Shtatë persona u vranë në një sulm mes bandave rivale në Guayaquil (jugperëndim), për kontrollin e trafikut të drogës, të cilat lanë gjithsej 14 viktima gjatë fundjavës, njoftoi policia ekuadoriane të hënën.
Persona të armatosur me motoçikleta vranë 7 persona, mes tyre një të mitur, të cilët ishin mblodhur para një dyqani të dielën në mbrëmje. Videot e ngarkuara në faqet e rrjeteve sociale dhe të transmetuara nga mediat paraqesin trupa në rrugë.
Sipas Santiago Tuston, kreu i policisë në rrethin Pasquales, ku u kryen vrasjet, viktimat i përkisnin “organizatave të ndryshme kriminale” dhe kjo mund të çojë në “hakmarrje”.
Gjatë fundjavës, 14 vrasje u kryen në Guayaquil, një qytet me pothuajse tre milionë banorë, porti i të cilit është strategjikisht i rëndësishëm në eksportimin e kokainës në tregjet amerikane dhe evropiane, tha oficeri i policisë. Që nga fillimi i vitit, vetëm në sektorin Pasquales janë vrarë 50 persona.
Të premten, një kolonel i Forcave Ajrore i përfshirë në operacionet kundër bandave të trafikut të drogës u vra pranë burgut të Guayaquil. Sipas qeverisë së presidentit Daniel Noboa, vrasja e tij tregon “gjendjen e luftës” në të cilën thuhet se “është zhytur Ekuadori”.
Guayaquil është kryeqyteti i provincës së Guayas, një nga shtatë (nga 24 gjithsej) ku gjendja e jashtëzakonshme u rivendos muajin e kaluar për të frenuar dhunën.
E ashtuquajtura luftë kundër drogës ka lejuar që shkalla e vrasjeve të bjerë në 38 për 100,000 banorë pas rekordit tragjik prej 47/100,000 në 2023, sipas qeverisë. Në 2018 Ishin 6 për 100.
Presidenti i ri Noboa, një kandidat për rizgjedhje në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale që do të mbaheshin në mesin e prillit, e shpalli vendin në një gjendje “konflikti të armatosur të brendshëm” vitin e kaluar, duke përshkruar rreth njëzet banda si organizata “terroriste”.
Ekuadori ndodhet midis Kolumbisë dhe Perusë, dy vendet me prodhimin më të madh të kokainës në botë. Në vitin 2024, autoritetet ekuadoriane sekuestruan gjithsej 294 ton drogë, kryesisht kokainë, krahasuar me 221 tonë në 2023.