TIRANE-“Derisa t’mundem me ligjërue, e sa gjall me frymë unë jam, kurr Shqypni, s’kam me t’harrue, edhe n’vorr me t’përmendë kam’’. Janë këto disa nga vargjet e At Gjergj Fishta. Ndërsa lexon këto vargje të ndjera, befas të vjen ndër mend pyetja, ‘vallë a e kujton dhe e nderon poetin e madh “Shqypnia” e sotme”?

Këtu jemi në Fishtë të Zadrimës dhe kjo është ajo cfarë ka mbetur nga banesa e poetit të madh, Gjergj Fishta. I konsideruar si Homeri i kohëve moderne, babai i ‘Lahutës së Malcisë’ ka jetuar në këtë shtëpi me 3 vëllezër dhe një motër. Banesa sot duhet të ishte një pjesë e historisë shqiptare, pasi i përket një prej personaliteteve që i dha zë Rilindjes Kombëtare, një shprehës i idealeve atdhetare në atë masë sa vepra e tij sot konsiderohet një ndër perlat të më mëdha dhe të çmuara të gjerdanit të veprave letrare shqiptare. Por, jo. Banesa e poetit dhe njeriut të madh sot është kthyer në një depozitë për misrat. Thirrjet më shumë se njëherë, dokumentarët për të mirëmbajtur banesën e Fishtës kanë rënë në vesh të shurdhët. Shtëpia është drejt rrënimit të plotë.

Në rrjete sociale, madje ekziston dhe një profil, ‘Të behemi 1 milion dhe të rikonstruktojmë shtëpinë e Gjergj Fishtës’, po duket se nuk ka arritur te terheqe shume ndjekes pas vetes.
Banesa sot ndodhet ne kushte mjerane dhe pret doren e shtetit.

Kush ishte At Gjergj Fishta
Gjergj Fishta lindi në fshatin e vogël Fishtë të Zadrimës më 23 tetor 1871. Fillimisht punoi si bari, por shumë shpejt, kur ishte 6 vjeç, zgjuarsia e tij i bie në sy famulltarit të fshatit, i cili e dërgon Fishtën në Seminarin Françeskan të Shkodrës. Më 1880, kur hapet seminari në Troshan, ai vijon mësimet në këtë shkollë. Këtu ai shfaqi trillin poetik. Më 1886 dërgohet për studime në Bosnjë. Vitin e parë e kaloi në Guçjagorë, afër Travanikut. Mësimet filozofike i mori në kuvendin e Sutidkës, ndërsa ato teologjike në kuvendin e Livnos. Të kësaj kohe janë edhe “Ushtrimet e para poetike”. Më 1893 i kreu studimet shkëlqyeshëm.

Poeti i madh Gjergj Fishta është një nga vazhduesit autentikë dhe të drejtpërdrejtë të Rilindjes Kombëtare, shprehës i idealeve atdhetare dhe demokratike në kushtet e krijuara në shekullin e njëzet dhe kjo shprehet në mënyrë të dukshme edhe në mënyrat e pasqyrimit të jetës në krijimtarinë e tij, si vazhdim i natyrshëm i teknikës letrare të Rilindjes, ku mbizotëron romantizmi, realizmi dhe klasicizmi.

I formuar në periudhën e Rilindjes sonë kombëtare, poeti ynë Gjergj Fishta është një nga vazhduesit më autentikë dhe të drejtpërdrejtë të saj, shprehës i idealeve atdhetare dhe demokratike në kushtet e reja që u krijuan në shekullin e njëzetë.Mënyrat e pasqyrimit të jetës, në krijimtarinë e tij, janë vazhdim i natyrshëm i teknikës letrare të Rilindjes, ku mbizotëron romantizmi, realizmi dhe klasicizmi.Deri më 1899 Fishta shkruan me alfabetin shqip të françeskanëve. Në janar të atj viti ai bëhet bashkthemelues dhe pjestar aktiv i shoqërisë “Bashkimi”, të cilën e drejtoi poeti atdhetar Preng Doçi. Me alfabetin e kësaj shoqërie u botuan edhe krijimet e Fishtës të kësaj periudhe. Më 1902 emërohet drejtor i shkollës françeskane në Shkodër gjer atëherë e drejtuar nga klerikë të huaj. Menjëherë ai fut gjuhën shqipe si gjuhë mësimi në këtë shkollë. Arrin të botojë këngët e para të “Lahutës së Malësisë”, kryevepër e poezisë epike shqiptare, më 1904. Më 1907 boton përmbledhjen satirike “Anzat e Parnasit”, më 1909 përmbledhjen lirike “Pika voëset” më 1913 “Mrizi i Zanave”.
Shpejt Fishta u afirmua si poet dhe si atdhetar. Më 1908 ai mori pjesë në Kongresin e Manastirit si përfaqësues i shoqërisë “Bashkimi”. U zgjodh Kryetar i Kongresit dhe drejtoi punën e Komisionit të Alfabetit.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: