Ermal si dhe vajzën Ariana. Në Shqipëri ajo kishte punuar në industrinë e tekstilit, profesion që e vazhdoi edhe në Itali, ndërsa i gjithë komuniteti e vlerësonte si grua të urtë dhe të mirë.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb