TIRANË

Zëvendës kryetari i LSI-së Luan Rama thotë se arsyeja përse po ndodh përplasja për Gjykatën Kushtetuese ka të bëjë me 30 qershorin. I ftuar në rubrikën “Opinion” në News24, Luan Rama deklaroi se ata që bënë 30 qershorin ditë votimesh në mënyrë të kundraligjshme përpiqen të kapin Gjykatën Kushtetuese që të legjitimojnë atë që kanë bërë më 30 qershor.

Sipas tij, Shqipëria është në një krizë të rëndë të shtrirë në të gjitha fushat dhe se në vend që të kishte një reflektim pas 18 tetorit, situata është përkeqësuar.

“Nuk ka më asnjë iluzion dhe afërmendsh askush nuk do merrte guximin prej budallai të thoshte që Shqipëria është në krizë. Shqipëria është në krizë të rëndë politike, është në një krizë të rëndë kushtetuese, në një krizë të rëndë institucionale. Është në një krizë të rëndë të funksionimit të pushteteve dhe për pasojë gjendemi në këtë situatë që na ka bërë të jemi në fakt vendi më qesharak, një shtet karagjoz me shpërfaqje alarmante të papërgjegjshmërisë së funksionarëve përgjegjës në gjithë këtë situatë që është krijuar. Koincidon që jemi diçka më shumë se sa një muaj pas vendimit që mori Këshilli Europian më 18 tetor për mosçeljen e negociatave me Shqipërinë në kuadër të procesit të integrimit europian. Ajo ngjarje dhe ai vendim u shoqërua në Shqipëri me komente dhe polemika, me transferim të vëmendjes jashtë realiteti shqiptar shpesh herë dhe nëse do të duhej që të nesërmen e 18 tetorit politika shqiptare të reflektonte dhe nëse do duhej që gjithë kjo periudhë prej një muaji të ishte periudhë dialogu, periudhë bashkëpunimi, periudhë konvergjencash, kontributesh të të gjitha palëve për të bërë të mundur reflektimin në përmbushje të kushteve që vuri Bundestagu gjerman bashkë me qeverinë federale të Gjermanisë, ne kemi bërë të kundërtën. E kemi polarizuar më shumë krizën, situatën, kemi thelluar më shumë krizën politike në vend dhe të gjithën këtë e kemi transferuar tek ajo që po ndodh në Gjykatën Kushtetuese. E bëra këtë ekspoze për të kuptuar kontekstin se pse jemi në këtë situatë edhe me Gjykatën Kushtetuese. Sepse rezoluta e parlamentit gjerman ka vënë si kusht të parë reformën zgjedhore dhe zgjidhjen e problemit të Gjykatës Kushtetuese dhe ajo që bëhet për të kapur Gjykatën Kushtetuese në fakt nuk ka të bëjë thjesht dhe vetëm me atë që kam dëgjuar të thonë shpesh edhe komentues të tjerë politikë që sikur lufta po bëhet meqenëse është në çështje mandati i Presidentit të Republikës. Jo nuk është kjo arsyeja. Gjykata Kushtetuese në bazë të rekomandimeve të Gjermanisë ka një detyrë shumë më të rëndësishme se sa kjo për të zgjidhur dhe që ka të bëjë me legjitimitetit të 30 qershorit. Ata që bënë 30 qershorin ditë votimesh në mënyrë të kundraligjshme përpiqen të kapin Gjykatën Kushtetuese që të legjitimojnë atë që kanë bërë më 30 qershor dhe kjo është arsyeja përse ndodhemi në këtë situatë”, deklaroi Luan Rama.

Sa i përket qëndrimit të Presidentit të Republikës pas takimit sot me Besnik Muçin, anëtar i Gjykatës Kushtetuese i shkarkuar nga KPA, Luan Rama tha se Presidenti ka përgjegjësinë kushtetuese që jo vetëm të jetë garanti, mbrojtësi i Kushtetutës por edhe të kërkojë zbatimin e saj nga të gjitha institucionet që e kanë për detyrë ta bëjnë këtë gjë.

Edukata e zbatimit të ligjit, edukata e pranimit të vendimeve të trupave që ligjërisht kanë tagrin të marrin një vendim është ajo që në fakt do duhet të kishte dominuar edhe qasjen, edhe sjelljen e politikës në këtë vend. Natyrisht Presidenti i Republikës është në detyrë si i vetmi institucion legjitim kushtetues në Shqipëri, praktikisht. Për shkak të kësaj ai ka detyrën, përgjegjësinë kushtetuese, nuk është çështje vullneti individual përveçse, pra është përgjegjësi kushtetuese që jo vetëm të jetë garanti, mbrojtësi i Kushtetutës por edhe të kërkojë zbatimin e saj nga të gjitha institucionet që e kanë për detyrë ta bëjnë këtë gjë. Vijmë pastaj tek çështja tjetër, që reforma në drejtësi si një prioritet, si një kush ekzistencial për fatet e demokracisë dhe shtetit të së drejtës, natyrisht ka nevojë për të përshpejtuar ritmet dhe plotësuar të gjitha vakancat edhe duke parë me realizëm ato probleme që janë krijuar për shkak të faktit që kur është projektuar procesi nuk janë menduar mirë, nuk janë kalkuluar mirë të gjitha hapësira, deviacionet që mund të krijoheshin sepse nëse është i rëndësishëm procesi i vettingut, vettingu ka për mision të ndëshkojë individin përgjegjës, të penalizojë individin që nuk plotëson kriteret dhe jo institucionin. Për fat të keq, është penalizuar gjithë Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, të cilat nuk janë funksion. Në asnjë vend të botës nuk do të ndodhte që në dy vjet të mungesës së këtyre gjykatave shtetit të vazhdonte të bënte sikur nuk ka ndodhur gjë.

Është një proces shumë intensiv negociatash, takimesh, për të bërë të qartë çfarë po ndodh dhe për të imponuar zgjidhje në respekt të Kushtetutës dhe nëse do të shkojmë tek një tërheqje, në kuptimin edhe formal të z. Muçi kjo do të bënte të mundur krijimin e vakancës dhe përshpejtimin e procesit për të zëvendësuar vendin vakant që mbetet nga largimi i tij”, deklaroi Luan Rama.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb