Shtëpia e Bardhë nuk do të përditësojë abonimet në gazetat amerikane, Washington Post dhe New York Times, të cilat presidenti amerikan, Donald Trump shumë shpesh i ka kritikuar, andaj është thënë se ai planifikon t’iu kërkojë edhe agjencive federale ta bëjnë të njëjtën gjë.


“Ne nuk kemi ripërtrirë abonimet tona, kjo është e vërtetë. Kjo gjë do të ndikojë shumë në kursimet e taksapaguesve tanë”, ka thënë zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Stephanie Grisham për agjencinë e lajmeve AFP.


Më 21 tetor, Trump ka thënë për kanalin Fox News se ai nuk dëshiron të pranojë këto të përditshme, sepse i konsideron se janë me lajme “të rreme”.
Grisham ka thënë për The Wall Street Journal se Shtëpia e Bardhë planifikon t’iu kërkojë të gjitha agjencive federale që të anulojnë abonimet për këto dy gazeta amerikane.


Jonathan Karl, udhëheqës i Asociacionit të Korrespodentëve të Shtëpisë së Bardhë ka thënë po ashtu për the Journal se “unë nuk dyshoj se gazetarët e palodhshëm të The New York Times dhe Washington Post do të vazhdojnë të bëjnë punë kualitative pavarësisht nëse presidenti e pranon se i lexon ato”.

“Injorimi i shtypit të lirë nuk do të ndikojë që lajmet të zhduken apo gazetarët të ndalen nga informimi i publikut dhe mbajtja e njerëzve të fuqishëm përgjegjës”, ka shtuar ai.

Përfaqësues nga këto dy të përditshme amerikane nuk kanë komentuar lajmin. The Times dhe Post kanë ndikim të madh në politikën e Shteteve të Bashkuara, sidomos në mbulimin e veprimeve të administratës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb