Nga: FATMIRA NIKOLLI*

TIRANE- Një numër i madh shtëpish ngjyra-ngjyra, janë hedhur përdhe. Në mënyrë krejt të çrregullt, ato shtriqen në një hapësirë pa kufij, diku ngjitur njëra-tjetrës, e diku matanë, pa e prekur shoshoqen. Përballë shtëpive të shpërndara, në murin që ngrihet para tyre, në një tablo të madhe që të krijon idenë e një dritareje me 6 ndarje, shfaqet një dirigjent. Ai është me shpinë nga vizitori (mbase për të mos i parë fytyrën, mbase se ai ka disa fytyra, mbase nën petkun e tij është shumëkush). Ka ngritur duart lart dhe në të djathtën, mban baketin. I veshur me frak, ai dirigjon “makthin” urban, ndaj para tij shihen shtëpi të rrafshuara, të rrëmujta, e ndanë tyre, një ekskavator, që është nisur drejt të tjerave themele. Siluetat e dy hijeve që duhet të jenë njerëz, mezi duken, poshtë krahëve ceremonialë të dirigjentit të pafytyrë. Kjo vepër e Sead Kazanxhiut titullohet “Sinfoni territoriale”. Në tejanë, ka një palë shkallë që s’të çojnë askund. Në krye të tyre, nuk ka derë, as dritare. Asgjëmangut, në vend të kësaj ‘dalje’ është vënë ngjitur një poster i madh, që sqaron shumëçka. Secila prej dërrasave që bëjnë trupin e shkallës, strehojnë ‘shtëpiza’ të hedhura. Ato janë “Shtëpizeza” (shtëpi-zeza), një tjetër punë e Sead Kazanaxhiut. Mandej, sheh të të zërë rrugën një tel rrobash. Ai mezi mbahet në ca shkopinj të bardhë që kanë “lëshuar rrënjë” në disa të dukura vazo betoni. Mbi tela ‘thahen’ rroba, të ngjyrshme. Ky instalacion i konceptuar nga Eriona Çami & Romeo Kodra dhe titullohet “Diamo i colori … we would prefer Jackson Pollock”(Pollock 1912-1956, ka qenë piktor amerikan dhe një figurë e rëndësishme në lëvizjen abstrakte ekspresioniste). Të tri veprat e lartpërmendura, janë pjesë e ekspozitës “Fshirje. Banimi në Art” u titullua ekspozita e çelur në datat 16- 18 dhjetor në Muzeun Kombëtar. Ajo, përmes artit shpreh revoltën për strehimin e romëve, duke e konsideruar strehimin si e drejtë universale. Ndërtimi të Unazës së Madhe të Tiranës, kërkonte zhvendosjen e komunitetit rom që banonte në zonën e Selitës në Tiranë, çka bëri që banesat e tyre të shemben. Kjo situatë, është përkthyer në art si protestë, ndërsa disa prej artistëve janë pjesë e këtij komuniteti banorësh. “Si kurator i ‘Fshirje. Banimi në Art’ më pëlqen të ruaj dhe luaj me ambiguitetin e titullit dhe nëntitullit të ekspozitës. Më pëlqen ta shoh titullin dhe nëntitullin, në këtë koncept kuratorial, si pjesë të së njëjtës frazë, si ‘fshirje e banesave në art dhe nëpërmjet artit’. Rrjedhimisht si i apasionuar pas Artit (“A-ja” e madhe nuk është e rastësishme) gjendem në një situatë të pazakontë: Për herë të parë më duhet të trajtoj artin si diçka të frikshme, si gjenerator makthesh”, shprehet kuratori Romeo Kodra në konceptin e tij. Pyetjeve: Ç’lidhje ka arti me sigurinë e strehimit, me banesën si një e drejtë njerëzore universaleë Ç’lidhje ka me dëbimin e disa qytetarëve që prej dekadash jetojnë në kushte të mjerueshme në periferi të Tiranës dhe që së shpejti do të detyrohen të rifillojnë jetën tjetërkund, sepse “planifikuesit e realitetit” tonë urban, me një të rënë të lapsit apo me një “penelatë të guximshme, të sigurt në vetvete”, kanë vendosur të rrafshojnë shtëpitë e të dëbuarve me shtrimin e një rrugeë” Kodra iu përgjigjet duke cituar Heidegger-in, i cili evidenton tek banesa thelbin e poezisë, Artit sublim par exellance. Kuratori vëren se “Fshirje. Banimi në Art” ka për qëllim të përcjellë përpara publikut dhunën atavike të zhvillimit urban që u kërcënohet shtresave më të varfëra dhe të papërfaqësuara politikisht të shoqërisë shqiptare. “Pavarësisht esteticizmit sipërfaqësor, sot e kësaj dite, karakteri poshtërues dhe imponent i kësaj dhune nuk ndryshon. Në lidhje më këtë nuk duhet harruar që urbanizmi musolinian i viteve ’30 kishte një gradë estetike tejet të lartë dhe që, fillimisht, influencoi nënshtrimin thuajse paqësor të shqiptarëve të asokohe. Prandaj, sot, e kemi detyrim historik fokusimin tek etika”,-nënvizon ai. Siaps tij, me këtë ekspozitë është kërkuar të evidentohen artistikisht fshirjet, fragmentimet, copëzimet, të gjithë konglomeratin e nëndheshëm që procesi i mbivendosjes së urbanizimit nga lart poshtë fundos dhe përjashton nga vandimmarrja çdo ditë e më shumë, duke u ndihmuar me pilulën e karamelosur të një estetike të keqkuptuar dhe pa kurrëfarë etike. “Si pjesëmarrës të kësaj ekspozite jemi, kush më pak e kush më shumë, aktivistë apo të angazhuar me problematikat e sipërpërmendura. Jemi, në këtë ‘mes të udhës së jetës’, në një mjedis të sertë, agresiv që na prek dhe kushtëzon në të përditshmen tonë në mënyrë direkte – si preformerat e instalacionit ‘DIAMO I COLORI’ – apo indirekte si Sead Kazanxhiu që nuk koncepton dot artin dhe poetikën e tij jashtë angazhimit në dhe për komunitetin e vet, si Elton Baxhaku dhe Eriona Çami që nga fragmentet e dokumetarëve të tyre filmik dhe fotografik sintetizojnë natyrshëm vepra arti jo më pak të angazhuara sesa dokumentarët që bëjnë, apo si Edison Mustafaj dhe Ernard Dyli që krijimtarinë e tyre artistike e konceptojnë ekskluzivisht të lidhur me realitetin e sotëm shqiptar”,- ka bërë me dije Romeo Kodra, kurator i ekspozitës së mbyllur dje.
(ma.ar/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: